Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj; Faktorët që ndikojnë tek fëmijët për t’u bërë të dhunshëm e për të kryer krime janë shumëdimensionalë II

Faktorë ekonomik: varfëria, veçanërisht në zonat rurale e të izoluara nga pjesët e tjera të territorit. Shumë fëmijë e kanë braktisur shkollën për shkaqe ekonomike. Gjithashtu një pjesë e tyre nga komuniteti rom apo nga familjet që kanë ardhur në metropolin Tiranë-Durrës apo kanë zbritur nga zonat malore në qytete nuk gjejnë mjedisin e përshtatshëm social dhe ekonomik për të zhvilluar personalitetin e tyre për shkak edhe të kushteve të rënda ekonomike.

Faktorë që lidhen me familjen: mungesa e kontrollit të përshtatshëm prindëror, prindër të ashpër me një orientim disiplinor jo të qartë, divorcet e prindërve, mungesa e vlerave familjare. Studimet psikologjike tregojnë se fëmijët e keqtrajtuar nga prindërit e tyre bëhen më vonë prindër keqtrajtues për fëmijët e tyre.

Jeta në një shtëpi të dhunshme apo në një komunitet të dhunshëm mund të krijojë turbullime tek fëmija, sepse ai beson se prindërit e tij nuk mund ta mbrojnë. Kështu fëmijët më të rritur kërkojnë të gjejnë “të fortët” dhe “ata me pushtet”, kryesisht në grupet e moshatarëve sesa në marrëdhëniet me prindërit. Pra sjellja agresive dhe dhuna e shfaqur janë reagim ndaj situatave që ai i mendon se e kërcënojnë. Aspiratat e prindërve për fëmijët dhe vlerat prindërore luajnë rol formues në të gjitha aspektet e zhvillimit të tij sepse shkak i shfaqjes së dhunës tek fëmijët është keqpërshtatje midis prindërve dhe fëmijës (një fëmijë i shkathët dhe energjik dhe një prind i ngathët krijon lidhje emocionale të tendosur).

Prishja e marrëdhënieve familjare, konfliktet dhe mosmarrëveshjet prindër – fëmijë – janë shkaku i rritjes së frikës dhe të pasigurisë së fëmijëve, i largimeve të tyre nga shtëpia deri në braktisje të familjes, i futjes së tyre në banda kriminale.

Faktorë që lidhen me shkollën: frekuentim i dobët, largime nga orët e mësimit, dobësim dhe prishje e disiplinës në shkollë, marrëdhënie jo të mira mësues-nxënës dhe nxënës-nxënës, dhunë fizike dhe psikologjike nga ana e mësuesve ndaj nxënësve, motivim i pakët i nxënësve për të mësuar, shkatërrim i bazës materiale në shkollë, kontroll i dobët dhe ndëshkime të buta për nxënësit që vijnë në shkollë me mjete të forta, thika apo edhe armë zjarri.

Faktorë politikë: lidhja e krimit me politikën, mosfunksionimi i shtetit ligjor, veçanërisht në sistemin e drejtësisë për të luftuar kriminalitetin, veçanërisht krimin e organizuar. Dhuna e pandëshkuar është terren i mirë që njeriu të kalojë pa shumë hezitime në sjellje agresive.

Faktorë socialë: alkooli, droga, prostitucioni, pabarazia e gruas me burrin, programe me karakter joshoqëror që transmetohen nga mediat, ku një rol negativ dhe shumë të dëmshëm luajnë filmat me vrasje (me killera). Dhuna e filmave merret si model për reagimet e mëvonshme personale dhe njeriu modelohet për t’u sjellë në mënyrë agresive.

Faktorë psikologjikë: stresi, depresioni, sëmundjet mendore, prejardhje nga familje të dhunshme, faktorët individualë të personalitetit, si temperamenti, dëshira për të qenë i fuqishëm, kurioziteti për të ushtruar dhunë.

Teoria e të mësuarit social e vlerëson agresivitetin si një formë të sjelljes së mësuar sociale. Agresiviteti mësohet nëpërmjet vëzhgimit dhe imitimit të njerëzve të tjerë dhe ruhet nëpërmjet përforcimit pozitiv.

Rritja e dhunës tek fëmijët, përveç rrezikshmërisë shoqërore, cënimit të të drejtave të njeriut, të jetës së njeriut, çon edhe në rritjen e kostos ekonomike, rrit shpenzimet nëpërmjet shërbimeve që shoqëria duhet të kryejë për t’u ardhur në ndihmë viktimave, për trajtimin mjekësor, për policinë, gjykatat, shërbimet e sigurimeve shoqërore e tjerë.

