Të enjtën Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj, Dr. Kemajl Emini, së bashku me drejtoreshën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Nadire Imeri, kanë pritur në një takim drejtues të Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, Agron Bytyqi, dhe Drejtori i programeve, Besim Kodra.
Me këtë rast, është nënshkruar një memorandum që ka për qëllim krijimin e një bashkëpunimi midis Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) dhe Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve për themelimin dhe monitorimin e Këshillit të Pacientëve në Ferizaj.
Palët do të angazhohen në përgatitjen e dokumentacionit, përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit, miratimin e dokumenteve, sigurimin e një hapësire për punë, si dhe angazhimin në zgjidhjen e problemeve që hasin pacientët në shërbimet shëndetësore.
Ky memorandum synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjen e të drejtave të pacientëve.