Në ambientet e Teatrit “Adriana” në Ferizaj, me rastin e ndarjes nga jeta të mjekut të plejadës së parë të mjekëve ferizajas, “Nderit të Qytetit të Ferizajt” Dr. Abaz Beqa, nën organizimin e familjes Beqa me mbështetjen e Komunës së Ferizajt, u mbajt mbledhje komemorative.
Të pranishëm ishin shumë mantelbardhë, drejtues të institucioneve shëndetësore e të tjera. Familjen Beqa, kolegët e të njohurit e të ndjerit i ngushëlloi në emër të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr. Kemajl Emini.
“Dr. Abazi ishte i veçantë si personalitet. I rrallë me dijet e tij. I dashur e korrekt gjithnjë. Shembulli që ai la pas vetes, është shembulli i profesionistit të përkushtuar, atdhetarit të veçantë, mjekut të dalluar. Kudo ku punoi Dr. Abazi, la gjurmë të pashlyeshme e të skalitura në zhvillimin e shëndetësisë. Emri e vepra e tij, të tilla janë edhe për shëndetësinë ferizajase, gurthemel i saj, frymëzim për brezat e ardhshëm. Më lejoni që në emrin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në emrin tim si Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe gjithë mantelbardhëve ferizajas t’ju shpreh ju, familje e respektuar Beqa, kolegë e miq të të ndjerit, ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Dr. Abazit” tha mes tjerash drejtori i DSHMS-së, Dr. Kemajl Emini.
Me fjalë plot emocion, duke kujtuar kohën e punës e angazhimeve të përbashkëta në shëndetësinë ferizajase, të pranishmëve iu drejtuan edhe Dr. Agim Bytyçi, Dr. Shyqeri Hyseni si dhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, Dr. Fikret Arifi, gjersa në emër të familjes, djali i të ndjerit, Dr. Halim Beqa, shprehu falënderimin për folësit dhe gjithë të pranishmit për kujtimet që ndanë, vlerësimet e dhëna e mbështetjen që po japin për familjen në këto momente dhembje për kalimin në amshim të Dr. Abaz Beqës.