Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi i shoqëruar nga nënkryetari z. Fatmir Iska dhe bashkëpunëtor tjerë vizituan një nga bizneset e njohura dhe të suksesshme jo vetëm në Rahovec, por edhe në gjithë Kosovën “Haxhijaha Trade,” me pronar z. Nevzat Haxhijaha.
Ky biznes, që operon prej vitit 1989, është dëshmi e përkushtimit dhe e inovacionit në sektorin privat. “Haxhijaha Trade” aktualisht ka mbi 50 punëtorë dhe është në fazën e zgjerimit të mëtejshëm. Po ndërton një depo moderne prej 5000m², e cila pritet të funksionalizohet deri në fund të vitit 2025. Me këtë zgjerim, parashihet edhe rritja e numrit të punëtorëve, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale. Është lider në shitjen e pjesëve për automjete dhe ka përfaqësinë e brendit prestigjioz “Michelin,” ndër më të njohurit në botë për goma. Gjithashtu, importon produkte nga brendet më të mira ndërkombëtare dhe ka një sistem të avancuar të navigimit dhe të sistemimit të produkteve, ka shkruar kryetari Latifi në postimin e tij në facebook.
Po ashtu, ka edhe edhe tri pika të tjera të shitjes në Kosovë: Fushë Kosovë, Prishtinë dhe Pejë.
Jam krenar që Rahoveci ka biznese të tilla, që jo vetëm përfaqësojnë cilësinë dhe standardet më të larta, por kontribuojnë edhe në zhvillimin e komunitetit tonë.
Falënderoj z. Nevzat Haxhijaha, për vizionin dhe përkushtimin e tij, që ka bërë një histori suksesi të mirëfilltë!
Ne si komunë do të vazhdojmë të mbështesim dhe promovojmë biznese të tilla që na bëjnë krenarë, sepse rrisin mirëqenien dhe janë kontribut i vlefshëm për të ardhmen e qytetarëve tanë, ka shkruar në faqen e tij në facebook, kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.