Në prag të Ditës së Flamurit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëhet institucioni i parë i Shqipërisë me prani fizike në Kosovë

Beqir Elshani: DITA E FLAMURIT ËSHTË PASNESËR

Papritmas profesori nxori flamurin kombëtar prej çantës së zezë dhe me dy progje e vuri në ballë të murit në odë. Në këtë çast, fytyrat e burrave u ndriçuan, kurse sytë e fëmijëve të pranishëm në odën e burrave shkëlqenin porsi yje. Dukej sikur dielli i jetës kishte hyrë në odë, ndonëse jashtë binte dëborë. Për çdo nëntor të vitit profesori e mbante flamurin kuqezi në çantë, dhe kudo që shkonte, e shpaloste para të gjithëve. Ai donte t’ua përkujtonte të gjithëve se për të valuar i lirë flamuri kombëtar në trojet tona, ende duhet luftuar. Organet e pushtetit jugosllav profesorin e kishin larguar për shkak se gjatë orës mësimore vazhdimisht fliste për bukuritë natyrore shqiptare dhe për heroizmin e popullit shqiptar. Jo vetëm kaq, sepse profesori shpjegonte me afsh atdhetar dhe pëllëmbën e dorës e mbështeste në hartë, mu në kufirin shqiptaro-shqiptar. Dukej sikur nxënësve ua brumoste dashurinë në zemër, që një ditë ajo vijë e dhunshme kufitare të zhduket nga faqja e dheut, në mënyrë që atdheu i bashkuar të jetojë i lirë. Kështu lënda mësimore e dheshkronjës ishte bërë e dashur për nxënësit dhe ora mësimore kalonte shpejtë.
I zoti i shtëpisë, xha Mirushi, u ngrit në këmbë dhe i nderoi të pranishmit në odë, pastaj ua uroi festën kombëtare të flamurit. Profesorin e falënderoi duke e përqafuar.
– Të lumtë, profesor, ma ke zbukuruar shtëpinë! e përgëzoi xha Mirushi profesorin, pastaj iu drejtua të gjithëve. – Më ndihmoi fati që mikun tonë e takova në qytet, dhe ja tani kjo ditë u bë ditë kremte, ndonëse Dita e Flamurit është pasnesër.
Ndërkohë i biri i xha Mirushit, Valoni, doli jashtë për të vështruar rrugën në mos po kalonte patrulla policore. Shqetësimin e të birit e hetoi babai që ishte ulur nën ballinën e flamurit në krye të odës, nuk i erdhi mirë, prandaj ia tërhoqi vërejtjen të birit, që dikur kishte punuar drejtor në gjimnaz.
– Mjaft më me atë tutën tënde partiake! Tani të gjithë jemi njësoj para shkaut: si ti me librezë të kuqe, si profesori i dheshkronjës pa të. A e more vesh sesi djali i kryetarit të gjykatës komunale u kthye në arkivol nga Armata Popullore e Jugosllavisë, prandaj sot jemi pre e fashizmit serb, pa marrë parasysh veprimet tona. Askush nuk ka punuar më shumë se kryetari i gjyqit për pushtetin, megjithatë djalin ia kthyen në kufomë, – tha i zoti i shtëpisë, xha Mirushi, që tregonte se si durimit i kishte ardhur fundi.
Është vit i mbrapshtë i Jugosllavisë, që në gjendje shtetrrethimi me tanke ia hoqi kushtetutën Kosovës. Institucionet arsimore dhe fabrikat janë rrethuar nga forcat e shumta ushtarake e policore të Jugosllavisë serbe. Kosova është në heshtje varri dhe me ankth i pret kufomat e njëpasnjëshme të ushtarëve shqiptarë, që vriten prapa shpine gjatë shërbimit ushtarak. Në muzgun e mbrëmjes rrapëllojnë llamarinat, të cilat vendasit i godasin në shenjë revolte. Kjo rrapëllimë është me prejardhje, diku, nga fiset e largëta primitive, prandaj një veteran i luftës në çetën e Shaban Polluzhës, me të parë këtë skenë tronditëse, kishte thënë se nuk trembet shkau me potere të llamarinës, por me pushkë, këtë e kishte thënë duke luajtur gishtin e këmbëzës. Zonjat e shtëpisë mallkonin zbatimin e kësaj revolte të pakuptimtë; ato ankoheshin sesi kohët e fundit kishin mbetur pa govata për larjen e rrobave, meqë të rinjtë i mblidhnin të gjitha, dhe dilnin duke rrapëlluar porsi karnaval në rrugë. Tanimë nuk ka protesta të shqiptarëve kundër dhunës dhe shtypjes së egër serbe. Siç duket, ky lloj i gandizmit shqiptar i pëlqen Italisë, Rusisë, Greqisë – miq tradicionalë të Serbisë, pse jo edhe diplomacisë franceze. Ministri francez, Andre Malro, me dajak i kishte rrahur akademikët serbë përse kishin lejuar të valojë flamuri kuqezi në Kosovë. Kundërshqiptari francez i kishte udhëzuar serbët sesi duhet ndaluar edhe gjuhën shqipe, jo më mbylljen e Universitetit të Kosovës. Prandaj mjafton që një francez me autoritet t´i ndërsejë këta bisha serbofashiste, dhe këta menjëherë i hyjnë barbarizmës kundër shqiptarëve në të gjitha anët e Jugosllavisë. Kjo do të thotë që ministri, përndryshe bir i revolucionit francez për shkëlqimin e dinjitetit njerëzor, di t’i mësojë të tjerët si duhet pushtuar Kosovën, në vend se t’i mësojë shqiptarët se si duhet të çlirohet Kosova nga pushtuesi serb. Prandaj derisa Franca gjermanët i ka drejtuar kah bukuria e jetës, serbët i ka drejtuar kah kolonizimi i trojeve shqiptare për shtypjen dhe terrorizimin e popullit shqiptar.
Profesori i dheshkronjës mori qëndrim mbi gjunjë nën flamur, prej nga ngjyra e flamurit kuqezi reflektohej në fytyrën e tij; ngriti duart në drejtim të flamurit, dukej sikur fëmijëve donte t’ua fuste në zemër dhe pyeti:
– Fëmijë të dashur, a e dini si këndohet Himni i Flamurit Kombëtar?
Fëmijët ngritën supet në shenjë mosdije, duke shikuar me habi njëri-tjetrin. Këta për herë të parë e shikonin flamurin kombëtar pa njolla të fashizmit serb. Pastaj profesori filloi recitimin e strofës së parë të Himnit mbi Flamur:
 Rreth Flamurit të përbashkuar
Me një dëshirë e një qëllim,…
Kur i zoti i shtëpisë, xha Mirushi, dëgjoi këndimin e himnit kombëtar nga profesori, trupi i tij po vlonte prej vrullit atdhetar, dukej sikur ishte bërë moshatar me fëmijët, edhe pse ishte gjysh. Shkëlqimi i flamurit dhe recitimi i profesorit i dha shkreptimë zemrës së kryezotit të odës.
– Vëlla profesor, më lejoni që unë ta recitoj Hymnin e Flamurit, sepse po më vlon këtu, në zemër, – iu drejtua i zoti i shtëpisë duke mbështetur dy duart, njërën mbi tjetrën, në zemër. Plisi i bardhë i rrinte mbi brezin e rrudhur të ballit dhe pas pak me të dy gjunjët ulet në dysheme. Ishte po ajo paraqitje e tij kur gjatë luftës së dytë botërore e recitonte këtë vjershë të kushtrimit kombëtar para masës shqiptare dhe të pranishmit i dhuronin duartrokitje furishme.
Rreth Flamurit të përbashkuar
Me një dëshirë e një qëllim,
Të gjith´Atij duke iu betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikësohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!…
– Të lumtë xha Mirush, vetëm vazhdo! Me ëndje dua të dëgjoj shqiptimin tënd, meqë unë nuk di më shumë se strofën e parë të himnit kombëtar… Pastaj ti e ke përjetuar luftën, ku krahas pushkës shumë herë e ke kënduar himnin, – e përgëzoi profesori duke u paraqitur kinse nuk e dinte, mirëpo ai dëshironte që me ëndje ta dëgjonte shqiptarin me flokë të zbardhur se si e recitonte himnin që e kishte mësuar nga goja e mësuesit të tij të parë shqiptar, kurse profesori i dheshkronjës e kishte mësuar nëpërmes valëve të Radio Tiranës.
Pas përfundimit të himnit jehuan duartrokitjet e fëmijëve dhe të burrave në odë. Një fëmijë iu afrua dhe e puthi në faqe:
– Xha Mirush, ju lumtë! Na gëzuat me recitimin e bukur të himnit, që mësuesi im kurrë nuk e ka thënë.
– Unë, Hymnin mbi Flamur e kam mësue qysh kur isha fëmijë, nxënës në shkollën fillore, sikur ky nipi im. Atëherë mësuesi na qëllonte me shkop në duar, po qe se nuk e dinim përmendësh himnin. Mirëpo më vonë erdhën pushtuesit serbë, siç thotë populli, më i keq se i pari, dhe na e ndaluan flamurin kombëtar. Ç´prej asaj kohe, qe 45 vjet, asht hera e parë që e recitoj Hymnin… – tha kryeodari i emocionuar duke fshirë lotët e mallëngjimit.
– Më korite para shokëve, baba! – u ankua i biri, kurse të pranishmëve në odën e burrave u tha: – Nuk e kam ditur që babai kaq bukur e reciton Himnin e Flamurit. Kurrë nuk e ka recituar, kurse sot para shokëve dhe nipave po e reciton si aktor.
– Faji është yti… Ti nuk ke treguar interesim, prandaj edhe babai nuk të ka penguar. Drejtorët e shkollave kanë aftësi të flasin, mirëpo aftësinë për t’i dëgjuar të tjerët nuk e kanë, – ia priti mësuesi i vjetër, që ishte mik i xha Mirushit. Kjo është pengesë e konstruktit shoqëror, për shkak se urdhrat ju vinin prej së larti… prej organeve të pushtetit, ndaj drejtorët i zbatonin pa e dëgjuar zërin e masës. Po të pyeteshin mësimdhënësit dhe nxënësit, ti me shokët e tu nuk do të udhëtonit me qindra kilometra larg për të vizituar vorrin e Titos në Beograd. Përkundrazi, do të shkonit në Prizren për të vizituar Lidhjen Shqiptare, që është më afër se Beogradi, dhe më e domosdoshme për nxënësit shqiptarë, – kështu tha mësuesi, që dikur ishte larguar prej detyrës për shkak se nuk kishte pranuar të prekej flamuri shqiptar nga pushtetarët serbë. I tërë qyteti mbante në mend fjalët e mësuesit para shërbëtorëve të kuq: “Kush prek në flamur, prek në gjakun e popullit shqiptar!”
– Memorialin e Titos kemi qenë të detyruar ta vizitojmë meqë edhe komiteti paguante shpenzimet e transportit, – plotësoi ish-drejtori i gjimnazit.
– Komiteti ua ka paguar rrugën me djersën e punëtorëve të ndërtimtarisë, ku ne mezi merrnim vetëm një rrogë në fund të vitit, – ndërhyri një mik nga qoshja e fundit të odës, përndryshe punëtor në kombinatin ndërtimor “Ramiz Sadiku”.
– Përkundrazi, unë me të gjithë shokët e klasës në krye me mësuesin tonë e kemi vizitue shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, – përforcoi kryeodari, xha Mirushi. – Atëherë ishte kohë lufte dhe ne organizuem ekskursionin me qerre kuajsh, po ç’kuaj të fortë se, na dukej sikur fluturonim. Udhëtimin e kalonim duke kënduar dhe shumë shpejt mbërritëm në Prizrenin tonë të bukur. Gjatë udhëtimit mësuesi na thoshte se shkau nuk ka besë, prandaj duhet të jemi vigjilentë dhe të mos mashtrohemi me lajkat diplomatike të sllavëve. Serbët kur të shkelin të shkrumbojnë, kurse në konferencat evropiane kukasin si qyqet.
– Ashtu është, xha Mirush, …mu sikur qyqet vajtojnë. Janë gjakatarë të mallkuar që natën na vrasin, kurse ditën qajnë nëpër konferencat evropiane… – shtoi profesori i emocionuar.
– Ju lutem, profesor, a mund të shkruani edhe për ne Himnin e Flamurit? Dëshirojmë që edhe ne ta mësojmë përmendësh porsi xha Mirushi, – jehoi zëri i një vogëlushes nga fundi i odës.
– Me ëndje do ta shkruaj për juve, sepse ju jeni ardhmëria e botës shqiptare, – tha profesori që ishte duke menduar për rrugën plotë rreziqe për ardhjen e flamurit kuqezi.
Profesori menjëherë nxori fletoren dhe lapsin prej çantës së tij dhe filloi të shkruaj Himnin e Flamurit. Pastaj mori letrën e kuqe dhe vizatoi gjysmën e shqiponjës me laps të zi, të cilën e theu duke i bashkuar në dy pjesë të barabarta. Njërën faqe të gjysmë-shqiponjës së vizatuar e shtypi me shpinë të lapsit për kopjim. Tashmë fëmijët kureshtarë kishin rrethuar profesorin dhe të gjithë po vështronin me kujdes demonstrimin e tij. Ata herë e shikonin flamurin në mur, herë e shikonin shqiponjën në vizatim. Pas pak, profesori hapi letrën e kuqe dhe shqiponja e plotë doli në flamur. Në çastin kur profesori e hapi letrën e kuqe, fytyrat e fëmijëve po shndrisnin prej gëzimit, dukej sikur profesori po u dhuronte krahët e shqipes që të fluturonin.
– Të lumtë, mik i dashur! Ti me artin tënd të atdhedashurisë i përfitove zemrat e fëmijëve, – tha miku i kryeodarit, përndryshe mjek që posa ishte liruar nga kazamatet jugosllave.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …