Nën organizimin e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, u mbajt Konferenca me Donatorë, ku para të pranishmëve u prezantua Strategjia e Zhvillimit Ekonomik për Komunën e Ferizajt për periudhën 2024-2034.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të ambasadave të huaja, si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Hungarisë, si dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare, si USAID, CDF, Swiss Contact, Caritas Kosova, Caritas Luxemburg, IOM, GIZ, OSBE, Germin, dhe të tjera.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, z. Ali Tafarshiku, i cili në fjalën e tij vlerësoi punën e Komunës së Ferizajt si një nga komunat e pakta që ka hartuar Strategjine e Zhvillimit Ekonomik, një dokument ky që ndihmon edhe donatorët në financimin e projekteve. Ai shtoi se Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, ka dëshmuar një bashkëpunim të shkëlqyer, dhe se edhe gjatë vitit të ardhshëm do të shqyrtohet mundësia për mbështetje me projekte.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, z. Balton Dërguti, theksoi se qëllimi i kësaj konference ishte të paraqiten projektet e planifikuara për Komunën e Ferizajt gjatë 10 viteve të ardhshme. Ai ftoi organizatat pjesëmarrëse që të njihen me këto projekte dhe, nëse ato përputhen me politikat e tyre, të shqyrtojnë mundësinë për investime.
Të pranishmit vlerësuan Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik të Ferizajt dhe shprehën gatishmërinë për të shqyrtuar mundësinë e financimit të disa projekteve të parashikuara. Ata theksuan se gjatë vitit të ardhshëm do të analizojnë më tej projektet konkrete për investim.