Nesër përurohen dy vepra të prof. dr. Lutfi Dervishit, "Në frontin e lirisë (me UÇK-në)" dhe "Hijet"

LUFTIMI I TË KEQES NË LUFTËN E TË KUNDËRTAVE

Lutfi Dervishi “Hijet”, roman, LSHK, Prishtinë, 2021 Emri i Lutfi Dervishit është i njohur në opinionin e gjerë në Kosovë dhe jashtë saj, si urolog i njohur; si njeri që ka bërë një varg punimesh shkencore; si profesor doktor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë… Por emri i Lutfi Dervishit ka vite tashmë që është bërë i njohur edhe në fushën e letrave shqipe, i cili para opinionit lexues startoi me romanin “Violina e humbur”, LSHK, Prishtinë, 2019; Vëllimin poetik “Nëpër grila”, LSHK, Prishtinë, 2020; romanin “Në frontin e lirisë (me UÇK-në)”, LSHK, Prishtinë, 2020 dhe së fundmi me romanin “Hijet”, LSHK, Prishtinë, 2021. Të rrallë janë krijuesit që kanë startuar menjëherë me prozë, e veçmas drejtpërdrejt në roman. Kjo ndodh rëndom te ata krijues, që kanë pjekuri të thellë jetësore, dhe që gjërat dhe proceset e jetës dinë t’i trajtojnë në shumë dimensionalitetin e saj. Vet titulli i romanit “Hijet”, të bën të kuptosh se këtu nuk ke të bën vetëm me anën pozitive të proceseve jetësore, nuk ke të bën pra vetëm me lule të jetës, por krahas jetës dhe luleve, këtu ballafaqohemi edhe me ‘hijet’ që në fakt është antipodi i jetës, antipodi i të mirës, antipodi i progresives, e rrjedhimisht edhe antipodi i luleve. E antipodi i luleve nuk mund të jenë kush tjetër pos therrave të thara, të cilat shpojnë, dhe shpimi i tyre dhëmb padyshim, duke lënë ndonjëherë pasoja. Në këtë roman, bëhet fjalë për jetën e pasluftës në Kosovë, pra jetën e pas çlirimit, ku një pjesë e shoqërisë, përmes personazheve pozitive ballafaqohet përsëri me krajata jetësore për shkak të atavizmave të së kaluarës. Dhe kjo mendësi e së keqes, mjerisht, nuk është pak, siç nuk është as e fjetur, por kjo pjesë e së keqes paraqetet me një varg veprimesh të fshehta, të cilët i ndihmojnë së keqes. Pra në këtë roman, kemi të bëjmë me luftën, të shprehemi në gjuhën mjekësore, luftën të qelizave aktivatore dhe atyre inkibitore.

 

Të parat janë aktivizuese, që duan të ecin përpara, që e duan progresiven, e duan zhvillimin. Kurse qelizat e dyta, ato inkibitore, janë frenuese të proceseve progresive në shoqëri, pra frenuese edhe në organizmin e quajtur popull. Shkrimtari Lutfi Dervishi përmes personazheve pozitive, si dhe veprimeve të personazheve negative, nuk hesht. Ai i ballafaqon kundërshtitë mes tyre, ku mjerisht personazhet negative jo rrallë herë krijojnë probleme të mëdha në shoqërinë shqiptare. Apo më qartë: personazhet pozitive janë kryesisht idealistët, të cilët nuk lënë gjë pa lëvizur, madje duke sakrifikuar edhe jetën e tyre, për të arritur progres, për të ndihmuar në progresin e shoqërisë shqiptare, të sapo dalë nga lufta. Kjo shoqëri, e plagosur rëndë, duke u marrë me shërimin e pasojave të llojeve të ndryshme të gjenocidit dhe etnocidit, kërkon shijimin e diellit të lirisë. Prandaj në institucione ku punojnë, sidomos në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, tregojnë shembull se si duhet vepruar për interesin e përgjithshëm kombëtar. Mjerisht dihet, se populli i Kosovës, “nuk e ka kositur livadhin vet”, por këtë e ka bërë me argat. Kjo nënkupton se edhe mendimet e atyre argatëve, përkatësisht miqve të Kosovës duhej përfillur. Por në emër të përfilljes së miqve të vërtetë, u implikuan njerëz që përkrahin çdo gjëje që vjen nga jashtë. Kësai soji në emër të miqve real, në Kosovë implantohet edhe mendimi i të keqes, duke u paraqitur si dukuri progresive në shoqërinë shqiptare.

 

Këta personazh negativ, janë pjesa dërmuese e përfaqësuesëve të UNMIK-ut në Kosovë. Te kjo shtresë, gjejnë përkrahje edhe qelizat inkibitore të vendit, të cilat në të kaluarën por edhe tani, janë pjesëtar të familjeve që kanë pasur lidhje me UDB-në, në mënyrë direkte apo indirekte. Kjo shtresë e shoqërisë, e mësuar me privilegje në të kaluarën, duke bërë jetë parazitare në kurrizin e njerëzve të thjeshtë, në këtë rast gjejnë prehjen e tyre, për vazhdimin e realizimit të interesave të tyre, bashkë me interesat e pjesës së madhe të stërkequr të UNMIK-ut. Dhe jo vetëm kaq, kjo shtresë, trupin e ka në Kosovë, kurse mendjen në Beograd. Edhe ëndrrat në Kosovën e çliruar, kjo shtresë vazhdon t’i sheh serbisht. Që të gjithë këta, i bashkon “kënga popullore”, pra i bashkon interesi i mbijetesës dhe lufta për realizimin e qëllimeve të tyre, sipas udhëzimeve që u vijnë nga Beogradi, përmes personazheve konkret në roman. Mjerisht në këtë aspekt, nuk mungojnë as veprimet destruktive të individëve të caktuar, të cilët mund të kenë përgatitje të larta shkollore, por që rrjedhin nga familje me pedigre udbeske, përkatësisht proserbe. Një nga personazhet e tillë, që nuk mund të mos lë gjurmë të urrejtjes para secilit lexues, është edhe ministri i shëndetësisë, në periudhën pak para shpalljes së Pavarsisë. Dihet botërisht, se edhe në periudhën e pasluftës, ku më shumë e ku më pak, Kosova u ballafaqua edhe me pasojat e luftës. Në disa komuna, si Malisheva, Rahoveci, Suhareka, Klina etj., pos pasojave të përgjithshme, u paraqitën edhe pasojat e problemeve shtesë. Banorët e këtyre komunave, gjatë periudhës së verës, pikërisht kur duhej të merreshin me punët e bujqësisë, u ishin ekspozuar rreziqeve jetësore nga rriqrat. Në këtë aspekt është interesante paraqitja e realitetit praktik në shoqëri nga ana e shkrimtarit Lufi Dervishit.

 

Në njërën anë kemi përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve, mjekëve e punonjësve tjerë shëndetësorë, në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, të cilët bëjnë përpjekje maksimale për ta luftuar dukurinë endemike të rriqrave, pasojë e së cilës shumë të rinj të moshave të ndryshme, 10 vjeç, 19, 24, etj. të fshatrave të ndryshme të këtyre komunave kanë vdekur. Për të triumfuar ndaj kësaj të keqeje, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është propozuar vazhdimisht që të bëhet plan konkret për luftimin e rriqrave. Në anën tjetër nga institucionet më përgjegjëse të Kosovës në radhë të parë të Qeverisë në përgjithësi, e të Ministrisë së Shëndetësisë në veçanti, paraqiten pengesa. Në njërën anë, qeveria e republikës së Kosovës, me në krye mbretin, nuk e kupton rëndësinë e luftimit të rriqrave, prandaj edhe e heshtë këtë dukuri, e në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë dhe konkretisht ministri është penguesi kryesor për luftimin e kësaj dukurie vdekjeprurëse. Për Ministrin Shula njëkohësisht paraqiten disa qëllime në mënyrë paralele. Së pari, projekti për luftimin e rriqrave i duket projekt i vogël, që harxhon pak buxhet, e që nënkuptohet që edhe fitim do ti mbetet shumë pak ministrit. Prandaj ky kërkon projekte të mëdha, të cilat do të harxhonin shumë buxhet, sepse edhe do të sillnin fitime të mëdha. Por kush duhej ti sillte këto projekte të mëdha? Kush duhej t’i hartonte ato projekte? Ministri nuk e qante kokën për këto gjëra. Njëkohësisht, krahas kësaj, ministri vë në jetë, udhëzimet dhe qëllimet e Serbisë, duke krijuar pengesa në mosfunksionim të organeve të Minsitrisë, e përmes saj, për të penguar gjithkund gjithçka, ku ka mundësi. Dihet se qëllimi i Serbisë, fillimisht përmes UNMIK-ut dhe njerëzve të saj, ishte që sa më gjatë, ta shtynin dhe mundësisht deri në pakufi ta pengonin shpalljen e pavarësisë. Por kur kjo gjë, përkundër pengesave të mëdha, ndërskamcave e veprimeve tjera destruktive, u pa që nuk mund të ndalej. Kjo mendësi nduk ndejti duarkryq. Prndaj detyrat e tyre ishin që, edhe pas shpalles së pavarësisë, të vazhdonin me krijimin e problemeve, duke penguar funksionimin e organeve dhe sistemeve të organeve të organizmit të quajtur Kosovë. Me këtë antagonizëm veprimesh të përfaqësueseve të dy shtresave të shoqërisë, pengohet dhe zhvillohet njëkohësisht edhe jeta normale. Në njërën anë janë pengesat që njerëzit të mos jenë të lumtur, dhe në anën tjetër bëhen përpjekjet titanike për të qenë të lumtur, duke krijuar familje të shëndosha si qeliza të reja aktivatore…

