Në mëngjes herët së bashku me Martin Çunin dhe Berat Luzhën jemi nisur për në Pjetërshticë. Eprorët e lartë të Shtabit të Përgjithshëm Salih Veseli dhe Naim Maloku do të mbajnë një bisedë tematike konsultative me ushtarët dhe eprorët e Batalionit Ruzhdi Salihu.
Organizimin e këtij tubimi e kanë bërë Ramiz Qeriqi dhe Naim Ismajli.
Majori Salih Veseli, ka folur për luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për mënyrën se si kjo ushtri me strategjinë e vet vepruese tërhoqi në frontet e luftës kontingjente të tëra të armatës jugosllave. Ky dislokim i madh forcave, si dhe krimet që ka kryer kjo ushtri sidomos kundër popullatës civile, ka bërë që faktori ndërkombëtarë të marrë në shqyrtim çështjen e Kosovës.
Majori, Salih Veseli, ka folur edhe për humbjet që ka pësuar ushtria dhe policia e okupatorit duke sjellë edhe shembuj të shumtë nga luftimet që janë zhvilluar në terren, sidomos gjatë ofensivave të verës. Ai është i bindur se lufta jonë do të ngadhënjejë falë së drejtës dhe forcës që kemi krijuar e mbi të gjitha falë moralit dhe këmbënguljes së luftëtarëve të kësaj ushtrie, e cila po e sfidon në front njërën ndër ushtritë më të armatosura të Evropës.
Ndërsa në paraqitjen e tij eprori Naim Maloku ka folur për disa aspekte strategjike taktike të veprimit të ushtarëve tanë. Ai, ka kërkuar nga ushtarët dhe eprorët disiplinë, rregull e mbi të gjitha njohjen sa më të mirë me armët dhe me cilësitë teknike të tyre. Kallashët që kemi në përdorim, ka thënë Maloku duhet paraprakisht të testohen, meqë nuk godasin larg.
Nëse ndodh që të sulmohet armiku nga një largësi të tillë, atëherë atij i jepet mundësia të zbulojë vendin nga ku është kryer sulmi dhe cilësinë e armës tonë. Në rast të tillë bëhen dy gabime të pafalshme.
Eprori Naim Maloku ka treguar disa metoda të sulmit efektiv mbi armikun, sidomos në rast të kurdisjes së pritave. Ai trego se si duhet shfrytëzuar mirë epërsinë e terrenit dhe goditjen në befasi, atje ku nuk e pret dhe mundësisht sa më afër, meqë rrezja e veprimit të armëve tona nuk është e kënaqshme, është fjala për kallashët.
Ushtarët dhe eprorët kanë dëgjuar me shumë kujdes ligjërimin e dy eprorëve ushtarakë dhe kanë shtruar një varg pyetjesh.
Pasi përshëndetemi me eprorët dhe me ushtarë ne të tre largohemi nga Pjetërshtica. Rreth orës 12.oo me Martinin e Beratin dhe në përcjellje të Elez Durmishit dhe të Sejdi Kelmendit, me traktorin e Sejdës i për në Divjakë. Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të mundimshëm më në fund arrijmë atje.
Martin Çuni ka kërkuar nga Jakup Krasniqi që sa më parë të merret qëndrim për për fillimin e punës të Radios Kosova e Lirë. Jakupi nuk mund të vendos vet dhe kjo punë si duket do të zhagitet edhe për një kohë, meqë disa anëtarë të Shtabit konsiderojnë se ky veprim do t`i sfidojë keq forcat serbe, të cilat mund të ndërmarrin një ofensivë tjetër. Këto arsyetime më duken të paqëndrueshme, ashtu sikurse më duket pa vend edhe propozimi për të kaluar në ndonjë pikë tjetër, ku po ashtu në radhë të parë rrezikohemi ne, por edhe ushtarët që do të jenë afër nesh.
Këto divergjenca dhe mospajtime zbulojnë të meta dhe huti në organizim.
Jakup Krasniqin e kam pyetur edhe lidhur me fillimin e mësimit në disa shkolla të cilat tani për tani nuk janë nën rrezik. As për këtë pyetje nuk kam marrë ndonjë përgjegje edhe pse arsimtarët sa e sa herë e kanë shtruar këtë kërkesë…
Në mbrëmje si zakonisht jemi kthyer në Krojmir, pa kryer asnjë punë…