Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen profesor Arsim Bajrami. (E mërkurë 11 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen profesor Arsim Bajrami. (E mërkurë 11 nëntor, 1998)

Bashkëshortja Zymryti dhe djali im 10 vjeçar Zamiri me autobusin e orës 11.00 janë nisur për në Prishtinë. Zymryti doemos duhet  të bëjë një kontroll specialistik në Spital. Kam frikë se mos po i acarohet gjendja dhe nuk di se çka do të ndodh kur bora t`i mbyll rrugët.

Në orën 10.00, sipas marrëveshjes paraprake ka ardhur profesor Arsim Bajrami. Ai si duket nuk ka hezituar fare dhe pa vonuar ka ardhur me autobusin e hershëm.

Për dy orë rresht Arsim Bajrami, Jakup Krasniqi, Ramë Buja, kemi biseduar lidhur me të ashtuquajturin projekt-dokument të inicuar nga zoti Hill. Profesor Arsimi ka treguar gatishmëri që në të gjitha aspektet të ndihmojë në këtë drejtim, në aspekt të mbarështrimit profesional të këtij dokumenti. Ai po ashtu ka veçuar dy orientimet bazë të dokumentit, aspektin politik, i cili  sipas profesor Arsimit i përket kreut politik të UÇK-së dhe aspektin profesional teknik të cilin ai ka marrë përsipër ta përpunojë në detale dhe ta dërgojë sa më parë përmes Naser Bytyçit apo përmes ndonjë lidhjeje tjetër. Profesor Arsimi mendon se ky projekt-dokumenti do të duhej t iu ofrohej edhe partive politike në mënyrë që të ketë përkrahje sa më të gjerë. Gatishmëria e tij për të dhënë ndihmë në këtë drejtim të gjithëve na ka lënë përshtypje të mirë. Ky fakt flet se veprimtarët e njëmendtë janë të gatshëm ta japin pjesën e tyre të kontributit, por duhet pasur kujdes dhe takt gjatë veprimit me ta, sepse mund të rrezikohen në rast se regjimi i bie në gjurmë bashkëpunimit të tyre me ne.

Pasi e kemi përcjellë Arsimin, Rama, Jakupi dhe Agroni janë nisur për në Divjakë. Jakupi më bëri të ditur se disa ditë nuk do të kthehet në Krojmir meqë tani për tani do të vendoset diku tjetër. Ka gjasa që ndërkohë të vijnë këtu, bashkëshortja dhe fëmijët e Jakupit. Ata do të vendosen në shtëpinë tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Monotoninë e ditës së vjeshtës e thyejnë vajtje ardhjet e të njohurve. (E shtunë 7 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Monotoninë e ditës së vjeshtës e thyejnë vajtje ardhjet e të njohurve. (E shtunë 7 nëntor, 1998)

Sot ishte një ditë tipike e vjeshtës. Një ditë e zymtë, monotone dhe me shi. …