Nuk mjafton të marrësh nisma për uljen e dënimeve të fëmijëve, për trajtim më të mirë në qeli e për përmirësimin e kushteve në burg (nuk e mohojmë se edhe kjo ka anët pozitive), por e rëndësishme është të zbatohen politika arsimore, ekonomike, juridike, sociale që e ulin shkallën e kriminalitetit tek fëmijët, adoleshentët.

Parandalimi i krimit tek fëmijët është një problem serioz për shtetin e shoqërinë tonë, është e duhet të jetë pjesë integrale e politikave të arsimit. Dhuna fillon në mëndjet e njerëzve. Shkolla duhet të edukojë individë që ideojnë “mbrojtjen e paqes” në mendjet e tyre.

Në shkollën tonë duhet të ketë më shumë programe e tema mësimi kundër dhunës:

Të aftësohen nxënësit e mësuesit për zgjidhjen paqësore të konflikteve, për rritjen e përsosjen e aftësive komunikuese midis palëve, për demokratizimin e marrëdhënieve.

Mësuesit të kenë një qëndrim model për nxënësit e tyre në zhvillimin e sjelljeve e të zakoneve jo të dhunshme.

Rritja e shërbimeve këshillimore psikologjike, sociale e pedagogjike në shkollë.

Të organizohen konferenca me karakter edukativ mbi dhunën.

Forcimi i disiplinës, zbatimi i rregullores. Ndëshkime të ashpra për nxënësit e dhunshëm dhe për mësuesit që përdorin dhunën.

Projekte të përbashkëta shkollë-familje-shoqëri me temë:

“Edukimi dhe toleranca”, “Të njohim e të zbatojmë Konventat e të Drejtave të Fëmijëve”.

Të ngrihet shkolla e riedukimit dhe të rritet bashkëpunimi komunitet-polici.

Shkolla t’u afrojë prindërve programe konkrete e të specializuara, me nivel të lartë se si mund të rriten e edukohen fëmijë jo të dhunshëm. Kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet dhe shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet që këta fëmijë (të vegjël sot) edhe kur të rriten e të martohen do të imitojnë sjellje të dhunshme të prindërve me përjashtim të rasteve kur kanë kërkuar ndihmë të specializuar për të ndryshuar sjelljet e tyre. Fëmijët e mësojnë këtë ves (dhunën) në familje dhe e përdorin për të siguruar atë që dëshirojnë. Ndëshkimi i prindërve që ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre.

Programe për fëmijët e rrugës, veprimtari që u interesojnë fëmijëve, shlodhëse dhe argëtuese.

Dhënia e hapësirës së domosdoshme çdo fëmijë.

Inkurajimi dhe stimulimi i grupeve të ndryshme të fëmijëve që nuk e përdorin dhunën.

Ndryshime në legjislacion, në rregulloren e shkollës, në kodin penal, civil dhe familjar, veçanërisht ligji për mediat që lidhet me filmat me dhunë e vrasje që jepen në çdo kohë.

Vargjet sintezë të Nolte janë tepër domethënëse:

“Fëmijët mësojnë atë që jetojnë:

Nëse një fëmijë jeton në kritikë, mëson të dënojë.

Nëse një fëmijë jeton në urrejtje, mëson të luftojë.

 

Nëse një fëmijë jeton në ironi, mëson të jetë i ndrojtur.

 

Nëse një fëmijë jeton në turp, mëson të ndihet fajtor.

 

Nëse një fëmijë jeton në tolerancë, mëson të jetë i durueshëm.

 

Nëse një fëmijë jeton në inkurajim, mëson të ketë besim.

 

Nëse një fëmijë jeton në lavdërim, mëson të vlerësojë.

 

Nëse një fëmijë jeton në çiltërsi, mëson drejtësinë.

 

Nëse një fëmijë jeton në siguri, mëson të ketë besnikëri.

 

Nëse një fëmijë jeton në pranim dhe në miqësi, mëson të gjejë

 

dashurinë në botë”.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj konsideron se për dalje nga kriza, Kosova duhet ta krijojë Qeverinë e Unitetit Kombëtar, me të gjitha partitë politike

Ramush Haradinaj: Pas 9 shkurtit, do të ndodhë kthesa e madhe edhe në politikën e jashtme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar ka ardhur koha që …