leoni

Filip Shiroka (1859-1935) atdhetar poet dhe rilindës i njohur

FJALA EMOCIONUESE E FILIP SHIROKËS NË 8-VJETORIN E PAVARËSISË

Dokumente historike                                                           *

Shfaqjen e Shqiptarëve në Misir (Egjypt), deri vonë historia jonë e ka lidhur me kohën e sundimit të shqiptarit Mehmet Ali Pasha në atë vend, nën sovranitetin e Perandorisë Osmane. Por, akademiku sirian me prejardhje shqiptare, Muhamet Mufak Arnauti, në librin e tij ‘’Nga historia e Shqiptarëve të Egjiptit gjatë shekujve XV-XX’’, zbret në kohë shumë më të hershme të shfaqjes së shqiptarëve atje si ushtarakë e sundimtarë, duke nisur nga viti 1461, kur shtetin Mamluk, i cili përfshinte Egjiptin, Levantin dhe Hixhazin, e sunduan sulltanë me prejardhje shqiptare/arnaute Hashkaden dhe Demir Buga. Autori Mufak përmend një Ajas Pasha-n, i lindur në Vlorë, i cili në vitin 1571, si ushtarak mori pjesë në përmbysjen e shtetit Mamluk dhe vendosjen e Egjyptit nën pushtetin osman. Ky Ajas Pasha më vonë u emërua Vali në Egjypt. Pas tij  kanë qenë edhe  pesë (5) ‘’arnautë’’ tjerë vali të Egjyptit:  Sulejman Pasha, Muhamet Pashë Dukagjini, Sinan Pasha i Topojanit, Murat Husein Pasha Arnauti dhe Ahmed Pashë Arnauti.

Më të shumtët shqiptarët kanë shkuar në Egjypt, Siri e Irak, si ushtarë, tregtarë apo emigrantë  ekonomik, e më vonë edhe emigrantë politik, të cilët në ndërkohë, në bazë të meritave kanë zënë pozita të larta, sikurse është rasti me Mehmet Ali Pashën, dinastia e të cilit sundoi Egjiptin plot 147 vjet.

Por, për këta pashallarë, komandanta të ushtrive e sadrazema me prejardhje shqiptare, nuk kemi përse të krenohemi, sepse ata nuk bënë asnjë të mirë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Përkundrazi, falë atyre, një masë e madhe e shqiptarëve, qoftë si ushtarë të Perandorisë, qoftë si mercenarë, i lanë eshtrat nëpër frontet e luftës në Azi e në Afrikë dhe gjaku i tyre shkoi ‘’për lesh’’.

Ne duhet të krenohemi me ata shqiptarë, sidomos të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të cilët në emigracion formuan klube e shoqata shqiptare, botuan gazeta e libra, kultivuan gjuhën e zakonet dhe ndihmuan atdheun e tyre, kudo që ishin: Në Stamboll, në Sofje, në Bukuresht, në Kairo, Aleksandri e kudo gjetkë. Ata u munduan, sakrifikuan e dhanë gjithçka nga vetja për të mirën e atdheut dhe të popullit shqiptarë. Edhepse larg atdheut, ata jetuan me atdheun e për atdheun. Ndër kategorinë e atdhetarëve që punuan e jetuan për atdheun, ishin dhe rilindasit dhe aktivistët tjerë të klubeve e shoqërive shqiptare në Egjypt. Dhe ja një shembëll, se me çfarë enthusiazmi, gëzimi, dashamirësie dhe  emocionesh ata kremtonin  në Egjypt (1920),  28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Ditën e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, kremtim i organizuar nga Shoqëria ‘’Vëllazëria Shqiptare’’:

***

Zonja e Zotërinj,

Sikurse në këtë ditë, në mes të brohorisë të një popullit të gëzuar, sot tetë vjet Ismail Qemal Beu leçiti atje në Vlorë lirinë e plotë të Shqipëtarëve dhe ngriti Flamurin e bukur të Shqipërisë, sot ndër ato male dhe ndër ato fusha me gëzim të math kremtohet kjo ditë e bardhë, dhe i madh e i vogël, nën hie të lartë të Qeverisë Shqipëtare, dhe nën hie të uruar të Flamurit t’onë gëzon nj’atë qetësi të plotë, që po rrëfen udhën e bukur të qytetërimit dhe po premton, lindur nga larg nga ai popull i uruar që këndon e brohorit në kët ditë të bardhë, sot, neve Shqipëtarët e Misirit, mbledhur në Qark të Vëllazërisë s’onë po bashkohemi me vëllezërit t’Atdheut dhe po kremtoim këtu lirinë të Shqipërisë, kët Lirië që  prindia t’onë e kanë dëshiruar por nuk kanë pasur fatin e mirë me e parë me sy të tyre.

Kjo ditë, o vëllezër, është një ditë e madhe për ne e për mua, kjo ditë është m’e bukura ditë e jetës sime, m’e mira ditë e pleqërisë time, se sot, në kët ditë unë pata fatin e mirë me u mbledhur të tërë bashkë, për me kremtue për të parën e herës vëllezërisht lirinë e plotë të Shqipërisë s’onë.

Zonja dhe Zotërinj! Për ne që rroim në dhe të huaj kjo ditë vëllezërie është, mund të them, një Shqipëri e vogël e jona, sepse në kët vëllezërie jemi të tërë nji kombit, jemi të tërë nji gjakut, jemi të tërë vëllezër, jemi të tërë Shqipëtarë.

Unë u plaka, o vëllezër, por ju edhe mbas mejet mbanjë burrërisht këtë Vëllezëri se kjo është shtylla e bashkimit; duanie shoqi-shoqnë, se dashuria është fron i lirisë. Ata të pavdekurit vëllezërit t’onë, ata burra të pikatun që në fushat  t’ushtrisë kanë derdhur trimërisht gjakun e tyre për me themelue këtë Liri të shenjtëruar. Ata na thonë se Toskë e Gegë, Muslimanë dhe të Krishterë janë vëllezër, dhe të tërë, me një zë të rreptë n’a thonë: mallkue qoftë ai që sjell çarien në mesit të llauzit, ai që sjell ndarjen në mes të kombit!

U nuk besoj, o vëllezër, se në mes të Shqiptarëve që rroin në Misir, ka ndonjë njeri aq të poshtër që të dojë prishjen e kësaj Vëllezërie dhe të orvatet për çarien e saj, por edhe në qoftë se për fat të zi gjendet ndonjë që me fjalë, me fletore a me t’tjera mënyra të poshtërme mundohet me hupur kët vëllezëri, duke fëlliqur nderën e miseve të saj, u lutem mos u zemroni, se nderi i njeriut të drejtë doemos del në shesh.

Shikoni, u lutem, mbretërinë e natyrës: pranë barit të mirë që shëron, del edhe bari i keq që prishë shëndetin; pranë luleve që me erën e kandshme të tyre knaqin, del edhe ajo që qelbet; dhe ndër ata pyllët ku këndoin bylbylat, vajton edhe qyqja; por sikurse nj’ai bar i keq nuk ndalon frytin shëronjës të barit të mirë, dhe sikundër se vaji i qyqes nuk prish këngën e bylbylave, lëri qyqet të vajtojnë dhe leri bylbylat të këndoin; lere të keqen të flasi keq dhe lere Vëllazërinë t’a bëinë detyrën e mbarë të sajën; kombëtarët e vërtetë nuk topiten kurrë nga fjala e të keqit!

Vëllezër! Kët ditë të uruar kam nderin me u hapur kët Qarkun Shqiptar. Në qoftë se kjo Vëllezëri është si që thaçë një Shqipëri e vogël e jona, ky Qark është Vatra e ynë, vatra e juaj; këtu përpiqeni me fshatarët t’uaj, këtu shiheni me vëllezërit tuaj, këtu flitni gjuhën t’uaj, nj’atë gjuhë të ëmbël që keni mësuar në prehen të mëmave t’uaja.

Ky Qark pra u bashkon, ky Qarku u vëllezëron, ky Qark u çasë me i vjeftun njani tjatrit, ky Qark është vatra e Shqiptarëve.

U falëm nderës, o Zonja, u falëm nderës o Zotërinj, që me gaz jeni përgjigjur grishimit t’im dhe keni urdhëruar këtu për me kremtue këtë ditë të uruar; thoni pra, u lutem, thoni bashkë me mue:

  • Rroftë Shqipëria e lirë!
  • Rroftë e larta Qeveria Shqipëtare!
  • Rroftë e qoftë Sulejman Bej Delvina!

                                            

***

Ishte kjo fjala e rilindasit tonë të njohur, Filip Shiroka, e mbajtur në tubimin e shqiptarëve në Egjypt,  më 28 nëntor 1920, për të kremtuar 8-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Tubimin e kishte  organizuar  Shoqëria ‘’Vëllazëria Shqiptare’’, kryetar i së cilës, në atë kohë, ishte Filip Shiroka.

Atmosferën e atij kremtimi e kishte përshkruar bukur Jani Vruho në një letër që ia kishte dërguar librarit të njohur Ibrahim Shytit në Vlorë, ndërsa ky i fundit atë letër ia kishte dërguar  (më 17 dhjetor 1920) Don Mark Vasës, për ta botuar në gazetën ‘’Mbrojtja Kombëtare’’.

Në vazhdim, po e reprodukojmë  edhe Letrën e Jani Vruhos, dërguar Ibrahim Shytit:

Në Misir

Dita e së 28 Nëntor

Këjo e bekuar ditë sivjet më 1920, qe një ditë e pa parë sy Shqiptari as kurrë ndo një herë që kur se ka gatuar i Nalti këtë botë. Sot në këtë ditë Kllubi Shqiptar, në kryeqytetin t’Egjyptës, ngrijti Flamurin madhështor, shenjën trimnore të Skender Beut, për të parën herë! Kllubi pat grishur të gjithë Shqiptarët, pat organizuar çdo q’i duhej një së kremteje të këtillë ashtu siç i ka hije shqiptarit. Njerëzit kujdesës patën marrur masat e duhura për mos me u bërë ndo nj’e pa ngjarë.

Ora katër qe shënuar të mblidheshim, pas dreke. Buçitën Shqiptarët, Zotërinj e Zonja, djem e vajza me një rregull të pa shembëll, me nj’urtësi e pa tregueshme. Pleqësia e Vëllazëries me Kryetarin e tyre Zotin F.Shirokën ndë ballë, përpiqeshin me sa u mundësh t’i kënaqnin popullin, të mos mbetesh as një pa kënaqur. Djem, vajza, të mëdhenj e të vegjël, prisnin me padurim të hapurit e Mbledhjes.

N’ora pes’ e gjysmë Pleqësia e Vëllazëries zunë vendin e përgatitun dhe Zoti Kryetar hapi Mbledhjen me një fjalë të bukur e të këndshme, ku në një formëzim të fort pëlqyeshëm përshkroi të kremten istorike të Rilindjes Kombëtare si dhe çeljen e qarkut të Shqipëtarëve. Kjo ditë kurrë nuk qe parë ndë Shqipëtarët t’Egjyptës. Prandaj, të mëdhenj e të vegjël e pritnë me një duartrokitje të fortë dhe i dhanë falënderjet e përzemërta Zotit F.Shiroka, të cilat me të vërtetë i meritojën.

Po që të jemi të drejtë përpara Perëndisë e njerëzisë, të mos harrojmë edhe yllin e popullsisë s’anë të çkëlqyerin zotin Andon Çakon, i cili kamës, i dijtur, i çquar në Qarke të larta këtu n’Egjypt, shkon kohën e rron ndë më të hijëshmin e të shëndetshmin vend këtu në Kajro, po megjithatë këto të mira nuk e nginj gjë ,përveç të gjendet e të ndodhet ndë mes të Shqipëtarëvet! Të këtillë njeri popullor si Zotërin’ e ti un gjer më sot nukë kam parë n’aristokratët t’anë. Qarkun Shqiptar, nga ky zoteni e kemi më shumë, se ndryshe do të mos e kishim.

Lusim Zotin e Shqipërisë, t’i falnjë shëndetin, t’i mbaroj ç’i dëshiron zemta Zotit Çako dhe t’i japnë jetë të gjatë, të bënjë të këtilla e ca më të mira ndër Shqipëri, për të cilën i digjet zemra e kurrë s’e lëshon n’gojet. Lum kush bën detyrën e ti!

Shkurtër, gra e burra, të mëdhenj e të vegjë u suallën aqë fisnikërisht sa s’tregohet. Të huajtë lanë mendtë me të këtilla sjellje sa edhe ca kontrështarë të huaj u çuditn’ e u shtrënguan të përunjen e t’u qitnin shapkën zakoneve të Shqipëtarëvet. Nuk ua priste mendja e s’e besonin të çkëlqentej me atë mënyrë e kremtja Kombëtare jona.

Rrofshin e qofshin të gjithë ata q’u ndodhnë e kremtuan vëllezërisht, dhe Zoti u dhëntë mënt e ja marrtë atyre që nuk pranuan të vinin të nderonin të kremten e tyre për gjëra t’unjëta e të dobëta.

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Flamuri i Kombit!

                                                                                                                                                                                                                                                                                    J.P.Vruho

 

(Nga: ‘’Epistolari i Ibarahim Shytit në Vlorë’’, zgjodhi e përgatiti për ju:ADIL FETAHU )

Kontrolloni gjithashtu

Sali ONUZI: BRIGATA E XXIV NE ÇLIRIMIN E TIRANËS DHE TË SHKODRËS

Sali ONUZI: BRIGATA E XXIV NE ÇLIRIMIN E TIRANËS DHE TË SHKODRËS

Brigata e 24 e UNÇSH u krijua  me 4 tetor 1944 në Bicaj  me 560 …