Një djalë i ri atdhetar, me Kosovën dhe lirinë e saj në zemër, e kishte përjetuar me gëzim të madh lajmin për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndjenjat e krenarisë së tij kishin marrë flatra kur shqiponjat e UÇK-së ua kishin bërë fora policisë vrasëtare serbe, në Llaushë, më 26 nëntor të vitit 1997. Ndjenjat e këtij të riu ndizen flakë edhe ato ditë fillimarsi të 1998-es, kur në Prekaz fillon Epopeja e Zjarreve dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari shkroi me gjakun e tij faqen e re të historisë së luftës për lirinë e Kosovës. Ky djalosh zemërzjarrtë ishte dëshmori Mirsad Idrizaj.
Mirsad Idrizaj lindi në fshatin Lubozhdë të komunës së Burimit (ish-Istog), më 7 korrik të vitit 1976. Në fshatin e afërt Tedel, kryen shkollën fillore, kurse nuk i premtojnë kushtet dhe rrethanat ta vazhdojë shkollën e mesme. Prindërit e tij, Zeneli e Tima rritën me mund gjashtë djem, gjashtë shtylla të shtëpisë: Fadilin, Nimanin, Mirsadin, Azemin, Florimin dhe Abedinin. Fëmija i tretë, Mirsadi do të bëhej jo vetëm shtylla e shtëpisë, por edhe mbrojtësi i lirisë së vatrave stërgjyshore. Ai nuk mund të qëndronte i qetë përderisa të mos rreshtohej në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fillim të korrikut të vitit 1998. Shpirti i tij kryengritës nuk mund të duronte që Drenica e Dukagjini, të rriheshin me top e hekur nga forcat e zaptuesit serb, e ai të sodiste indiferent tymin dhe zjarrin e tyre. Prandaj, në një moment vendimtar ai i kishte thënë drejtpërdrejt të atit, Zenelit: “Baba, kush është trim, tash është koha ta tregojë veten. Jemi gjashtë vëllezër dhe ia kemi borxh kësaj toke. Ajo e meriton sakrificën e atij që do të jetë i gatshëm t’i dalë zot”.
Këto fjalë të një mendimi të pjekur, sikur kishin shprehur qartë vendimin që tashmë, Mirsadi e kishte marrë, për t’iu bashkuar radhëve të luftëtarëve të lirisë. Ato ditë ai e bën realitet këtë vendim, kur bashkë me kushëririn e tij, Muhamet Idrizaj, niset për në Gllogjan, ku ndodhet epiqendra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën e Dukagjinit. Sikurse lumi i shumë të rinjve, atje edhe Mirsadi shpreh vullnetin dhe gatishmërinë për mobilizim ushtarak dhe për të luftuar deri në çlirimin e plotë të Kosovës nga thundra e pushtuesit serb. Atij i plotësohet ky vullnet dhe kjo dëshirë, prandaj, ditët në vijim do të jetë kudo në pika zjarri, jo vetëm në Gllogjan, por edhe në Junik, Jasiq e në fshatrat e tjera të kësaj treve të Dukagjinit. Luftimet e asaj vere përcëlluese ishin të pandërprera dhe të ashpra. Edhe qëndresa e çlirimtarëve të UÇK-së, po ashtu ishte titanike. Ato ditë koha nuk matej me orë e me ditë dhe as me minutë e me sekondë, por me me beteja e me krisma armësh. Heroizmi i çlirimtarëve mbështetej në forcën e idealit të patundur të fitores. Ndërsa pushtuesi mbështetej në forcën e armëve moderne dhe në motivin për të mbajtur Kosovën nën pushtim.
Me përkushtimin e luftëtarit të lirisë, dëshmori Mirsad Idrizaj luftoi deri më 28 korrik të vitit 1998. Atë ditë ai ndodhej në vijën e zjarrit në Jasiq të Deçanit, ku predhat e armikut, i pozicionuar në pikat strategjike përreth, godasin pa pushim. Një predhë e tillë bëhet fatale edhe për Mirsadin. Më 28 korrik ai mbyll sytë, por në zemër nuk i ngel peng dëshira për t’i dalur pushtuesit shekullor serb përballë, për ta tmerruar me trimërinë dhe heroizmin e trashëguar nga brezat e të parëve.
Më 28 korrik 1998, trupi i dëshmorit Mirsad Idrizaj varroset në fshatin Jasiq. Pas përfundimit të luftës, u bë rivarrimi i tij në vendlindje, në Lubozhdë. Në afërsi të shtpisë ku ka lindur, pranë rrugës Burim-Tedel (ish-Vrellë) sot është i lartësuar lapidari i tij. (N. M.)