SHKOLLA VERORE “BLETA 2016” PËRMBYLLI JAVËN E PARË ME SUKSES DHE AKTIVITETE TË SHUMTA

Me organizim të Drejtorisë Komunale të Arsimit, të hënën ka nisur veprimtarinë Shkolla Verore “Bleta 2016” dhe hapjen solemne e bëri udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti. Ai tha se zyrtarisht bënë të hapur edicionin e dytë të Shkollës Verore “Bleta 2016”, ku brenda dhjetë dite do të ndjekin mësimet e tyre mbi 100 nxënës të dalluar të shtatë shkollave të mesme të ulëta të komunës së Shtimes. Në vazhdim para nxënësve dhe prindërve të tyre, Sahiti tha se përmes kësaj shkolle do të ofrohet një eksperiencë e paharrueshme arsimore për fëmijët tuaj, ku nxënësit në fjalë, do mësojnë lëndë të ndryshme me mësimdhënës, të cilët kanë eksperiencë pedagogjike.

Në hapje të shkollës verore, foli edhe koordinatorja, e cila udhëheq me këtë projekt, znj. Roberta Bajrami, mësimdhënëse në Kolegjin AAB. Ajo fillimisht foli për rolin dhe rëndësinë e inovacioneve, ku njoftoi nxënësit për rëndësinë e tyre në lëndët: Matematikë, gjuhë shqipe, gjuhë angleze, art figurativ dhe informatikë. Pas përfundimit të ligjëratës interaktive, nxënësit vazhduan me aktivitetet e edukatës fizike dhe sportit.

Në vazhdën e aktiviteteve të kësaj shkolle, të mërkurën në vizitë ishte psikologu Visar Sadiku dhe ekipi nga Sos Fshati i Fëmijëve. Psikologu në fjalë mbajti një ligjëratë për personalitetet e fëmijëve, si duhet të veprojmë me fëmijët që janë hiperaktivë dhe ata të cilët janë më të qetë.

Ndërkaq, të enjten fëmijët vizituan Shtëpinë e Kulturës, ku aty u mirëpritën nga përgjegjësi i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Selim Zeqa, i cili së pari njoftoi fëmijët për ambientin e Shtëpisë së Kulturës. Pastaj, Zeqa vazhdoi me mbajtjen e një ligjërate për teatrin dhe në ndërkohë nxënësit shikuan filmin e Steve Jobs-it, i cili ka të bëjë me inovacione. Pas përfundimit të filmit, Zeqa së bashku me koordinatoren e projektit, znj. Bajrami bënë debat me nxënës rreth inovacioneve dhe punën e Steve Jobs-it. Përveç tjerash, nxënësit kanë dhënë mendimet e tyre se si do e shohin telefonin në të ardhmen.

Gjatë ditës, Shkolla Verore “Bleta” është vizituar edhe nga Drejtori Komunal i Arsimit, z. Hajrullah Ademaj, i cili së bashku me zyrtarë të DKA-së bënë debate me nxënës dhe shikuan për së afërmi punën javore të nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit udhëheqës të shkollës. Ai para nxënësve të pranishëm tha se nga plan-programet e kësaj shkolle, ju do të fitoni njohuri në edukimin gjuhësor shqip dhe anglisht, matematikë, edukim fizik, vallëzim, drejtshkrim, teknologji informative dhe komunikim, punë dore, vizatim dhe inovacione tjera, tha në mes tjerash drejtori Ademaj. Më pas nxënësit të shoqëruar nga mësimdhënësit e tyre kanë vizituar bukurit natyrore të komunës së Shtimes, ku bënë shëtitje dhe rekreacion në natyrë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …