Sot kemi festë të trefishtë kombëtare.
28 Nëntori është Dita e Flamurit dhe Shpallja e Pavarësisë në Vlorë, nga Kuvendi i Këshillit Kombëtar, kryesuar nga Ismail Qemali. 28 nëntori i vitit 1955 shënon datëlindjen e kryekomandantit të UÇK-së Adem Jashari, ndërsa 28 nëntori i vitit 1997, shënoi daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në nderim të kësaj feste të trefishtë kombëtare, eprori Naim Ismajli me një ekip ushtarësh ka organizuar një manifestim kulturor në Shtabin Lokal të Pjetërshticës. Manifestimi do të mbahet në orën 17.00.
Ndërkohë kanë ardhur edhe disa veprimtarë dhe familjarë të ushtarëve.
Nga Shtmja ka ardhur Nazmi Iballi. Ai i solli të hollat me të cilat ashtu sikurse jemi marrë vesh do t`i blejmë uniformat për shumë ushtarë tanë të cilët ende nuk kanë veshë mbathje të duhur.
Isë krasniqi dhe Naim Ismajli kanë përgatitur në kompjuter disa pankarta të cilat së bashku me flamurin kombëtar janë vendosur në Shtabin e UÇK-së në Pjetërshticë. Ndërkohë së bashku me Naim Imerin, lidhja jonë me e sigurt sidomos me Prishtinën, kanë ardhur edhe Myrvete Hoti, motra e profesor Ukshin Hotit, pastaj gazetari i Botës së Re Nuhi Paçarrizi, Afrim Morina, Skënder Hoti e të tjerë.
Gjetë tërë ditës kemi pasur vajtje ardhje të pandërprera. Kanë ardhur edhe shumë familjarë të ushtarëve.
Në orën 16.00, Reshat Gashi erdhi për të na lajmëruar se duhej të niseshim për në Pjetërshticë. Jemi rreshtuar ashtu si kemi mundur në xhip, të cilin e nget Reshati.
Para Shtabit vërehet një atmosferë e vërtetë festive. Flamuri është ngritur lart, pikërisht në vendin ku në fillim të korrikut është bërë edhe betimi i parë i luftëtarëve tanë.
Ushtarët kanë zënë vendet e tyre dhe qëndrojnë gatitu.
Ne parakalojmë afër tyre dhe ngjitemi lart në sallën ku janë tubuar shumë ushtarë, nxënës, familjarë dhe studentë. Pasi ulemi në radhën e parë, Naim Ismalji shpall të hapur manifestimin me rastin e festave kombëtare.
Një fjalë rasti para të pranishmëve e lexon Hasan Avdyli ushtar nga Caraleva, pastaj një fjalë të shkurtër para ushtarëve dhe të pranishmëve e them unë, Berat Luzha lexon një poezi, ndërsa një fjalë përshëndetjeje e thotë edhe motra e Ukshinit, Mirvete Hoti-Kosumi.
Ka vazhduar pastaj pjesa tematike kulturore. Disa luftëtarë këngëtarë kanë kënduar këngë për kryekomandant Adem Jasharin dhe këngë të tjera. Paraqitja para publikut e Galanit, eprorit Idriz Shala nga Dukagjini përcillet me ovacione dhe shpërthim të papritur jehone. Ai si zakonisht këndon këngën humoristike për Ibrahim Rugovën dhe për azganin rrahagjokës, Salih Berisha.
Në fund të pjesës tematike një fjalë përshëndetëse e thotë edhe Luani, i cili erdhi me vonesë.
Pasi jemi kthyer nga Pjetërshtica, zi zakonisht jemi ndalur në odën e Sylë Qeriqit. Përveç mysafirëve nga Prishtina kanë ardhur edhe Fatmir Xhelili, Hilmi Ramadani, Nusret Gashi e shumë të tjerë. Pas darke, Berat Luzha para të pranishmëve foli lidhur me nevojën e ngutshme të ndërprerjes së çdo aktiviteti partiak në zonat të cilat ende nuk janë përfshirë në luftë.
Konsolidimi i radhëve rreth UÇK-së do të jetë përgjigjja më e mirë kundër okupatorit, është mendimi i shumicës.
Disa nga mysafirët mendojnë se aktiviteti partiak nuk duhet të shuhet por duhet të orientohet drejt UÇK-së.
Kemi biseduar deri në orët e vona të natës…