Dr. Skënder Demaliaj: Adoleshentët, shkolla, familja dhe shoqëria

Sjelljet devijante të adoleshentëve e kanë burimin në faktorët ekonomikë, socialë dhe psikologjikë. Baza është konflikti me veten e me të tjerët. Kur adoleshenti nuk krijon identitet në raporte shoqërore me të tjerët, në këtë stad, ai nuk pajtohet me raportet ekzistuese sociale dhe zhvillon ndjenjë konflikti. Për shkak të mosplotësimit të nevojave materiale dhe shoqërore krijohen raporte konfliktesh.

Shkollimi i tyre, punësimi, organizimi më me efektivitet i kohës së lirë i çlirojnë nga stresi, paragjykimet, i largojnë nga krimi, “i detyrojnë” të vendosen raporte më të pranueshme, më normale në marrëdhëniet me të tjerët dhe me vetë veten e tyre.

Shkalla e ngrohtësisë prindërore, e pranimit, e respektit reciprok, e besimit ndaj adoleshentit, intensiteti i marrëdhënieve prindër – adoleshent, modelet e rolit prindëror, mundësitë e autonomisë – ndikojnë pozitivisht ose negativisht në sjelljen dhe qëndrimin e tyre. Ata që nuk e arrijnë sigurinë psikologjike e sociale e kompensojnë këtë me sjellje të papëlqyeshme, deri edhe me agresivitet.

Zhvillimi i parakohshëm social i fëmijës, angazhimi i tij në punë që i vogël për të mbajtur familjen shoqërohet edhe me mungesa në formimin e plotë të personalitetit, në formimin e tij arsimor e kulturor. Duhet evidentuar kjo kategori e të integrohet në jetën shkollore.

Rruga përfaqëson një zonë të lirë për aventura rinore, pasi ajo është relativisht jashtë sferës së ndikimit të agjencive të kontrollit shoqëror. Adoleshenti nuk largohet nga rruga me lutje prindërish, me sentimentalizma mamash, duke bërë moral mësuesi, me shantazhe e frikësime, por duke e integruar atë më mirë në jetën shkencore, artistike, sportive dhe shoqërore, duke hapur më shumë kurse për gjuhët e huaja, për kompjutera, për kualifikimin e saj (mundësisht duke ulur tarifat që të kenë mundësi t’i frekuentojnë), duke ndërtuar palestra të reja, të pajisura me salla force, me fushë pingpongu, tenisi e tjerë. Objektivi: të rritet një rini e shëndetshme, por edhe e aftë për t’iu përgjigjur më mirë kërkesave të ekonomisë së tregut.

Tek sjelljet devijante të adoleshentit ndikojnë modelet e pazakonshme të sjelljes devijante në jetën reale dhe modelet e sjelljes devijante në ekranin e televizionit, shpesh edhe modele agresiviteti. Është domosdoshmëri që kjo çështje të zgjidhet edhe me ligjin për mediat.

Izolimi i adoleshentëve në planin shoqëror nënkupton shuarjen e lidhjeve ndërnjerëzore, sikurse është izolimi nga jeta e përditshme, pamundësia që të futen në grupet shoqërore. Këto dukuri sjellin simptoma të çrregullimeve të personalitetit të tyre që në fund të fundit lidhen me qëndrimet devijante. Janë me qindra fshatra në vendin tonë me popullsi të përgjysmuar. Edhe këtu ka vajza e djem. Është një problem konkret, një shqetësim serioz që ka lindur në dekadat e fundit dhe që kërkon zgjidhje e vëmëndje më shumë për ta bërë më të gjallë e më aktive jetën në këto mikrozona.

Adoleshentin, jeta në shoqëri e obligon për respektimin e normave, të cilat rregullojnë raportet e tij ndaj shoqërisë.

