‘’Më e vlefshme është një ditë drejtësi, sesa gjashtëdhjetë vjet adhurim”
E drejta është shprehje i ligjshmërive shoqërore që janë zbatuar (apo zbatohen) në shoqëri të caktuara dhe në kohë të caktuar. Prandaj, ajo është e ndryshme për shoqëri të caktuara dhe kohë të caktuar. Dhe, po të krahasohet e drejta e vjetër me konceptin e shtetit dhe të drejtës së tashme, na duken absurde ato botëkuptime të të drejtave dhe obligimeve të qytetarëve (në sisteme të ndryshme: të skllavopronarëve dhe feudalizmit).
E drejta islame (Sheriati) ka nisë të zbatohet në shekullin VII të erës sonë. Ajo e drejtë ka karakter sakral dhe dogmatik. Kjo është e kuptueshme, kur kemi parasysh se ajo e drejtë burimin e vet kryesor e ka në librin e shejtë Kur’anin, i cili siç e thonë dijetarët fetarë, ka zbritur dhe është publikuar në atë shekull, kur edhe e ka predikuar profeti Muhamed.
Kur’ani përbëhet nga një tekst voluminoz, i sistemuar në 114 sure (kapituj) dhe i shkoqitur në më se 6600 ajete (fjali, citate) me gjatësi të ndryshme. Janë mbi 550 ajete që kanë të bëjnë me porosi për edukimin fetar dhe moral të besimtarëve islam, ndërsa rreth 500 ajete rregullojnë marrëdhënet juridike private dhe publike në shoqërinë islame. Dhe duhet sqaruar këtu se Sheriati është zbatuar për muslimanët, e jo për të tjerët. Vetëm nëse jomulimanët kanë kërkuar që sheriati të zbatohet ndaj tyre, dhe nëse gjykata ka pranuar kërkesën e tillë, atëherë është zbatuar edhe ndaj jomuslimanëve.
Në shtetin islamik ndaj jomuslimanëve është zbatuar e drejta e tyre fetare dhe zakonore, por jo për të gjitha marrëdhëniet dhe situatat. Sepse, për çështjet administrative, fiskale (tatime, taksa), për çështjet penale dhe për çështje të pronave të tokave, është zbatuar e drejta dhe jurisdiksioni i Sheriatit edhe ndaj jomuslimanëve. Një specifikë për jomuslimanët në shtetin islamik ka qenë se ata nuk janë marrë ushtarë, nuk janë pranuar nëpunës shtetëror dhe nuk kanë mund të dëshmojnë kundër muslimanëve, për shkak të mosbesimit ndaj tyre, pasi ata nuk ishin besimtarë muslimanë.
Burimi kryesor i të drejtës së Sheriatit është Kur’ani, por në mungesë të dispozitave kuranore për çështje të ndryshme, si burime plotësuese kanë shërbyer Hadiset e profetit Muhamet, ‘’ixhmat’’- pikëpamjet konsesuale të ulemave (dijetarëve) juridik: ‘’kiasi’’ – zgjidhjet e dijetarëve juiridik sipas analogjisë, dhe më vonë edhe ‘’kanunet’’-dekretet e sulltanëve, me fuqi ligjore. E drejta e Sheriatit është zbatuar në të gjitha shtetet islame, pra edhe në Perandorinë Osmane, e cila ka sunduar edhe në trojet tona.
Parim themelor i sundimit në shtetin islam dhe i zbatimit të Sheriatit, ka qenë drejtësia dhe barazia midis njerëzve, pa marrë parasysh shtresën shoqërore, statusin dhe pozitën e tyre. Në gjykimin për çështje penale, të gjithë qytetarët (muslimanë) kanë qenë të barabartë para ligjit, qofshin ata rob, apo zyrtarë të lartë të shtetit. Në shtetet joislame nuk ka ekzistuar barazia para ligjit e robit me qytetarët e lirë. Në gjykimet sipas Sheriatit është zbatuar edhe parimi i talionit: ‘’sy për sy, dhëmb për dhëmb’’, parim ky që është caktuar në librin e shejtë hebraik, Tevratit, e që e akcepton edhe Kur’ani (El-Maide 45, dhe En-Nuh 126), përveç nëse pala e dëmtuar e ka falë fajtorin.