 

Luftimi i progresives, nga pjesëtarët e ‘hijeve’ nuk zgjedh mjete. Ata shpifin, shantazhojnë, mashtrojnë, premtojnë, kërcënojnë… Mjerisht kjo shtresë, përmes personazheve negative në këtë roman, ka mbështetjen e Ministrit të Shëndetësisë, e rrjedhimisht edhe të njerëzve të kësaj mendësie. Kur kësaj ti shtohet edhe letargjia e mbretit dhe mosdija e tij, e keqja vije edhe më shpejtë, siç kemi të bëjmë në këtë roman, kur një pjesë e Policisë së Kosovës në mënyrë skandaloze bën arrestimin e disa pjesëtarëve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Prishtinë dhe Malishevë, duke i shtrirë përtokë punonjësit, përkatësisht luftëtarët kundër rriqrave me duar të lidhura prapa shpine, derisa të vijnë gazetarët e mediave të ndryshme, për të bërë kështu filma, për ti treguar botës se si Kosova, edhe pse është shpallur e pavarur, nuk mund të funksionoj si shtet, sepse nuk kanë dije e as vullnet për ta realizuar shtetin. Pjesëtarët e hijeve janë njerëzit që jo vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë, por në çdo institucion, të cilët mundohen praktikisht që edhe “kungullin e pjekur nën hije, këtij populli t’ia shesin për pjepër të pjekur në diell”. Në këtë roman, gjithashtu jepen edhe shumë të meta në shëndetësinë kosovare, ku qartë numërohen mundësitë për të shkuar për shërim jashtë vendit, sidomos në Maqedoni dhe Turqi, sepse mundësitë për manipulime ekzistojnë më shumë.

Pastaj suç shprehet shkrimtari në këtë roman: “…Nuk ka barna, nëpër spitale të vendit, pacientët përveç barnave janë të detyruar të blejnë edhe material për operacione, thjeshtë nuk ka asgjë përveç aspirinës. Barnat e blera me të holla nga Ministria e Shëndetësisë i gjen duke u shitur në farmaci private nëpër qytet, derisa farmacia e QKUK-së është bosh.”… Kështu është, kur në periudhën e pasluftës, shumë punëve nuk u është gjetur njeriu, dhe shumë njerëzve u është gjetur punë. E zbërthyer kjo, do të thotë, se në shumë detyra janë emërtuar njerëz jo profesionist, të pa aftë, ku është shikuar vetëm dëgjueshmëria dhe përkatësia partiake e individit dhe jo përgatitja profesionale. Prandaj edhe shkrimtari Lutfi Dervishi në një rast shprehet “Njerëzit e duhur janë të padëgjueshëm, dhe padëgjueshmëria e tyre ishte kriteri i vetëm për t’ua pamundësuar punësimin në vendin e duhur”. Zaten ky është edhe mesazhi i romanit para lexuesit, me thirrjen, që për të ecur një shoqëri përpara, gjithsesi duhet, që njerëzit e duhur të jenë në vendin e duhur. Ashtu siç bëjnë të gjithë popujt e civilizuar në botë.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: TË DHËNA TË SHUMTA RRETH PARAQITJES SË FASHIZMIT SERB

Philip J. Cohen: “Lufta e fshehtë e Serbisë – Propaganda dhe Falsifikimi i Historisë”, botoi …