Hapja e Shqipërisë pas viteve `90 ka ristrukturuar të gjithë lidhjet e vjetra të shoqërisë së dikurshme. Normat e vjetra morale nuk praktikohen si më parë, por normat e reja morale nuk i kanë zëvendësuar tërësisht ato. Gjendja e rëndë ekonomike veçanërisht në zonat rurale, ndryshimi i shpejtë dhe i thellë i marrëdhënieve ekonomike – janë faktorët që e vështirësojnë krijimin e grupeve të qëndrueshme e të dallueshme të interesit, të cilat do të vepronin si grupe presioni në të mirë. I riu i zonave rurale sa më larg nga qendrat urbane të jenë këto, jeton dhe vepron kryesisht në përbërje të familjes së tij, të fisit të tij, të klanit të tij, të grupit social të shokëve të afërt, i lidhur ngushtë me ta dhe për ta. Vihet re gërshetimi i dy prirjeve: rigjallërimi i psikologjisë së fisit dhe rritja e shkallës së individualizmit të mënyrës së jetesës. Grupet e vogla shoqërore të popullsisë rurale dhe asaj urbane kanë specifika të dallueshmë në pikëpamje të sjelljes së tyre morale. Këto dallime vijnë prej faktit se ata jetojnë në zona gjeografike dhe shoqërore të ndryshme. Sociologë të mëdhenj kanë theksuar se ka probleme dhe konflikte ndërmjet zhvillimit mendor të individit dhe shoqërisë.

Ftohtësia indiferente dhe fobia për adoleshentët që vijnë nga zonat rurale pengojnë integrimin e tyre në zonat urbane. Individi i ardhur në një mjedis të ri kulturor, moral, shoqëror ndihet i huaj, i paintegruar, i përjashtuar. Adoleshentët nga zonat rurale besojnë më shumë në vlerat e traditës. Nisur nga ky konstatim shkolla duhet t’i ruajë e t’i vlerësojë këto vlera për t’u përafruar më shumë me këtë kategori adoleshentësh. Solidariteti dhe respektimi i të drejtave individuale janë pjesë e dhjetë vlerave më të rëndësishme që duhet të ketë individi. Mësuesi në punën me adoleshentët, aq më tepër me ata të ardhur nga zonat rurale duhet t’i mbrojë këto vlera.

Ndryshimi i menjëhershëm i mjedisit ku jeton ai shkakton çrregullime që shoqërohen me sjellje devijante të tij. Ndryshimet e mëdha demografike në 30 vitet e fundit në vendin tonë duhen marrë në konsideratë në punën me adoleshentët. Ata duhet të integrohen më shpejt. Në periferitë e qyteteve të mëdha, veçanërisht në Tiranë jeton një popullsi relativisht e madhe me kushte minimale jetese. Është e domosdoshme një punë specifike në këto zona me adoleshentët, një plan konkret masash për gjallërimin e jetës, përmirësimin e kushteve dhe integrimin e tyre në jetën e këtyre qyteteve të mëdha. Niveli i ulët arsimor dhe kulturor i pengon të lidhen me normat e vlefshme shoqërore, t’i përvetësojnë e t’i zbatojnë. Ky është edhe shkaku i rasteve devijante të sjelljes së tyre. Me dhjetëra nxënës nga fshati dhe zonat periferike të qyteteve kanë braktisur shkollën dhe është ulur ndjeshëm numri i atyre që vazhdojnë shkollën e mesme pas mbarimit të nëntëvjeçares.

Karriera e sjelljes devijante tek adoleshentët fillon shpesh në forma të thjeshta e pastaj merr forma të ndërlikuara, prandaj duhet bërë kujdes që në fillimet e para sepse siç thotë populli “e merr ferra uratën”. Ministria e Arsimit, e Rinisë dhe e Sporteve, Ministria e Kulturës duhet t’i parandalojnë, duke organizuar studime komplekse, duke zhvilluar më shumë veprimtari dhe duke ndërmarrë projekte me strukturat shtetërore dhe shoqatat joqeveritare.

Sjellja devijante manifestohet individualisht tek të rinjtë që do të thotë se duhet organizuar më mirë punë individuale konkrete me të rinjtë, duke gjetur format dhe metodat më rezultative e më të suksesshme.

Me dhimbje, por duhet të pranojmë se është rritur numri i adoleshentëve të dhunshëm. Përse ndodh kjo? Cilat janë shkaqet?

Se shoqëria jonë është e dhunshme, se në familje ka dhunë, se po rritim fëmijë të dhunshëm. Nuk lindin të dhunshëm…, por bëhen të tillë. Fëmijët e familjeve ku ka dhunë vuajnë më shumë nga probleme të sjelljes dhe janë më pak të aftë për të vepruar në shoqëri, në krahasim me fëmijët që vijnë nga familje, ku nuk ka dhunë. Një studim kanadez tregon se nëse fëmija është i pranishëm në konfliktet e prindërve, ku përdoret dhuna si mjet për zgjidhjen e tyre “ka shumë gjasa të parashikohet se edhe ai vetë do të bëjë krime kundër personit kur të rritet si sulme ndaj personit, përpjekje për përdhunim, përpjekje për vrasje, rrëmbime dhe vrasje”. Edhe një përqindje e lartë e fëmijëve të rrugës – janë rrjedhojë e dhunës në familje. Origjina e dhunës i ka rrënjët në strukturën shoqërore dhe në një tërësi të ndërlikuar vlerash, traditash, zakonesh dhe besimesh që lidhen me të. Dhuna është shkak i një personaliteti agresiv.

Faktorët që ndikojnë tek fëmijët për t’u bërë të dhunshëm e për të kryer krime janë shumëdimensional:

Faktorë ekonomik: varfëria, veçanërisht në zonat rurale e të izoluara nga pjesët e tjera të territorit. Shumë fëmijë e kanë braktisur shkollën për shkaqe ekonomike. Gjithashtu një pjesë e tyre nga komuniteti rom apo nga familjet që kanë ardhur në metropolin Tiranë-Durrës apo kanë zbritur nga zonat malore në qytete nuk gjejnë mjedisin e përshtatshëm social dhe ekonomik për të zhvilluar personalitetin e tyre për shkak edhe të kushteve të rënda ekonomike.

Faktorë që lidhen me familjen: mungesa e kontrollit të përshtatshëm prindëror, prindër të ashpër me një orientim disiplinor jo të qartë, divorcet e prindërve, mungesa e vlerave familjare. Studimet psikologjike tregojnë se fëmijët e keqtrajtuar nga prindërit e tyre bëhen më vonë prindër keqtrajtues për fëmijët e tyre.

Jeta në një shtëpi të dhunshme apo në një komunitet të dhunshëm mund të krijojë turbullime tek fëmija, sepse ai beson se prindërit e tij nuk mund ta mbrojnë. Kështu fëmijët më të rritur kërkojnë të gjejnë “të fortët” dhe “ata me pushtet”, kryesisht në grupet e moshatarëve sesa në marrëdhëniet me prindërit. Pra sjellja agresive dhe dhuna e shfaqur janë reagim ndaj situatave që ai i mendon se e kërcënojnë. Aspiratat e prindërve për fëmijët dhe vlerat prindërore luajnë rol formues në të gjitha aspektet e zhvillimit të tij sepse shkak i shfaqjes së dhunës tek fëmijët është keqpërshtatje midis prindërve dhe fëmijës (një fëmijë i shkathët dhe energjik dhe një prind i ngathët krijon lidhje emocionale të tendosur).

Prishja e marrëdhënieve familjare, konfliktet dhe mosmarrëveshjet prindër – fëmijë – janë shkaku i rritjes së frikës dhe të pasigurisë së fëmijëve, i largimeve të tyre nga shtëpia deri në braktisje të familjes, i futjes së tyre në banda kriminale.

Faktorë që lidhen me shkollën: frekuentim i dobët, largime nga orët e mësimit, dobësim dhe prishje e disiplinës në shkollë, marrëdhënie jo të mira mësues-nxënës dhe nxënës-nxënës, dhunë fizike dhe psikologjike nga ana e mësuesve ndaj nxënësve, motivim i pakët i nxënësve për të mësuar, shkatërrim i bazës materiale në shkollë, kontroll i dobët dhe ndëshkime të buta për nxënësit që vijnë në shkollë me mjete të forta, thika apo edhe armë zjarri.

Faktorë politikë: lidhja e krimit me politikën, mosfunksionimi i shtetit ligjor, veçanërisht në sistemin e drejtësisë për të luftuar kriminalitetin, veçanërisht krimin e organizuar. Dhuna e pandëshkuar është terren i mirë që njeriu të kalojë pa shumë hezitime në sjellje agresive.

Faktorë socialë: alkooli, droga, prostitucioni, pabarazia e gruas me burrin, programe me karakter joshoqëror që transmetohen nga mediat, ku një rol negativ dhe shumë të dëmshëm luajnë filmat me vrasje (me killera). Dhuna e filmave merret si model për reagimet e mëvonshme personale dhe njeriu modelohet për t’u sjellë në mënyrë agresive.

Faktorë psikologjikë: stresi, depresioni, sëmundjet mendore, prejardhje nga familje të dhunshme, faktorët individualë të personalitetit, si temperamenti, dëshira për të qenë i fuqishëm, kurioziteti për të ushtruar dhunë.

Teoria e të mësuarit social e vlerëson agresivitetin si një formë të sjelljes së mësuar sociale. Agresiviteti mësohet nëpërmjet vëzhgimit dhe imitimit të njerëzve të tjerë dhe ruhet nëpërmjet përforcimit pozitiv.

Rritja e dhunës tek fëmijët, përveç rrezikshmërisë shoqërore, cënimit të të drejtave të njeriut, të jetës së njeriut, çon edhe në rritjen e kostos ekonomike, rrit shpenzimet nëpërmjet shërbimeve që shoqëria duhet të kryejë për t’u ardhur në ndihmë viktimave, për trajtimin mjekësor, për policinë, gjykatat, shërbimet e sigurimeve shoqërore e tjerë.

Nuk mjafton të marrësh nisma për uljen e dënimeve të fëmijëve, për trajtim më të mirë në qeli e për përmirësimin e kushteve në burg (nuk e mohojmë se edhe kjo ka anët pozitive), por e rëndësishme është të zbatohen politika arsimore, ekonomike, juridike, sociale që e ulin shkallën e kriminalitetit tek fëmijët, adoleshentët.

Parandalimi i krimit tek fëmijët është një problem serioz për shtetin e shoqërinë tonë, është e duhet të jetë pjesë integrale e politikave të arsimit. Dhuna fillon në mëndjet e njerëzve. Shkolla duhet të edukojë individë që ideojnë “mbrojtjen e paqes” në mendjet e tyre.

Në shkollën tonë duhet të ketë më shumë programe e tema mësimi kundër dhunës:

  • Të aftësohen nxënësit e mësuesit për zgjidhjen paqësore të konflikteve, për rritjen e përsosjen e aftësive komunikuese midis palëve, për demokratizimin e marrëdhënieve.
  • Mësuesit të kenë një qëndrim model për nxënësit e tyre në zhvillimin e sjelljeve e të zakoneve jo të dhunshme.
  • Rritja e shërbimeve këshillimore psikologjike, sociale e pedagogjike në shkollë.
  • Të organizohen konferenca me karakter edukativ mbi dhunën.
  • Forcimi i disiplinës, zbatimi i rregullores. Ndëshkime të ashpra për nxënësit e dhunshëm dhe për mësuesit që përdorin dhunën.
  • Projekte të përbashkëta shkollë-familje-shoqëri me temë:

Edukimi dhe toleranca”, “Të njohim e të zbatojmë Konventat e të Drejtave të Fëmijëve”.

  • Të ngrihet shkolla e riedukimit dhe të rritet bashkëpunimi komunitet-polici.
  • Shkolla t’u afrojë prindërve programe konkrete e të specializuara, me nivel të lartë se si mund të rriten e edukohen fëmijë jo të dhunshëm. Kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet dhe shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet që këta fëmijë (të vegjël sot) edhe kur të rriten e të martohen do të imitojnë sjellje të dhunshme të prindërve me përjashtim të rasteve kur kanë kërkuar ndihmë të specializuar për të ndryshuar sjelljet e tyre. Fëmijët e mësojnë këtë ves (dhunën) në familje dhe e përdorin për të siguruar atë që dëshirojnë. Ndëshkimi i prindërve që ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre.
  • Programe për fëmijët e rrugës, veprimtari që u interesojnë fëmijëve, shlodhëse dhe argëtuese.
  • Dhënia e hapësirës së domosdoshme çdo fëmijë.
  • Inkurajimi dhe stimulimi i grupeve të ndryshme të fëmijëve që nuk e përdorin dhunën.
  • Ndryshime në legjislacion, në rregulloren e shkollës, në kodin penal, civil dhe familjar, veçanërisht ligji për mediat që lidhet me filmat me dhunë e vrasje që jepen në çdo kohë.

Vargjet sintezë të Nolte janë tepër domethënëse:

“Fëmijët mësojnë atë që jetojnë:

Nëse një fëmijë jeton në kritikë, mëson të dënojë.

Nëse një fëmijë jeton në urrejtje, mëson të luftojë.

Nëse një fëmijë jeton në ironi, mëson të jetë i ndrojtur.

Nëse një fëmijë jeton në turp, mëson të ndihet fajtor.

Nëse një fëmijë jeton në tolerancë, mëson të jetë i durueshëm.

Nëse një fëmijë jeton në inkurajim, mëson të ketë besim.

Nëse një fëmijë jeton në lavdërim, mëson të vlerësojë.

Nëse një fëmijë jeton në çiltërsi, mëson drejtësinë.

Nëse një fëmijë jeton në siguri, mëson të ketë besnikëri.

Nëse një fëmijë jeton në pranim dhe në miqësi, mëson të gjejë

dashurinë në botë”.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …