Ahmet Qeriqi: Punët megjithatë na shkojnë mbarë (E martë 24 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Punët megjithatë na shkojnë mbarë (E martë 24 nëntor, 1998)

Në mëngjes Elez Durmishi ka përcjellë për në Divjakë Berat Luzhën dhe Isë Krasniqin, meqë ashtu ka urdhëruar Ramë Buja. Rruga është e zënë dhe do ta kenë shumë vështirë të depërtojnë nëpër Grykën e Thatë të Nekocit. Në mbrëmje ata zbresin në Nekoc. Atje shkon një ushtar me veturë për t`i marrë.

Pak më vonë ka ardhur Reshat Gashi. Ai shpalos disa mendime të tij lidhur me organizimin. Si gjithnjë tregon maturi dhe shumë kujdes. Reshati është krah i fortë u lutës. Ai i identifikon problemet e caktuara. Ka një sens të lidhur për të depërtuar në esencën e problemeve. Mbi të gjitha është realist dhe nuk ngutet për të dhënë vlerësime. Puna dhe angazhimi i tij në ruajtjen e unitetit në mes të personelit ushtarak është në nivel meritor.

Gjatë tërë ditës kam qëndruar i vetëm. Kam shkruar dhe kam bërë disa kontrollime të shkrimeve të mëparshme. Epiri me një motosharrë ka sharruar drunj për ngrohje. Arbana zakonisht na përgatitë ushqimin për mëngjes dhe pastaj me shoqet e veta shkon në punë. Në Ekipin e motrave medicinale është angazhuar edhe Biba një shoqe e Arbanës nga Prishtina, pastaj Lumja motra e Besim Gashit, Mirdita e Selatin Qeriqit. Ganimetja e Imer Qeriqit  e të tjera. Me ato ka filluar të punojë edhe Mirvetja, e bija e Jetë Hasanit.

Spitali ushtarak sikur e kemi bërë shprehi ta quajmë është kompletuar në shumë nivele. Naser Bytyçi e ka vendosur karrigen e stomatologjisë. Jakup Ismajli  mjek i praktikës së përgjithshme dhe gjinekolog po ashtu i ka siguruar mjetet pajisjet dhe barërat që janë më se të nevojshme.

Gjatë verës, Jakup Ismajli, Naser Bytyqi, Reshat Gashi me ekipet e tyre mjekësore kanë kryer më se 4000 kontrollime. Puna dhe angazhimi i tyre në këtë drejtim është i pashembullt. Po ashtu edhe në pikën shëndetësore të Shalës ku punojnë Fitim Selimi, Avdullah Fazliu, Mentor Shamolli e të tjerë janë kryer shumë shërbime mjekësore. Një ndihmesë të veçantë në barna dhe një si mbikëqyrje në këtë drejtim e ka marrë përsipër mjeku Fatmir Xhelili, i cili aktualisht është më i rrezikuari, sepse fare lehtë mund ta befasojnë policët serbë.

Pasi ka pritur më shumë se dy orë në vendin e caktuar ku ka qenë dashur të dalin Berati dhe Isë Krasniqi, Elez Durmishi me një ushtar vozitës është kthyer në Krojmir. Si duket Berati dhe Isa kanë mbetur në Divjakë.

Qarkullimi ditë e më tepër po vështirësohet për shkak të dëborës së madhe që ka rënë, sidomos në pjesën malore ku fryma ka krijuar masa të mëdha dhe të pakalueshme të dëborës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …