Sipas marrëveshjes paraprake, Elezi dhe Ali Mullini na kanë përcjellë në relacionin tanimë të përditshëm, Krojmir Nekovc. Ata vijnë për të na marrë në mbrëmje rreth orës 18.00.
Rruga nëpër Grykën e Gashit është mjaft e vështirë për ta depërtuar këmbë, tani kur bora është e butë dhe nuk të lejon të ecësh. Ecim me vështirësi meqë kemi veshur rroba të trasha nga frika se mos po mërdhijmë kur të ktheheni në orët e mbrëmjes.
Në shtëpinë e Nezir Zogut, një mik i kushëririt tim, ku tani janë vendosur strukturat udhëheqëse politike dhe ushtarake të Shtabit, takojmë Sokol Dobrunën dhe anëtarë të tjerë të Shtabit. Meqë ata janë në një mbledhje unë e Berati rrimë te stufa dhe kujdesemi të shtiem sa më shumë drunj që të mos mërdhijmë. Ndonjë punë tjetër me siguri se nuk kemi, por ja që sorollatemi kot, duke pritur…
Jakup Krasniqi duket shumë i zënë me punë. Atij duhet ndihmuar, por ja që ai këtë nuk e kërkon, të paktën nuk e kërkon nga unë dhe Berati, edhe pse jemi në gjendje t`i ndihmojmë në çdo aspekt. Nuk e di shkakun as dua ta di por jam më se i bindur se do të mund t`i ndihmonim më shumë se kushdo tjetër. Mjerisht kështu vetëm bëjmë rrugën kot... Tre rreshta të koduar
Si zakonisht pasi është errësuar, me Isë Krasniqin dhe Berat Luzhën nisemi nëpër Grykën e Thatë, tanimë të mbuluar me dëborë. Në rrugë takojmë Idriz Hysenin dhe ushtar Dalipin. Ata kanë bërë përpjekje për të depërtuar me xhip por kanë sharruar nën rrugë. Presin mos kalon ndonjë traktor në mënyrë që ta nxjerrin xhipin.
Në vendin e caktuar na presin Elez Durmishi dhe Ali Mullini, luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, gjithnjë të saktë, gjithnjë vigjilentë, gjithnjë në nivel dhe në krye të detyrës. Këtu është shpresa e fitorës.
Vendosmëria e këtyre dhe ushtarëve të tjerë bën që t`i durojmë të gjitha, madje edhe këta që na shëtisin poshtë e lartë dhe nuk janë në gjendje të na caktojnë asnjë punë…