Ahmet Qeriqi: Një natë me mbresa te jashtëzakonshme (E diel 22 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një natë me mbresa të jashtëzakonshme (E diel 22 nëntor, 1998)

Sot herët në mëngjes janë dëgjuar shkrehje armësh në Blinajë. Kam frikë mos ndokush ka rënë në pritë të forcave serbe, të cilat janë vendosur te Hoteli. Nga të shtënat nuk e dalloj dot se çfarë armësh po shtien. Ka mundësi që ata po vrasin derra të egër. Edhe ushtarët tanë vrasin dhe shpeshherë ndodh që derrat e plagosur kalojnë në anën tonë dhe i marrin ushtarët tanë.

Ka ardhur për të biseduar, Islam Salihu, babai i dëshmorit Ruzhdi Salihu, nga Zborci. Ai më ka sjellë një fotografi të djalit dëshmor dhe na lutet që ta kemi në kujdes familjen e  Islam Sahitit, një bashkëfshatar yni, te i cili rri Islami dhe një djalë i tij.

Derisa po bisedonin me xha Islamin i cili është pranuar në radhët e ushtrisë edhe pse është i moshuar, na bëjnë me dije se Fatmir Xhelili dhe Nusret Gashi kanë arritur më në fund. Ata, natën e kanë kaluar te Vehbi Zeqiri në Varigoc, meqë nuk kanë arritur të depërtojnë nëpër dëborën e madhe, e cila i ka zënë rrugët. Ndërkohë kanë takuar edhe Naim Imerin me të cilin kanë rrugëtuar së bashku.

Në mbrëmje jemi tubuar në odën e madhe te Elez Durmishi. Ka rastisur që në odë të kemi ushtarë nga katër zonat operative, Drenicë, Dukagjin, Pashtrik e Neredime. Në qendër të vëmendjes sonte i kemi këngëtarët. Përveç Gafurr dhe Ilir Dugollit, Idriz Sahit Qeriqit në mesin e këngëtarëve janë edhe Galani dhe Gjoci. Kemi vendosur që natën ta kalojmë me këngë.

Në mes të odës e cila është e mbushur përplot ushtarë dhe të rinj që ka rastisur të jenë prezentë janë ulur këmbëkryq këngëtarët, edhe kësaj radhe nga tri zona të luftës. Një sfidues i papritshëm i këngëtarëve lajmërohet kush tjetër pos Galani, Idriz Shala. Ai këndon një parodi humoristike për Ibrahim Rugovën dhe Salih Berishën. Kënga përcillet me të qeshura dhe ovacione të papritura, sepse përherë të parë dëgjojmë një këngë të tillë, të thurur me aq mjeshtëri sa askush nuk dot të qeshurën dhe ngazëllimin. Dikush nga ushtarët nuk ka harruar të zbrazë revolverin. Pastaj e vazhdon një tjetër, pastaj një i tretë, ndërsa Elez Durmishi në shenjë preventive dhe nga frika se mos po lëndohet ndokush mundohet t`i bindë të pranishmit që ta ndalin zjarrin. Ai në raste të tilla do të kërcënonte, por është në odën e tij dhe i vjen keq. Krismat megjithatë pushojnë por publiku kërkon nga Galani edhe një pikë.

Oda është e mbushur përplot. Kënga nuk pushon. Agush Gjoci këndon me krejt fuqinë edhe pse është i ftohur dhe zëri shpeshherë i del i mekur, por nuk ndalet. Herë herë ia hedh ndonjë rromuz Galanit dhe sakaq ia kthen apo e gjuan gjetkë. U krijua një atmosferë e vërtetë e shfrimit të ndjenjave të ndrydhura qysh prej fillimit të luftës. Ushtarët  tanë janë edhe të këngës, edhe të pushkës edhe të penës. Është kjo rinia më e përkushtuar dhe më e pastër e kombit. Janë dalëzotësit e atdheut të robëruar, janë çlirimtarët e Kosovës.

Jemi tubuar sonte këtu nga të gjitha anët e Kosovës. Gjoci dhe Galani nga Rashiqi e Peja. Isë Krasniqi nga Klina. Berat Luzha nga Kaçaniku, Fatmir Maliqi nga Busovata e Kamenicës, Komandant Çerçizi nga Reçaku, Fatmir Xhelili dhe Nusret Gashi nga Shtimja. Naim Imeri nga Lipjani, Idriz Sahiti nga Prizreni, ushtarë të tjerë nga Caraleva, nga Zborci, Shala Krojmiri Pjetërshtica, Nekovci… Kjo është përbërja e UÇK-së kudo në Kosovë. Në çdo njësit, në çdo batalion e brigadë ushtarët janë të të gjitha anëve të Kosovës, sepse të gjithë luftojnë për një qëllim, të gjithë luftojnë për çlirimin e Kosovës nga robëria dhe barbaria serbe.

Sonte kemi kaluar një natë të vërtetë të gëzimit dhe ngazëllimit. Ku di a do të tubohemi kështu edhe ndonjëherë tjetër. Ku di ku do të katandisë lufta. Por, nga kjo rrugë nuk ka kthim prapa….

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …