leoni

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të pareshtura për ta ruajtur unitetin (E hënë 9 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të pareshtura për ta ruajtur unitetin (E hënë 9 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kanë ardhur Elez Durmishi, Sylë Qeriqi dhe Ajvaz Karpuzi. Syla ka treguar për një incident që e kanë pasur me një  epror… ( Dhjetë  fjali të koduara)

Sot janë larguar me autobus të gjithë vizitorët që kanë ardhur ditën e shtunë.

Kam frikë mos po iu ndodhë ndonjë e papritur gjatë kthimit.

Serbët tani për tani po heshtin. Ata me siguri se do të përgatisin ndonjë kurth, meqë kanë të dhëna të sigurta lidhur me këto lëvizje.

Në orët e pas ditës, Berat Luzha ka shkuar në ambulancë me qëllim që ta takojë Naser Bytyçin dhe të kërkojë nga ai që së bashku me Reshat Gashin dhe ndonjë tjetër të bëjnë përpjekje për ta lajmëruar, Arsim Bajramin.

Elez Durmishi më rrëfen edhe për disa prapaskena që po përgatiten në nivelet organizative në Drejtorinë e Policisë Ushtarake. Flitet se në radhët tona janë futur elementë të dyshimtë dhe njerëz që po mundohen me çdo kusht t`i eleminojnë kuadrot e radhëve të para të UÇK-së.

Është më se e vërtetë se diçka po ndodh brendapërbrenda, mirëpo duhet pasur kujdes sepse konfrontimi në mes veti do të thotë edhe fundi i të gjithave, në radhë të parë komprometimi para popullit dhe para ndërkombëtarëve. Pikërisht për këtë duhet vepruar me shumë kujdes, duhen sa më shumë informacione dhe për të gjitha këto duhet mbajtur shënime, në mënyrë që në të ardhmen, jemi apo nuk jemi ne, e vërteta le të dalë sheshit.

Te Elezi kam besim të patundur. Ai është i arsyeshëm dhe i dëgjueshëm. E di se unë po bëhem pengesë e pakalueshme për shumë punë që Syla, Elezi dhe Luani do t`i kishin kryer vet, mirëpo ata më besojnë, mbase edhe mendojnë se unë jam ndonjë kuadër që mund të ndikojë te anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm,

E marr me mend se ndodhem në pozitë delikate, sepse mbase  po bëhem frenues në një moment vendimtar për luftën në këto anë. Megjithatë falë angazhimit tonë dhe besimit që kanë shumica, ne kemi arritur t`i ruajmë radhët më mirë se në të gjitha zonat e tjera të luftimeve në Kosovë. Me gjak mund e djersë i kemi mbajtur pozicionet shumë larg nga fshati në mënyrë që këtu të krijohen kushte për punë dhe veprimtari civile e ushtarake. Kontribut të veçantë ne këtë drejtim kemi dhenë të gjithë ne që jemi të angazhuar në këto anë. Falë unitetit dhe respektit që deri tani kemi treguar për njëri tjetrin, e kemi ruajtur çështjen edhe pse individualisht nganjëherë jemi dëmtuar. Nuk jemi imponuar në asnjë rast, edhe pse Syla dhe Elezi dhe disa të tjerë janë kuadrot e para të UÇK-së dhe kanë kryer një mori aksionesh të cilat Ilaz Dërguti i ka koordinuar me Komandant Adem Jasharin. Ky fakt mjerisht po i pengon disa individë në radhët e hierarkisë ushtarake.

E di se në luftë nuk mund të shtrohet çështje e meritorisë, por e di edhe faktin tjetër se po të duan Syla, Elezi, përmes Sami Lushtakut, Ilaz Kodrës, Ilaz Dërgutit e të tjerëve do ta marrin në tërësi kontrollin ushtarak në këto anë, dhe kjo pjesë do të integrohet ashtu sikurse edhe do të duhej me Zonën Operative të Drenicës, e jo në Zonën e Pashtrikut. Unë i kam ndaluar në këtë veprim, duke menduar se kjo nuk është çështje esenciale. Mbase edhe kam gabuar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në fshatin Apterushë kanë rënë në pusi të forcave të okupatorit pesë luftëtarë të lirisë, në mesin e tyre edhe Toni e Mici (E premte 6 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në fshatin Apterushë kanë rënë në pusi të forcave të okupatorit pesë luftëtarë të lirisë, në mesin e tyre edhe Toni e Mici (E premte 6 nëntor, 1998)

Pasi kemi ngrënë bukë Jakup Krasniqi, Ramë Buja dhe Agron Krasniqi janë nisur në drejtim …