Kryetari Latifi mori pjesë në përurimin e librit: “Doktori që i dha jetë lirisë kushtuar dëshmorit të kombit, Dr. Fahredin Sh. Hoti

Të enjtën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Fahredin Hoti” në Rahovec, u përurua libri: “DOKTORI QË I DHA JETË LIRISË”, kushtuar dëshmorit të kombit, Dr. Fahredin Sh. Hoti, libër i shkruar nga djali i tij, z. Besnik Hoti.

Prezent në promovimin e librit ishte edhe kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, cili në postimin e tij në facebook ndër të tjera ka shkruar:

Kur shikojmë në historinë tonë, shohim se çdo dëshmor i kombit ka lënë një gjurmë të pashlyer në rrugën e lirisë.

Liria ishte mision për Dr. Fahredin Hoti dhe për këtë mision ai ishte i gatshëm të japë gjithçka, madje edhe jetën e tij. Libri “Doktori që i dha jetë lirisë”, dërgon porosinë e lirisë, si vlerë universale.

Ne që e njohëm Dr. Fahredin Hoti, do t’i kujtojmë përherë cilësitë e këtij personaliteti të nderuar, intelektuali dhe profesionisti, njeriut human dhe fisnik, i cili ishte në shërbim të pacientëve, shëronte plagët e luftëtarëve e trajtonte të gjithë ata që kishin nevojë. Doktor Fahredini u dha i tëri për të shpëtuar çdo ushtar të UÇK-së, që kishte marrë plagë nëpër betejat anekënd Kosovës.

Sot, në liri, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare me nder e krenari e mban emrin e dëshmorit të kombit, Dr. Fahredin Hoti, ruan kujtimin dhe lartëson veprën e doktorit të luftës, vetëm duke u zhvilluar, përparuar dhe ofruar çdoherë shërbime sa më të mira për qytetarët.

E përgëzoj mikun tim, Besnik Hoti, për botimin e këtij libri me vlerë, ka shkruar në rrjetin e tij social, facebook, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

SHMP “Lasgush Poradeci” në Kijevë shënoi Ditën e Shkollës

Shkolla e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë shënoi Ditën e Shkollës. Në këtë manifestim …