Edhe pse po bëjmë përpjekje të sigurojmë teknikën dhe pajisjet e nevojshme për të filluar punën në Agjencinë e lajmeve, nuk po arrijmë.
Reshat Gashi dhe Emin Olluri e kanë rregulluar një telefon satelitor që ka qenë defekt, por ai aktualisht nuk ka kartelë. Ata po ashtu e kanë rregulluar gjeneratorin por tani na mungon dhe kompjuteri. Sapo i sigurojmë disa mjete na i marrin në shtab. Kështu aktualisht po vendnumërojmë.
Rreth mesditës më kanë ftuar të shkoj në shtëpi te Luani meqë ka disa mysafirë.
Pasi arrij atje mësoj se për vizitë ka ardhur vëllai i Galanit, Avdi Shala me të cilin kemi qenë një gjeneratë në studime. Avdiu ka marre me vete një shok me të cilin njihen qysh moti dhe dy bijat e veta, Dianën dhe Verën, të cilat kanë ardhur për ta parë xhaxhin e tyre. Idrizin, ndër ne i njohur vetëm si, Galani, epror i Dukagjinit.
Galani është çmallur me vëllanë dhe mbesat të cilat nuk i ka parë për shumë kohë, meqë nga Kosova është larguar para më shumë se 12 viteve. Duket mjaft sentimental dhe i mallëngjyeshëm, edhe pse këto nuk janë aspak tipare të tij.
Avdiu është gëzuar tejmase për këtë takim të papritur. Ai nuk ka menduar se vetëm 30 kilometra larg Prishtinës, ndodhet vëllai i tij, luftëtar në radhët e UÇK-së. Habitet si nuk ka ditur as për kohën sa ai ka luftuar në radhët e luftëtarëve të Dukagjinit gjatë ofensivave të verës.
Edhe mbesat e Galanit janë të befasuara dhe mezi e njohin xhaxhin, të cilin shumë vjet nuk e kanë parë.
Pas dy tri orësh, Avdi Gashi me bijat dhe shokun e tij nisen në drejtim të Prishtinës. Përshëndetemi me shpresë se sërish do të shihemi.
Galani e ka tepruar me pije. Ndihet tejet i emocionuar. Luani e shfrytëzon rastin e dobësisë së tij momentale me rastin e vizitës dhe ia hedh një shaka të pa gdhendur.
Janë shokë të fortë dhe nuk i hidhërohen njëri tjetrit.
Në mbrëmje si zakonisht jemi tubuar në pikën tonë të qëndrimit.
Përmes një lidhjeje të mjekut Naser Bytyçi, Arsim Bajrami ia ka dërguar disa libra Sokol Dobrunës. Ato duhet t` ia dërgojmë nesër, sepse po i nevojiten për punën e tij të përditshme në organizimin e Drejtorisë së Jurisprudencës…