Flet Presidenti i Shtëpisë Botuese, “Westprint”, Eduard Vathi: Rinia është më shumë e lidhur me tabletin, internetin, celularin se sa me librin
-Shteti duhet të përkrah dhe të stimoljë autorët vendas sidomos ata të rinj
-Kemi autorë shumë të mirë por i mbyt reklama e autorëve të huaj, në botë ndodh ndryshe
– N.q.s ke libra në shtëpi, ke një pasuri që nuk ndryshket, që nuk i humbet vlera, përkundrazi i rritet
-Ky Panair pati suksese, por edhe mangësi, ishin më pak shtëpi botuese.
– Pak nga autorët tanë po marrin vëmendnjen e publikut
Albert Z. ZHOLI
Si gjithmonë Panairet e librit në Tiranë nxjerrin në shesh arritjet dhe mangësitë e librit në Shqipëri. Për çdo vit ato janë bërë si një barometër constant që dinë të vlerësojnë dhe të përcjellin mesazh. Një nga shtëpitë botuese prestigjioze në Shqipëëpri është dhe “Ëestprint” . Shtëpisë Botuese, “Westprint” dhe pse me një jetëgjatësi relativisht të re, aktualisht është një ndër Shtëpitë Botuese më prestigjioze. Në nj bisedë me Presidentin Vathi për Albanian Free Press, po përcjellim përpara lexuesit disa prej problemeve që ka libri shqiptar sot. Ndër to mund të përmendim shpërndarjen e dobët gjeografike të librit, Panairet e pakta, përkthimet jo profesionale, konkurrenca jo e ndershme, por edhe largimin e rinisë shqiptare nga libri dhe lidhja e saj me internetin.
Kur afrohen panairet e librit Tirana bëhet më e zhurmëshme. Si do t’i vlerësoni Panairet e librit?
Për mua Panairet janë barometri që nxjerrin në shesh të gjitha anët positive dhe negative të librit. Aty vijnë shtëpi botuese nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe nga Greqia dhe shërben si test.
– Tashmë ka shumë shtëpi botuese. Kur keni filluar apo kur ka hedhur hapat e parë Shtëpia juaj Botuese dhe si ju lindi ideja?
-Kjo shtëpi botuese i ka hedhur hapat e para në vitin 2006; pra kemi rreth 18 vjet. Tashmë nuk jemi më një shtëpi botuese e re, pasi kemi hyrë bindshëm në treg. Kemi realizuar botime me standarde dhe duke ju përshtatur kohës.Mund të them se kjo shtëpi Botuese nuk ishte fare e rastësishme. Unë kam punuar për rreth dhjetë vjet si makinist në një shtëpi botuese. Aty u lidha shumë me këtë profesion. Më pëlqenin librat, njerëzit, shkrimtarët, mënyra se si shtypeshin librat, ngjitja, kopertinat, lastrat, pra një punë zinxhir ku në fund merrje produktin një libër në dorë. Kur e kundroje që nga një material në letër dilte një libër i bukur të intrigonte, të bënte për vete. Për çdo ditë mendoja se si mund të hapja një shtëpi botuese. Në vendin e punës u njoha me shumë njerëz, u njoha me shumë shkrimtarë dhe poetë u njoha me shumë redaktorë dhe korrektorë. Pra një rreth miqësor shumë të madh, të cilët më nxitën për të realizuar këtë dëshirë.
Nisma të tilla janë shumë të rrezikshme….sepse një nismë që kërkonte dhe një financë, a nuk ishte një moment i vështirë ky?
Sigurisht, madje mbetej momenti më i vështirë. Tjetër të kesh dëshirë, tjetër që mos kesh mundësi. Me një llogaritje të thjeshtë pashë që nuk kisha mundësi që të realizoja atë nismë, por ishin miqtë, të afërmit që më mbështetën dhe më ndihmuan në hapat e parë. Nuk e mendoja se do e kisha këtë ndihmë, por realiteti ndryshoi dhe çdo gjë për mua ishte premtuese. Mund të them se ata që më ndihmuan ishin miq, që kishin besim tek puna ime, tek sinqeriteti im, tek aftësitë e mia menaxhuese, tek puna ime e ndershme, tek korrektesa dhe sakrificat e mia. Pra thjesht ata që më ndihmuan (dhe që unë i vlerësoj shumë) më kishin njohur mirë ndaj dhe mendonin se çka do jepnin nuk do hidhej në lumë.
Po bëni dy dekada në treg. Sa tituj librash kanë kaluar në Shtëpinë tuaj botuese?
Si shtypshkronjë ne kemi shtypur rreth 3700 tituj, ndërsa si Shtëpi botuese rreth 350 tituj. Pra në 18 vjet është një numër i konsiderueshëm duke pasur parasysh se jemi shtëpi e re dhe në treg sot ka shumë, shumë Shtëpi Botuese. Vetëm mënyra e komunikimit tonë me autorët, serioziteti ka bërë që të jemi gjithmonë në mbështetjen e plotë të tyre dhe puna të vijë në rritje.
A e mbani mend librin e parë që keni shtypur? Besoj ishte eveniment në jetën tuaj kur morët në duar produktin tashmë si botues dhe jo si makinist?
Libri i parë ka qenë për Teqen e Tiranës, pra për historikun e saj. Ky libër ka qenë rreth 200 faqe dhe me tirazh 500 kopje. Ishte për mua një sukses, pasi autori i librit ngeli shumë i kënaqur, por edhe unë vetë pashë se nxora në dritë një libër që vërtetë ishte cilësor. Ky libër ishte ogur i mirë dhe vërtet më solli fat. Pas këtij libri me vërtetë që erdhën shumë krijues të tjerë dhe kështu nuk pata më kohë të marr frymë. Libri kapte librin dhe ne kështu ishim në tensionin e përgjegjësisë së madhe për të kënaqur shijet e krijuesve.
Libri ka shumë problem, shumë…Cilat janë problemet e librit shqiptar sot sipas jush?
Problemet e librit shqiptar janë të shumta, por kryesorja është që libri sot nuk lexohet nga të rinjtë. Pra rinia e sotme është shumë indiferente ndaj librit. Më shumë janë të interesuara moshat e treta që janë lexues të rregullt. Mund të them se rinia është më shumë e lidhur me tabletin, internetin, celularin se sa me librin. Por për mua që jam në korrent me librin, e them me bindje se libri është i pazëvendësueshëm dhe vlera më e madhe, që mund të ketë një njeri në shtëpi. N.q.s ke libra në shtëpi, ke një pasuri që nuk ndryshket, që nuk i humbet vlera, përkundrazi i rritet.
Në shumë debate dhe forume vihet re se një problem shqetësues është dhe shpërndarja gjeografike e librit, pra gjeografi shpërndarja e tij? Cili është mendimi juaj?
Po, është e vërtetë. Në këtë pikë në Shqipëri çalojmë shumë. Pra shpërndaja bëhet e cunguar, jo në të gjithë qytetet dhe fshatrat, madje edhe koha e shpërndarjes është e vonët. Një libër i ri i mirë që hidhet në treg, shkon shumë vonë në qytetet e largëta p.sh si në Sarandë apo Tropojë. Kjo tregon se nuk ka një organizim perfekt. Librin ndoshta e do dhe një në një fshat të Kukësit, por ai nuk mund të shkoj sot aty dhe personi që e dëshiron këtë libër do të duhet të shkojë në një qytet të afërm për të blerë librin, do shkojë enkas dhe kështu rritet kostoja e blerjes. Aktualisht me sa di ka dy Distributor të shpërndarjes së librit të cilët përpiqen, bëjnë të pamundurën, por kurrë nuk plotësojnë kërkesat e largëta dhe shpejtësinë e duhur. Jo për fajin e tyre, por edhe për neglizhencë apo për mosnjohje të realitetit nga libraritë periferike.
Cilat janë librat më të kërkuar në tregun shqiptar?
Duke parë ecurinë e librave mund të them se librat më të kërkuar janë romanet, tregimet, librat historikë dhe në fund ata filozofikë. Pra romani mbizotëron.
Flasim për romanet, por kush nga romanet janë më të kërkuar, ata të autorëve vendas apo ata të huaj?
Romanet e autorëve janë romanet më të tërhequr. Janë më të kërkuarit. Kërkesat për ta janë në rritje.
Pse ky qëndrim ndaj romancierëve shqiptarë, kur personalisht kam lexuar shumë romane të autorëve tanë shumë të bukur?
Kjo vjen, për shkak të reklamës së dobët dhe mënyrës jo efikase të reklamimit. Shtëpitë Botuese gjithmonë këmbëngulin tek romanet e autorëve të huaj, duke i lënë në hije autorët vendas. Nuk e di pse e bëjmë këtë diskriminim, por është një realitet. Kur u thua librashitësve për romanet e autorëve shqiptarë ngrenë supet. Ndërsa për librat me poezi nuk bëhet fjalë fare, kërkesat për ta vijnë drejt uljes drastike.
Këtë vit startoi Panairi i 27-të, i librit. Një histori e bukur. Cili është mendimi juaj për Panairet e librit në përgjithësi?
Mund të them se Panairet janë një mënyrë e mirë e reklamimit të librit dhe e lidhjes së librit me lexuesin. Panairi në Tiranë mbetet unik, me vlera të veçanta pasi thith shumë vizitorë, blerës dhe dashamirës të librit. Në këtë panair vijnë të gjithë grupmoshat dhe vihet re një interesim për të gjitha gjinitë e librave. Por për mendimin tim Panaire të tillë duhet të hapen në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe kjo të kthehet në një traditë si në Tiranë. Duke e kthyer në traditë në çdo qytet, do të ketë një lidhje të të gjithë shqiptarëve me librin nga jugu në veri, do të ketë një reklamë më të madhe të botimeve dhe do të dalin mënyra të reja komunikimi me lexuesin. Nga ana tjetër do të thoja se edhe Panairet duhet të kenë specifikën e vet, të ketë një Panair për librat për fëmijë dhe një tjetër për botimet e tjera. Ky specifikim e ven dhe më intrigues dhe e kategorizon lexuesin sipas moshës dhe e tërheq më shumë. Ky është mendimi im.
A ka konkurrencë të pandershme dhe botime që nuk janë vlerësuese?
Sigurisht që ka dhe pse janë duke u ngushtuar. Bëhen botime që merren nga interneti apo botime pa kaluar në redaktor apo korrektor në emër të fitimit dhe në dëm të cilësisë. Me këto mënyra ulet kostoja e prodhimit. Një problem tjetër është përkthimi jo profesional i veprave të ndryshme nga shqip në një gjuhë të huaj, apo anasjelltas. Disa Shtëpi Botuese për të rritur masën e fitimit marrin përkthyes të rinj, jo profesionist që ulin nivelin e veprës letrare. Kjo sjell një fitim të përkohshëm, por më vonë lexuesi i largohet librave të tillë, që është jashtë shijeve të tij, pasi shumë vepra të huaja dihen se si janë përkthyer më parë. Përkthimet janë më shumë nga gjuhët e huaja në shqip, sesa nga shqip në gjuhët e huaja. Pra krijuesit tanë përkthehen shumë, shumë pak në gjuhë të huaja. Këtu duhet dhe një politikë nxitëse nga shteti për autorët tanë.