Pasi kemi ngrënë bukë, Martini, unë dhe Berati së bashku me Ali Mullinin të cilin Elez Durmishi e ka caktuar shofer për ekipin tonë, jemi nisur në drejtim të Grykës së Nekocit. Në fshatin Baicë, vetura e Aliut përplaset në një gropë dhe defektohet rëndë. Disa ushtarë na ndihmojë për ta larguar nga rruga por nuk arrijmë ta rregullojmë. Meqë binte shi dhe nuk do të mund të depërtonim këmbë deri në Divjakë, kemi vendosur të kthehemi, derisa të rregullohet vetura apo të gjejmë një veturë tjetër. Ndërkohë takojmë Ilir Dugollin i cili na kthen në Krojmir.
Në orët e mbrëmjes si zakonisht gjatë ditëve të vikendit vazhdimisht na vijnë vizitorë, miq ose familjarë të ushtarëve.
Së bashku dhe nën përcjelle ilegale të Naim Imerit, ndërlidhja jonë kryesore dhe shumë e sigurt sonte kanë ardhur edhe Basri Musmurati dhe Nusret Pllana nga Prishtina. Po ashtu edhe nga Shtimja janë kthyer Epiri dhe Elhamiu. Ata kanë kaluar pa pasoja. Nga Prishtina kanë ardhur Rrezja dhe Labja.
Në mbrëmje, Shyqri Iballi më njofton se Faruk Gashi e ka ndaluar Fehmi Baftiun nga Shtimja, kryetar i Degës së Nënë Terezës në Shtime. Pas pak vjen te unë, Galani, për të pyetur se si të veprojmë me te, kush e ka ndaluar dhe përse. Galanit i them se sa më përket mua, mund të them se vetëm e njoh por nuk kam të dhëna se ka bërë ndonjë faj. E drejtoj te Elezi dhe Luani po ata nuk janë momentalisht në Krojmir. Pas pak Galanit i them le ta lirojnë Fehmiun dhe le ta hulumtojë rastin se përse dhe kush e ka arrestuar.
Pak më vonë kanë ardhur edhe Hilmi Ramadani dhe Fatmir Xhelili. Ata kanë sjellë edhe një kompjuter tjetër, të tretin me radhë.
Pas darke kemi zhvilluar një debat të zjarrtë. Berat Luzha kritikon Basri Musmuratin dhe përmes tij krejt shokët e tjerë që rrinë në Prishtinë dhe nuk i bashkohen luftës. Berati më sa duket nuk është në njohuri të faktit se Basriu qysh heret mbanë kontakt me Shtabin dhe kryen shërbime të caktuara, sidomos në logjistikë. Basriu nga ana e tij e mbron idenë se funksionimi i LBD-së, jo vetëm që e ndihmon luftën por edhe është më e se i nevojshëm, meqë nuk dihet finalja e luftës. Ai sjellë një shembull të një diplomati rus i cili gjatë në kontakti me disa politikanë në Prishtinë paska thënë se dashur pa dashur me përdhunë do të detyroheni të jetoni së bashku me serbët.
Berati është mllefosur tejmase dhe flet me zë të lartë, kritikon dhe nuk merr fare parasysh se çka flasim ne të tjerët.
Në bisedë kanë marrë pjesë edhe Martin Çuni, Nusret Pllana, Hilmi Ramadani, Fatmir Xhelili dhe unë. Dominon mendimi se formula e unifikimit të qëndrimeve është e mundshme por vështirë e realizueshme. Pastaj të gjithë pajtohemi se tani për tani duhet përforcuar faktorin UÇK në të gjitha segmentet e veçmas në planin institucional dhe informativ.