Ahmet Qeriqi: Vajtje-ardhje të zakonshme. (E shtunë 12 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vajtje-ardhje të zakonshme. (E shtunë 12 dhjetor, 1998)

Edhe sot,  si zakonisht të shtunave do të kemi vajtje-ardhje të pandërprera. E shtuna dhe e diela vazhdojnë të jenë ditët më të frekuentuara në këto anë, edhe pse është kohë dimri dhe është vështirësuar tej mase qarkullimi. Njerëzit tanë janë të gjendshëm, nuk lënë rrugë pa hulumtuar për t ia arritur qëllimit. Disa madje rrezikojnë duke depërtuar nëpër kompleksin pyjor të Blinajes, pa i ditur mirë rrugët.

Sot erdhi për të biseduar Islam Salihu, babai i dëshmorit të kombit, Ruzhdi Salihu. Ai brengoset për fatin e familjes që jeton e shkapërderdhur, në Krojmir, në Godanc, në Ferizaj. Ruzhdiu ka lënë të shoqen të re dhe tre fëmijë, djalin dhe dy vajza. Kush do të kujdeset për ta! Shtëpinë e katandinë që e ka pasur në Zborc  armiku ia ka rrafshuar për tokë. Aktualisht ai me një djalë të vetin është vendosur në shtëpinë e Hazir Rizahut në Krojmir, por mëdyshet rreth tërheqjes së familjes së Ruzhdiut. I kemi ndihmuar dhe i ndihmojmë rregullisht, xha Islamin edhe pse jemi të vetëdijshëm se duhet shumë më tepër, por tani për tani të gjithë jemi raste sociale. Mjafton të sigurojmë ushqim dhe strehë për ushtarët dhe familjet tona, për të tjerat nuk merakosemi. Elez Durmishi na bën me dije se në Gllogovc… ( Pesë fjali të koduara)

Meqë duan të largohen në drejtim të Prishtinës, kanë ardhur për t u përshëndetur Nezir Myrtaj dhe Sheqir Zeneli. Berati ka kërkuar nga Neza që të na bashkohet në informim.  Ai nuk e di se Nezir Myrtaj, bashkëshortja e tij, Kadrie Gashi, është stërmbesë e familjes sime. Edhe, Sheqir Zeneli, shoku im i studimeve dhe i punës në arsim, me origjinë  nga Prapashtica,  qysh herët ka qenë i angazhuar në këtë drejtim dhe premton se atë ditë që të krijohen kushte do të vijë.

Ata janë nisur me autobusin e orës 15.oo i cili qarkullon në relacion Krojmir Prishtinë.

Më vonë ka ardhur Naim Ismajli për t u konsultuar me mua dhe me Beratin lidhur me fillimin e procesit mësimor në shkollë të Krojmirit dhe të Pjetërshticës. Ai po ashtu kërkon mendimin tonë se a do të pranohen në procesin mësimor edhe mësuesit të cilët kanë ikur me familjet e tyre, qysh para fillimit të ofensivave. I kam treguar Naimit se kam biseduar me Jakupin, por ai nuk më ka dhënë përgjigje të prerë. Te e fundit, meqë nuk kemi organizim në këtë drejtim le të veprohet ashtu sikurse e shef të arsyeshme komanda lokale ushtarake. Unë mendoj se disa mësues për të cilët ka fakte se kanë bashkëpunuar me Gjurë Gjuroviqin dhe me policë të tjerë, tani për tani të mos pranohen në mësim.

Mirëpo, përderisa nuk ka vendim të prerë kjo le t`iu mbetet drejtorëve në barrë, sado as  disa nga drejtorët në këtë drejtim nuk janë të larë, as për veten e tyre.

Më duket se Sylë Qeriqi, Naim Imeri, Vehbi Zeqiri dhe disa të tjerë po përgatiten për të kryer një aksion kundër gjuetarëve serbë. Ata e kanë ndërmend t`i zënë dhe t` ua marrin armatimin. Të paktën për ashtu si duket janë marrë vesh edhe pse këtë nuk e thonë.

Gjatë ditës së sotme Isë Krasniqi dhe Martin Çuni kanë punuar në kompjuter dhe kanë instaluar me sukses edhe printerin për të cilin në fillim kanë pasur vështirësi. Tani për tani po ushtrojmë dhe po bëjmë plane e projekte për fillimin e punëve në Radio dhe në Agjenci…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga Prishtina kanë ardhur Basri Musmurati dhe Nusret Pllana (E shtunë 5 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga Prishtina kanë ardhur Basri Musmurati dhe Nusret Pllana (E shtunë 5 dhjetor, 1998)

Pasi kemi ngrënë bukë, Martini, unë dhe Berati së bashku me Ali Mullinin të cilin …