Ahmet Qeriqi: Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres duhet të funksionojnë në Rrafshnaltë (E diel 6 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres duhet të funksionojnë në Rrafshnaltë (E diel 6 dhjetor, 1998)

Edhe pse gjatë tërë natës ka rënë borë, sot për në Divjakë janë nisur Berat Luzha, Martin Çuni, Nusret Pllana, Fatmir Xhelili, Basri Musmurati, Hilmi Ramadani e të tjerë. Martini ka shkuar me qëllim që të kontaktojë personin, i cili di ku janë mjetet dhe pajisjet e radios dhe të konstatojë gjendjen ekzistuese teknike. Nusret Pllana ka ndërmend të lajmërohet te Ramë Buja me qëllim që të aktivizohet në Drejtorinë e Financave.  Basriu shkon për të biseduar me Jakup Krasniqin apo me të tjerë për çështje të cilat nuk i ka bërë të ditur, por as kemi kërkuar të dimë. Është me rëndësi fakti se në veprimet e Basriut nuk kemi kurrfarë dyshimi edhe pse tani për tani ai është në radhët e LBD-së por mban kontakte të vazhdueshme me Shtabin.

Ndërkohë ka ardhur Vehbi Zeqiri nga Varigoci, i cili na bëri me dije se tre persona, të cilët ai i njeh janë angazhuar për të tubuar ndihma në emër të shtabit, pikërisht në fshatrat të cilat me veprime në grumbullimin e  ndihmave i mbulon Vehbiu me ekipin e tij, prej fillimi të luftës. Vehbiu kërkon që mundësisht të vërtetohet mos rastësisht të tillët i ka angazhuar ndonjë epror i Shtabit.

Mbetet që për këto punë Vehbiu të bisedojë me Elezin dhe Luanin.

Pasdite nga Ribari i Madh kanë ardhur, djali i dajës tim, Fatmir Avdullah Graiçevci dhe Shpendi djali i vëllait tim të ndjerë, Isufit. Që të dy paraqesin interesim për t u kyçur në radhët e UÇK-së, ose për të ndihmuar në ndonjë aspekt tjetër. Iu tregoj se tani për tani nuk është e domosdoshme të kyçen, ndërsa kur të paraqitet nevoja iu lajmërojmë. Që të dy janë në gjendje të rëndë ekonomike, edhe pse janë studentë të dalluar.

Fatmir Xhelili, dhe Nusret Pllana kanë marrë përsipër që një ushtar ta depërtojnë ilegalisht,  në Ferizaj,  meqë duhet t`i nënshtrohet një operacioni.

Meqë ushtari është i plagosur dhe duhet vazhdimisht të merr infuzion së bashku me ta ka shkuar edhe bija ime,  Arbana. Ata me traktor duhet të depërtojnë deri në Godanc e prej andej do të organizohen përmes lidhjeve të cilat i ka vendosur Fatmir Xhelili. Brengosem për Arbanën por nuk e ndaloj, meqë  natyra e angazhimit është e tillë. Arbana është luftëtare shumë e përkushtuar. Që në ditët e para ajo është angazhuar në të gjitha drejtimet ku ka arritur të japë kontribut. Është edhe shylla kryesore e familjes.

Natën vonë kanë ardhur nga Divjaka Martin Çuni, Berat Luzha dhe  Elez Durmishi. Martini  ka parë mjetet dhe teknikën e Radios. Ai mendon se mjetet janë të gatshme dhe mund të fillohet nga puna sapo të caktohet lokacioni për vendosjen e vend-transmetimit. Edhe ai ka marrë të njëjtën përgjigje nga Shtabi. Radioja mundësisht të jetë sa më larg Shtabit. Martini mendon se duhet të depërtojmë në Likoc. Berati thotë se duhet të kalojmë në anën e Qyqavisë, ndërsa unë mendoj se duhet të këmbëngulim që radioja të jetë atje ku është edhe Shtabi. Sa për rrezikim, kudo ku të shkojmë ne jemi të rrezikuar. Unë kam paraqitur edhe pikëpamjet e mia lidhur me caktimin e vend-emetimit pikërisht në Rrafshnaltë pavarësisht se kush çka thotë. Këtu është Shtabi, njësitë elite, njësitë speciale, popullata. Kjo anë është e pashkelur dhe është e vështirë për depërtimin e armikut për shkak të konfiguracionit. Pastaj, këtu kemi më shumë informacione se në ndonjë mal të Qyqavisë.

Lidhur me këtë çështje duhet të bisedojmë edhe më shtruar sepse unë kam vërejtur se shefit të Shtabit Bislim Zyrapi, kërkon që Radioja dhe Agjencia të vendosen larg Shtabi.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen Martin Çuni. (E premte 4 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen Martin Çuni. (E premte 4 dhjetor, 1998)

Edhe gjatë tërë ditës së sotme ka rënë shi dhe dëborë. Në raste të tilla …