Recension NJËJTËSIM I DETAJUAR I FAKTEVE DHE DËSHMIVE PËRMES LUFTËS SË UÇK-SË Murtez Neziraj
“SI E PASHË LUFTËN (DITAR DHE KUJTIME) vëllimi II, prej 11 prillit 1999- 2 maj 1999” Katër vëllimet e ditarit “SI E PASHË LUFTËN (DITAR DHE KUJTIME)”, Vëllimi II (prej 11 prillit 1999 – 2 maj 1999) e profesor Murtez Nezirajt, SHB “SAS”, Prishtinë, 2024, ashtu sikur e tërë veprimtaria e tij, janë pasqyra më besnike, realiste dhe më e çmuara që kanë të bëjnë me luftën e UÇK-së. Në këtë drejtim, duke shpalosur ditarin e prof. Nezirajt mund të shihet rruga e mundimshme, e përgjakur por krenare e shqiptarëve në trojet e veta deri në fund të shekullit XX. Autori jep pasqyrë të çiltër për shkaqet, për luftën që u zhvillua deri në përfundimin e saj. Vëllimi që po i jepet në dorë lexuesit, është i dyti në serinë e katër vëllimeve të ditarit të luftës “Si e pashë luftën” të luftëtarit të lirisë prof. Neziraj, pas vëllimit të parë, që u botua në fund të vitit të kaluar, 2023, po nga e njëjta SHB. Ky vëllim i plotëson dhe zgjeron më tej aktivitet luftarake të prof. Neziraj, duke përfshirë periudhën prej 11 prillit 1999 deri me 2 maj 1999. Autori Neziraj vazhdon me kriteret e njëjta, si në vëllimin e parë. Gjatë përpunimit të materialit, në mënyrë të drejtë, analitike dhe sintetike, autori i zbardh ato dhe lexuesit i parashtron një mori faktesh dhe arsye për luftën heroike gjigante, të pareshtur të popullit shqiptar, duke pasqyruar veprimet historike, shoqërore, politike, të sigurisë dhe ato ushtarake. Është një vepër monumentale dhe lapidare, në të njëjtën kohë, sepse përmban brenda një pasqyrë historike, reale, dokumentare të epokës së UÇK-së, më të rëndësishme të jetës dhe historisë sonë kombëtare. Me metodologjinë shkencore autori ka bërë të mundur që në këtë vepër të shihen veprimet, dhuna, gjenocidi i forcave okupuese serbe ndaj popullit shqiptar. Po ashtu, duhet theksuar se krejt kjo përcillet me parashtrim të drejtë dhe pa emocione të veprimeve të UÇK-së, si në organizimin dhe përgatitjen e saj, po ashtu edhe veprimet gjatë operacioneve ushtarake e luftarake të mbështetura në fakte dhe dokumente origjinale. Gjatë shkrimit të tij autori iu kthehet ngjarjeve para luftës, gjatë robërisë e sidomos gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, falë mbajtjes së shënimeve në mënyrë kronologjike, ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji. I pajisur me dije, me qëllim për t’iu lënë brezave një trashëgimi të një realiteti objektiv, që ka ndodhur në kushte dhe rrethana të ndërlikuara të së kaluarës sonë, i pasqyruar nga këndi i tij ashtu siç i ka parë vetë autori, meqë prof. Neziraj ishte edhe pjesëmarrës në luftë. E kam thënë në vëllimin e parë dhe prapë po e them në vazhdimësi, se të shkruash për ditarin e bashkëluftëtarit tonë Profesor Murtez Neziraj, nuk është punë e lehtë, por nuk është edhe e mundimshme, sepse lënda që profesor Neziraj i ofron lexuesit dhe studiuesit është brumë i ardhur shumë mirë, me të cilin mund të gatuhet gjithçka që ushqen trurin dhe mendjen, andaj edhe ia vlen, sepse në radhë të parë përfiton si lexuesi edhe vlerësuesi i veprës së tij. Bazuar në praktikat shkencore, profesori, ligjëruesi, mësuesi…të tillë mbesin tërë jetën, pra i tillë ka mbetur bashkëluftëtari ynë prof. Murtez Neziraj, sepse natyra krijuese e ka pajisur me të gjitha dhuntitë, virtytet, aftësitë, e mbi të gjitha me idealizmin e njeriut të vënë me krejt qenien në shërbim të popullit në edukim, arsimim në hapjen e rrugëve që çojnë në dituri, përparim, zhvillim, emancipim kombëtar e njerëzor e deri te lufta çlirimtare dhe çlirimi. Për karakterin shkencor të kësaj vepre ndikojnë këta faktorë: përvoja dhe përgatitja intelektuale e profesorit; shfrytëzimi i literaturës së begatë nga ana e autorit për historinë e kombit shqiptar nëpër periudha të ndryshme. Të gjitha këta faktorë kanë ndikuar që autori prof. Neziraj të na dhurojë një vepër të përkryer në aspektin e ndërtimit shkencor, siç është ky ditar i luftës. Autori shpreh njohuritë teorike që janë primare, strukturën e shtrirjes së narracionit shkencor në formën paralele, shtresore, rreth pas rrethi, duke i gërshetuar temat njëra me tjetrën dhe njëra pas tjetrës, për të arritur vazhdimisht interesimin që ta lexojnë veprën me të njëjtin interesim gjer në fund. Për vlerat shkencore janë me rëndësi edhe dy faktorë: një tekstual dhe një i psikologjik i krijimit të veprës shkencore. Ditari, në rrafshin tekstual, i imponohet lexuesit edhe nga aspekti i gjuhës, drejtshkrimit, që është sipas standardit të gjuhës letrare dhe i sintaksës me radhitjen e fjalëve të bashkërenditura e të nënrenditura, që e stimulojnë lexuesin për një lexim të këndshëm dhe jo të lodhshëm. Ndërkaq, aspekti psikologjik shkencor ka të bëjë jo vetëm me qartësimin dhe saktësimin e mendimeve, por edhe me qëndrimin shkencor të autorit ndaj shkencës që nuk e preferon subjektivizmin shkencor, egon dhe egocentrizmin, por që dhe refuzon apriori çështje të caktuara, meqë preferon objektivizmin shkencor, frymën tolerante, mundësinë e diskutimit e të ndarjes së mendimeve me të tjerët, citimin e tërësishëm të ngjarjeve të prezantuara, me qëllime pozitive, parimore dhe objektive dhe interpretimin e tyre nga këndvështrimi i vet, që i jep masë edhe polemikës, diskutimit, analizës dhe qasjeve të ndryshme. Këto autori i diskuton qe 25 vite me bashkëluftëtarë, por edhe me qytetarë. Edhe pse kemi të bëjmë me një vepër mjaft voluminoze, mirëpo stili narrativ ditë pas dite, me interesim në të shënuar dhe gjurmuar gjithçka që ka pasur të bëjë me ngjarjet kryesore, që ka regjistruar, veçmas mbetem i fascionuar me energjinë e pashtershme të autorit, me interesimet për të shënuar deri në detaje të vogla. Edhe vëllimi i dytë, ashtu sikur vëllimi paraprak, i këtij projekti madhor, është i stërmbushur me ngjarje ditore nga 11 prilli 1999 deri më 2 maj 1999, me prezantimin dhe komentimin e tyre, me pasqyrimin objektiv të rrethanave, me vënien në spikamë zhvillimet e betejave, qëndresën e njësiteve të Brigadës 162 ”Agim Bajrami”, rënien heroike të dëshmorëve të kombit, qëndresën dhe sakrificën e popullit shqiptar, duke i pasqyruar dhe duke i interpretuar me një aftësi të jashtëzakonshme, me gjuhën e pasur e të kuptueshme për lexuesin dhe me interes të veçantë për studiuesit, kritikët komentuesit dhe historianët. Duke regjistruar çdo ngjarje me interes të përditshmërisë, në ditarin e tij, profesor Neziraj merret me trajtim të çdo aktiviteti ditor në ambientet ushtarake apo edhe zhvillimeve në vijën frontit, për të thënë, për ta shkruar a për ta dëshmuar të vërtetën dhe pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës. Profesor Neziraj me këtë vepër e ka ngritur në piedestalin më të lartë luftën dhe heronjtë e saj, të gjallë dhe të vdekur (rënë). Është kjo vepër shumëdimensionale dhe e rrallë për kah arritjet shkencore. Ky libër është një studim i mirëfilltë shkencor, meqë kërkon guxim shkencor që të bësh analiza e të nxjerrësh përfundime, meqë këtë autori e bën nëpërmjet një studimi të thelluar historik, me mbështetje në literaturë, kapacitetet intelektuale dhe qartësinë e problemeve që trajton, duke e pasuruar këtë periudhë me kujtimet e tij dhe me përfundimet vetanake rreth kësaj problematike. Studiuesit e ndryshëm, si edhe historianët, në këtë vepër, do të gjejnë atë që duhet rreth bërjes dhe sigurisë së shtetit dhe si janë konceptuar e përdorur forcat çlirimtare në këtë periudhë historike. Në veprën në fjalë, në mënyrë të drejtë, është shprehur kujdesi për të pasqyruar drejtimin dhe komandimin me njësitë e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Në këtë punim vend të duhur zë shprehja e autoritetit të eprorëve të strukturave të UÇK-së në të gjitha nivelet, të cilat me shembullin personal e ngritnin moralin dhe stimulimin e trimërisë dhe angazhimin për kryerjen e detyrave individuale dhe kolektive, për të arritur realizimin me sukses të misionit të UÇK-së. Në këtë luftë, paralel me kryerjen e detyrave, zhvillohet edhe komponenti edukativo-arsimor ushtarak dhe patriotik, gjë që këtë rol të rëndësishëm ka pasur edhe autori profesor Neziraj. Ky punim, i ndërtuar në bazë kronologjie, me një mënyrë të sinqertë të rrëfimit, përshkruan dhe shpjegon jo vetëm në bazë autobiografie, por nëpërmjet të saj edhe frymën e kohës, dramën nga afër, me fragmente të historisë, atë që i ka përjetuar, parë, regjistruar, që nga dita e parë e luftës. Do të jetë ky libër përkrahës për studiuesit që i qasen periudhës kulminante 1998-1999, të veprimtarisë së bujshme të UÇK-së. Është për çdo respekt vullneti i prof. Nezirajt që ky ditar, i shoqëruar edhe me ilustrime përcjellëse, të mbetet si përkujtesë për gjeneratat, në vazhdimësi. Shumë njerëz: krijues, shkencëtarë, politikanë, ushtarakë, shkrimtarë janë dëshmitarë të kohës së tyre dhe gjithsecili ka dëshminë e tij, por ato dëshmi jetojnë, ndikojnë dhe mbesin vetëm kur shkruhen, kur botohen, kur u jepen lexuesve dhe kur i mbesin së ardhmes. Këtë mirë e ka kuptuar bashkëluftëtari ynë profesor Murtez Neziraj dhe na e ka dhuruar këtë vepër madhore, dëshmi të kohës, më të lavdishme, në katër vëllime. Mesazhi i librit del vetvetiu nga thellësia e rrëfimeve. “Për të guximshmit në paqe apo në luftë, gjithmonë gjenden mënyra për t’i shërbyer një interesi të lartë, të përgjithshëm, ndërsa të pavendosurit dhe të paguximshmit gjithmonë do të gjejnë arsyen për mungesën e tyre…” – kështu thoshte edhe bashkëluftëtari ynë, tani hero i kombit Feriz Guri. Duke e lexuar këtë ditar të prof. Nezirajt lexuesi do të kthehet edhe një herë ta përjetojë, sadopak, historinë tonë më të re: historinë e përjetuar nga këndi personal, të një ushtari të lirisë, i cili tërë misionin e vet e vuri në shërbim të kombit e atdheut. Profesorit, njëherit bashkëluftëtarit tonë, i uroj shëndet, jetë të gjatë si dhe publikimin e vëllimeve të tjera, në vazhdimësi, po ashtu edhe sa e sa vepra të reja! Profesor, urime!
Kolonel Hajrush Kurtaj, fillimisht ushtar i lirisë, zëvendëskomandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i shtabit në komandën e Zonës së Gjashtë të TMK-së, ish drejtor i departamentit për Bashkëpunim Civilo Ushtarak në MM, aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës