leoni

Adem LUSHAJ: Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

“Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” dhe “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore – Si u tjetërsuan tokat e Komunës së Deçanit”, janë librat e promovuar në disa qytete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Promovimet, të mbajtura në Nju Jork, Uashington DC, Houston dhe Dallas, janë realizuar falë përkrahjes financiare të Fondacionit “Jalifat Publishing”, përkatësisht drejtorit Ramiz Tafilaj dhe kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Ftesës së atdhetarit Ramiz Tafilaj për promovimin e këtyre librave iu përgjigjëm së bashku me kryetarin Ramosaj dhe drejtorin e Administratës Komunale, Jashar Dobraj. Pas një udhëtimi disa orësh për në Nju Jork, aty na priste baca Ramiz dhe shumë bashkëvendës, përfshirë familje shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Për të na mirëpritur në aeroportin John F. Kennedy, kishte dalë ish-nxënësi im, Arian Aliçkaj, me babain e të cilit kishim punuar për shumë vite si mësimdhënës në shkollën e Irzniqit. Dauti (babai i Arianit), ishte vrarë nga kriminelët serbo-sllavë në prani të gruas dhe vajzës së tij.

I dekoruari me çmimin “Nderi i Kombit”, biznesmeni Rrustem Gecaj, edhe një herë tregoi se është një humanist dhe një atdhetar i përkushtuar. Ky burrë me djemtë e tij janë vlera për të cilat duhet të krenohet i gjithë kombi. Qysh në mëngjesin e hershëm, në hapësirat e hotelit ku ishim vendosur përkohësisht, na u bashkua Avdi Gecaj, një djalosh që mishëronte virtytet familjare dhe burrërore të babait të tij. Avdiu u vu në shërbim të shoqërimit tonë, ku ishim me bacën Ramiz, Bashkimin dhe Jasharin.

Vendosja e flamujve të Shteteve të Bashkuara dhe të Republikës së Kosovës në kulmin e shtëpisë së djalit të Rrustemit, Arbenit, kishte bashkuar shumë shqiptarë që ishin mbledhur për ta uruar pronarin e shtëpisë, i cili nuk të fshihte emocionet e gëzimit; Siç e do zakoni shqiptar, darka në konakun e Gecajve, ishte një darkë me ushqime dhe tradita shqiptare.

Në selinë e Federatës Panshqiptare “VATRA” ishin mbledhur bashkëkombës tanë, të cilët, përveç pritjes së ngrohtë, kishin shprehur interesim të madh për të mësuar më shumë për krimet serbe të kryera në Deçan dhe Junik, si dhe për të gjitha krimet e kryera në Kosovë. Interesim të ngjashëm treguan edhe për procesin e marrjes së tokave shqiptare nga Kisha Ortodokse Serbe, një tjetërsim i mundësuar nga politika ndërkombëtare dhe vendore, përmes vendimeve të ndikuara në institucionet e drejtësisë.

Në këtë promovim, të moderuar nga gazetari Sokol Paja, krahas shumë figurave të shquara shqiptare që kanë qenë të angazhuara në çështje kombëtare, ishte i pranishëm edhe Rrustem Gecaj. Pas fjalëve falënderuese nga Rrustem Gecaj, botuesi Ramiz Tafilaj dhe veprimtari Agim Aliçkaj, për jetën dhe zhvillimet në Deçan foli kryetari Ramosaj, i cili para të pranishmëve prezantoi prioritetet dhe mundësitë që ofron Deçani për zhvillimin e turizmit dhe sektorëve të tjerë ekonomikë. Si autor i këtyre dy librave, të pranishmit i informuam për krimet e kryera gjatë viteve 1998-1999, dëshmi të cilat janë prezantuar edhe në Tribunalin dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Gjithashtu, shpjeguam se si drejtësia e ndikuar nga politika kishte zbatuar vendimet diskriminuese të qeverisë së kryekriminelit Sllobodan Millosheviç.

Me këtë rast falënderojmë përzemërsisht kolegun tonë, korrespodentin e RTV21, Halil Mulaj, për promovimin medial të ngjarjes së mbajtur në selinë e VATRA-s, si dhe stafin redaktues të Gazetës DIELLI. Në këtë promovim, Rrustem Gecaj premtoi se libri që pasqyron krimet serbe do të përkthehet edhe në gjuhën serbe, krahas përkthimeve të mëparshme në gjuhët angleze dhe turke, për të informuar popullin serb mbi krimet e kryera nga qeveria e tyre.

Promovimi vijoi edhe në selinë e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Nju Jork, organizuar nga Ambasadori Blerim Reka dhe stafi i tij. Falënderojmë ambasadorin Reka, botuesin Tafilaj dhe drejtorin Dobraj, për fjalët e tyre të ngrohta dhe vlerësimin për punën tonë disavjeçare për të dokumentuar dëshmitë e viktimave dhe dëshmitarëve.

Mikpritja dhe bujaria shqiptare ishin të pranishme në çdo takim. Çdo shqiptar i informuar për prezencën tonë në Nju Jork, shprehte dëshirën për të na takuar, për të na pritur për drekë apo darkë. Vëllezërit Përparim dhe Nderim Mulukaj, djemtë e rapsodit të njohur Enver Muluka, na pritën me ngrohtësi duke na thënë: “Mirë se keni ardhur, ndjehuni të lirë në konakun tonë!” Takime mbresëlënëse patëm gjithashtu me shumë mërgimtarë të tjerë, duke e bërë çdo moment të paharrueshëm dhe përplot emocione.

Rrugëtimi për në Uashington ishte i një rëndësie të veçantë, duke pasur në agjendë takime dhe vizita në institucione shtetërore, të planifikuara nga Besa Tafilaj Pinchoti, vajza e bacës Ramiz, drejtoreshë ekzekutive e “Shoqatës së Familjeve të Ushtarakëve të ShBA-ve”, një nga organizatat më të mëdha amerikane.

Një moment kyç i vizitës ishte vizita në Bibliotekën e Kongresit Amerikan (“Library of Congress”), një nga institucionet më prestigjioze në botë, e ndërtuar në vitin 1800 dhe që mban emrin e Thomas Jefferson-it. Vendosja e librave në raftet e kësaj biblioteke ishte një arritje e madhe, duke siguruar që dëshmitë mbi krimet serbe në Deçan të jenë në dispozicion të lexuesve, përfshirë kongresistët amerikanë. Veçanërisht domethënëse ishte përfshirja e librit që dokumenton krimet ndaj popullsisë së Deçanit dhe Junikut, në raftet e dedikuara për autorët nga Kosova, krahas botimeve nga vendet e tjera të botës, duke nderuar sakrificat e të rënëve për lirinë e Kosovës.

Sabile Pahuri, menaxherja shqiptare e Arkivës për Ballkanin në Bibliotekën e Kongresit, theksoi rëndësinë e madhe të përfshirjes së librave të autorëve shqiptarë në këtë bibliotekë, ku ndodhen libra dhe dokumente në 272 gjuhë të botës. Ajo përmendi se në këtë bibliotekë janë të vendosur edhe libra të përkthyer nga botuesi Ramiz Tafilaj, si: “KOSOVA I-VII” nga Jusuf Buxhovi, “KRIMET SERBE NDAJ PERSONELIT MJEKËSOR DHE PACIENTËVE NË QKUK” nga Salih Krasniqi, “LUFTA E NDYRË E SHËRBIMIT SEKRET JUGOSLLAV” nga Bajram Mehmeti dhe “DIELLI LIND EDHE NË PERËNDIM” nga Njazi Tafilaj.

Një nga momentet më të veçanta të vizitës ishte takimi me leitnant major Mario Marquez, drejtor ekzekutiv i Legjionit Amerikan (American Legion), një organizatë e themeluar pas Luftës së Parë Botërore për të mbrojtur interesat e veteranëve ushtarak dhe familjeve të tyre. Mario Marquez, një oficer i marinës amerikane që kishte shërbyer edhe në Kosovë, gjatë një dreke të organizuar për deçanasit dhe gjatë një takimi në zyrat e Legjionit, premtoi të vizitojë Kosovën për të parë nga afër përparimin dhe rindërtimin e saj.

Takimi në zyrat e Legjionit Amerikan ishte një mundësi e shkëlqyer për të prezantuar para Marques dhe stafit të tij krimet e kryera nga forcat serbe gjatë viteve 1998/99 në komunën e Deçanit. Kryetari Bashkim Ramosaj e ftoi Marques për ta vizituar Deçanin dhe për të parë nga afër pasuritë natyrore dhe turistike të Bjeshkëve të Nemuna. Marques, në fjalët e tij përshëndetëse, shprehu mirënjohje të thellë për Besa Tafilaj Pinchoti dhe për bacën Ramiz, duke theksuar: “Ju lutem, mos harroni se e keni një mik në Amerikë.”

Vizita në Uashington la mbresa të thella, duke kontribuar në përforcimin e lidhjeve me miq dhe institucione të rëndësishme amerikane.

Largimi nga Uashington D.C. u shënua me vlerësime pozitive për arritjet dhe përmbushjen e qëllimeve të vizitës. Një falënderim i veçantë i takon Besa Tafilaj Pinchoti, e cila jo vetëm organizoi agjendën tonë, por u kujdes edhe për akomodimin në hotelin prestigjioz Sheraton Pentagon, duke na ofruar gjithçka me një bujari të jashtëzakonshme. Pritjet e ngrohta dhe kujdesi i Besës, një këshilltare e respektuar në Presidencën Amerikane, lanë mbresa të pashlyeshme.

Rrugëtimi për në Houston nisi me emocionet e përjetimeve nga pritjet e jashtëzakonshme në Uashington dhe ndalesa në Dallas, ku komuniteti shqiptar është një nga më të organizuarit në Amerikë. Baca Ramiz dhe bashkëshortja e tij, Diana, ishin mikpritësit tanë kryesorë, të njohur për derën e tyre gjithmonë të hapur, një traditë që kanë ndjekur për dekada duke ndihmuar studentë shqiptarë, specializantë dhe studiues të ndryshëm. Në Houston na pritën gjithashtu Flamur Mekaj dhe Hasim Cacaj, me dyert e shtëpive të tyre të hapura për të ndarë momentet e këndshme me ne.

Në këtë qytet të bukur të Texas-it, gjetëm edhe Umut Korkmaz, një mik i familjes Tafilaj dhe i Deçanit, i cili na shoqëroi nëpër vendet më të veçanta të Houstonit. U vizituan bukuritë natyrore të Galveston-it, ku peizazhet e Gjirit të Meksikës ofruan një përvojë të mrekullueshme për të gjithë ne.

Takimi me komunitetin shqiptar në Dallas-Texas, përkatësisht në Qendrën Kulturore Shqiptare në Dallas ishte një moment i veçantë. Për pritjen tonë u kujdes kryetari i komunitetit shqiptar në Texas, Visar Visoka, së bashku me Bordin drejtues, bashkatdhetarë të shumtë dhe nxënësit e shkollës shqipe në Dallas, me mësimdhënëset e përkushtuara të cilat punojnë vullnetarisht për t’u mësuar fëmijëve shqipen dhe kulturën e tyre kombëtare. Përkushtimi i komunitetit për ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare është një shembull frymëzues për gjithë mërgatën shqiptare. Në klasat e mësimit plotësues, abetaret e gjuhës shqipe mbi tavolina ishin të njëjta me abetaret e unifikuara mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke ruajtur autenticitetin e procesit mësimor, njësoj si në vendlindje.

Në sallën e takimeve, ku ishin tubuar bashkëkombësit tanë, u zhvillua promovimi i librave “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” dhe “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore”. Fjalimet e kryetarit Bashkim Ramosaj, botuesit Ramiz Tafilaj, veprimtarit Jashar Dobraj, dhe autorit të librave u pritën me interesim të madh nga të pranishmit. Takimi u drejtua me modesti nga kryetari i komunitetit, Visar Visoka, i respektuar për përkushtimin ndaj komunitetit. Ish-kryetarët e qendrës, Nazar Mehmedi dhe Bruno Ceka, ishin gjithashtu të pranishëm, duke kontribuar në këtë ngjarje të rëndësishme.

Momente emocionuese nuk munguan, si takimi me Diellzën, vajza e Imer Nurqës, e cila mbante librin ku përmendej babai i saj, i vrarë në Carrabreg të Deçanit. Një tjetër moment prekës ishte takimi me Andi Tafilaj, i lindur dhe rritur në SHBA, që punon si kompjuterist në stacionin prestigjioz ABC Neës. Për Andin, ky ishte takimi i parë me bacën Ramiz, një ndjenjë që e emocionoi deri në lot, duke e deklaruar me krenari: “Jam krenar që jam shqiptar!”

Gjithashtu, njohëm Gëzim Dibrën, një student nga Shkodra që studion dhe punon në SHBA. Gëzimi shprehu interes të veçantë për librat, duke theksuar: “Ky libër do më ndihmojë të kuptoj më mirë atë që ka ndodhur në Deçan gjatë viteve 1998/99”. Përkushtimi i tij për të ruajtur lidhjet me vendin e origjinës ishte frymëzues.

“Po, kam dëgjuar për Kosovën, për atë çfarë ka ndodhur atje. Më ka treguar një shoqe nga Ferizaj me të cilën kemi studiuar në Zagreb”, na thotë një vajzë amerikane  e cila na dëgjoi duke folur shqip, duke bërë që t’ia dhurojmë njërin nga ekzemplarët e librit në gjuhën angleze. Ky moment tregon sesa e përhapur është njohuria për Kosovën, edhe përtej kufijve. Takime të tilla të rastësishme nuk janë vetëm shenja të kujtesës historike, por edhe mundësi për të ndarë të vërtetën dhe për të rritur ndërgjegjësimin. Gjestet si dhurimi i një libri tregojnë fuqinë e dialogut kulturor dhe rëndësinë e përhapjes së fakteve mbi të kaluarën e vështirë të Kosovës.

Këto takime dhe pritje ishin dëshmi e frymës së bashkëpunimit dhe krenarisë kombëtare, duke forcuar lidhjet me diasporën dhe duke pasqyruar historinë e Kosovës përmes rrëfimeve autentike. U kthyem nga Houstoni, Dallasi, Uashingtoni, Nju Jorku,…të frymëzuar për punën e mëtutjeshme për dokumentimin e krimeve serbe. U përshëndetem me bacën Ramiz, duke na uruar udhëtim të mbarë e me shpresën që së shpejti të kemi edhe vizita dhe promovime tjera.

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …