Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E kam vështirë të përmbyll rastin e rënies. Janë tri versione të cilat nuk janë kristalizuar dhe më duket më e drejtë t`i prezantoj të tria, meqë nuk kemi version zyrtar nga Shtabi.

Shkrimin e kam konsultuar me Elez Durmishin i cili po ashtu pajtohet me të dhënat hipotetike rreth vrasjes.

Pasdite, me Beratin dhe Isë Krasniqin kemi shkuar në shtëpinë ku është vendosur tërë personeli mjekësor, madje edhe reparti i Stomatologjisë sikur shprehet me krekosje Reshat Gashi, meqë aty punon stomatologu,  Naser Bytyqi. Është shumë me rëndësi fillimi i punës së stomatologut. Kam vërejtur se në kohë lufte njerëzia më së shumti ankohen se iu dhembin dhëmbët dhe koka. Natyrisht se në kushte të tilla askush nuk ka mundësi të mbajë higjienën e gojës edhe pse shumica kemi brusha por rrallëherë na shkon mendja të dhëmbët.

Shtëpia trekatëshe e Xhezair Ollurit i përmbush të gjitha kushtet për funkcionim normal të trajtimit të shumë punëve dhe intervenimeve mjekësore. Gjatë kohës së zhvendosjes në Grykë, mjeku gjinekolog, Jakup Ismajli ka ndihmuar lindjet në dhjetëra raste, në fushë, në male dhe nuk ka pasur asnjë dështim. Kjo është fenomenale nga ana e këtyre mjekëve dhe të gjithëve që po japin ndihmë në këtë drejtim.

Pasi jemi kthyer në bazë, kanë ardhur Idriz Hyseni me ushtarin Maliq Vilaku nga Komarani, pastaj Luani, Syla e të tjerë. Luani jo vetëm shpreh indinjatë me rastin e ndarjes së 500 uniformave por pa kurrfarë kontrolli. Ai i shan me emër e mbiemër, ata, që sipas tij kanë bërë këso ndarje pretekcioniste. Vetëm 50 uniforma i kanë ndarë për Batalionin Ruzhdi Salihu, edhe pse duhet tre apo katërfishi. Luani nga të gjitha këto që ai u quan padrejtësi dhe inate nga persona të caktuar. Ai  ka filluar të frustrohet dhe kam frikë mos do të punojë ndonjë të ligë të papërmirësueshme.  Më shkon mendja ta porosis Nazmi Iballin të sigurojë të holla dhe të blejmë vetë uniformat.

Atyre shokëve në shtab nuk iu shkon fare ndërmend se edhe mua, Beratit, Isës dhe të tjerëve na duhen uniforma sidomos këso të dimrit meqë jemi të veshur keq dhe shpeshherë mërdhijmë gjatë rrugëtimit këmbë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga baza serbe te Gurëthyesi në Carralevë disa predha godasin në Krojmir dhe në Pjetërshticë (E shtunë 14 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga baza serbe te Gurëthyesi në Carralevë disa predha godasin në Krojmir dhe në Pjetërshticë (E shtunë 14 nëntor, 1998)

Qetësinë vjeshtore të mesditës e prishën disa shpërthime predhash të armikut të cilat papritur  kanë …