leoni

Ahmet Qeriqi: Me eprorët e Dukagjinit (E premte 13 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Me eprorët e Dukagjinit (E premte 13 nëntor, 1998)

Herët në mëngjes, Luani dhe Elez Durmishi janë nisur për në Kleçkë. Ata për çdo ditë duhet të shkojnë atje për t`i bashkërenditur veprimet  meqë ka filluar një ristrukturim në hierarkinë ushtarake.

Syla ndërkohë më njofton e se kushëriri i tij Ismail Xhemë Qeriqi, ka dërguar 1000 Dm për nevojat e Shtabit në Krojmir. Ajvaz Karpuzi na bën me dije se gjendja në kreun e policisë ushtarake nuk është e mirë, meqë në të gjitha vendet janë postuar disa ushtarë të Bajës, të cilët sipas tij i ka vendosur Fatmir Limaj. Ajvazi konsideron se në këtë mënyrë po veprohet keq dhe kërkon që për këto punë të arrihet ndonjë marrëveshje, ose në të kundërtën priten probleme.

Rreth mesditës kanë ardhur Idriz Hyseni dhe Ilir Dugolli. Idrizi është në linjë të vazhdueshme me radiolidhjen e tij dhe ende pa u ulur kthehet prapa duke treguar se forcat serbe kanë filluar të depërtojnë pas veturës e cila po e sjellë trupin e dëshmorit, Abedin Bujupi. Në kohën kur Idrizi dhe Iliri ishin larguar janë dëgjuar të shtëna armësh në drejtim të rrugës Komaran Nekovc. Si duket ushtarët tanë kanë reaguar dhe forcat serbe janë tërhequr.

Trupi i dëshmorit. Abedin Bujupi, thuhet se  pritet të varroset sot në varrezat e fshatit Berishë.

Së bashku me Berat Luzhën kemi shkuar në ambulancë

Po bëhen përgatitjet e fundit për të filluar punën spitali i improvizuar në shtëpinë e Xhezair Ollurit i cili ka pranuar që shtëpia e tij të jetë në dispozicion për nevoja të popullatës dhe të UÇK-së.

Në mbrëmje kanë ardhur për të tç biseduar  Galani, Gjoci, Luani, Syla Elezi, Naimi e të tjerë. Ushtaraku të cilin e thërrasin Galan, meqë edhe ashtu e ka një ten të zeshkët të pamjes, është një hokatar i lindur. Ai tregon rrëfime humoristike të luftës nga të cilat qeshemi. Rrëfen sa e sa barcoleta për Salih Berishën, të cilat i dëgjoj për herë të parë. Galani ka një kulturë solide intelektuale. Ai po ashtu është shumë i shoqërueshëm me ushtarët dhe shihet se është person karizmatik që i përvetëson ushtarët.

Gjoci nga ana e tij e shpotitë me ndonjë rromuz. Ata kanë qëndruar një kohë të gjatë së bashku dhe ia dinë gafat njëri tjetrit.

Agush Gjoci, rrëfen për luftimet në Rahovec, ku ka marrë pjesë së bashku me komandant Agim Çelën. Tregon për rrëmujën që ishte krijuar,  meqë popullata fliste në gjuhën serbe, ndërsa ai deri atë ditë nuk kishte dëgjuar as kishte ditur se rahovecasit në bashkëbisedim e flasin një të folme specifike të gjuhës serbe, por shqipen e zotërojnë shumë më mirë.

Gjoci tregon për luftimet që janë zhvilluar fyt për fyt dhe shtëpi më shtëpi me forcat serbe, në rrugët dhe lagjet e Rahovecit. Tregon për rënien e komandant Agim Çelës. Galani gjen ndonjë moment dhe e qesëndis.

-Ke dëgjuar ndonjëherë më parë për Rahovecin, e pyet Galani.

-Jo, ti ke dëgjuar, ia kthen Gjoci me tallje. Unë kam luftuar atje, e ti po më tregon për Rahovecin, shton pas pak.

-Ti vërtetë ke luftuar, por të kanë ikur serbët para hundëve. Edhe ata e dinë shqipen si shqiptarët gjuhën e tyre, ia kthen Galani.

-Nuk ishte ti atje për të të pyetur, ia kthen Gjoci.

-Prandaj e ke pësuar, sepse ke shkuar pa lejen time, i thotë Galani.

Biseda plot efekte humori na freskon. Galani ka sens të lindur për të krijuar situata humori aty për aty, por as Gjoci nuk mbetet prapa.

Agushi është ftohur, ka temperaturë dhe sytë iu kanë skuqur, por nuk jepet. Nga mos shërimi me kohë i plagëve e ka humbur imunitetin.

Më vonë kam biseduar edhe me Heset Sahitin për disa zhvillime në Shalë. Ai ka bërë shumë punë në konsolidimin e radhëve atje. Banorët e Shalës nuk i durojnë krojmirasit, ashtu sikur as këta ata të Shalës, ndërsa Heseti në këtë drejtim, nga ana jonë bën punë më tepër. Unë e hetoj dhe e pranoj këtë realitet sepse e njoh mentalitetin bajraktar e njerëzve tanë, të trashëguar nga e kaluara.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Monotoninë e ditës së vjeshtës e thyejnë vajtje ardhjet e të njohurve. (E shtunë 7 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Monotoninë e ditës së vjeshtës e thyejnë vajtje ardhjet e të njohurve. (E shtunë 7 nëntor, 1998)

Sot ishte një ditë tipike e vjeshtës. Një ditë e zymtë, monotone dhe me shi. …