Në të drejtën islame (Sheriat) edhe administratorëve dhe qeveritarëve të shtetit u njihej e drejta e ndëshkimit administrativ, si masë korrektimi të sjelljes, për rastet për të cilat nuk ishte caktuar ndonjë dënim tjetër penal-juridik
Pushteti gjyqësor
Që nga sundimi i kalifit Omer, në shtetin islam ka ekzistuar dhe ka vazhduar njëfar tradite e ndarjes së pushtetit: në pushtetin administrativ dhe pushtetin gjyqësor. Kështu ka qenë edhe në Perandorinë osmane.
Organet origjinale për zbatimin e drejtësisë, për çfarëdo lloj kontradikte a delikti, ishin gjykatat e drejtësisë dhe ato administrative. Në botëkuptimin islam të shtetit juridik, rregullat juridike (islame) nuk janë produkt i vullnetit njerëzor, por kanë burimin hyjnor. Sunetet (praktika) dhe tradita profetike kanë qenë shpjegim i detajuar dhe shtjellim i rregullave hyjnore. Në këtë kuptim, ishte mendimi se ‘’Më e vlefshme është një ditë drejtësi (në gjykim), se gjashtëdhjetë vjet adhurim (lutje)’’, të cilën e thoshte Dejlemiu, sahabi i Profetit.
Elemente kryesore për parandalimin e subjektivizmit, apo të padrejtësisë në gjykime, ishin metoda dhe procedura e gjykimit dhe zgjedhja e kadive (gjykatësve). Në shqyrtimin e çështjeve dhe marrjen e vendimeve në sistemin juridik të Sheriatit, në rolin e gjykatësve paraqiten kadiu (gjykatësi) dhe myftiu (dijetari juridik për Sheriatin). Kadiu zhvillon procedurën, administron provat materiale dhe mbledh deklaratat e palëve dhe dëshmitë e dëshmitarëve. Në bazë të provave të administruara, kadiu e vërteton gjendjen faktike për rastin konkret. Kur kadiu ta ketë vërtetuar gjendjen faktike, atë ia referon myftiut, pa ia treguar emrat e palëve. Myftiu, i cili nuk ka marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor as nuk i njeh palët, nuk ka asnjë ngarkesë, përshtypje apo ndikimin nga skena e zhvilluar në shqyrtim, prandaj me qetësi të plotë nxjerr konkluzionin më të përshtatshëm për konfliktin e caktuar dhe për këtë e njofton kadiun, i cili ia komunikon palëve vendimin. Kanë ekzistuar organe të shkallës së dytë, për të shqyrtuar ankesat e palëve. Palët, në raste të caktuara, kanë mundur të paraqesin ankesë edhe te vet sulltanit, si zbatues i drejtësisë së Zotit për njerëzit në tokë. Në rast të tillë, sulltani ka mund të vendosë vet, apo çështjen t’ia përcjell personave të autorizuar prej tij për të vendosur.
Kushtet (cilësitë) e gjykatësit
Për t’u zgjedhur kadi (gjykatës) në sistemin gjyqësor të Sheriatit, kërkoheshin kushte dhe kritere të larta profesionale dhe morale. Nga pikëpamja profesionale kadiu duhej të ketë kryer shkollën (medresën) për të drejtën e Sheriatit, do të thotë të ketë kompetencë profesionale të drejtës juridike, të traditës profetike dhe të zakoneve e traditave të komunitetit. Përveç kompetencës profesionale, kadiu duhej të jetë i mençur, i drejtë, paqësor, serioz, i besueshëm, i pa komprometuar, i njohur për ndershmëri, i pa korruptuar. Natyrisht, në postin e kadiut apo të myftiut nuk mund të ishin femra. Këto cilësi të gjykatësit Sheriati i lidhë me ajetet kuranore për veprim me drejtësi, pavarësisht se për cilin gjykon. Për shembëll, në ajetin 8 të sures Al Maide, thuhet: ‘’O ju që keni besuar! Bëhuni nga ata (gjykatësit) që e mbajnë në këmbë drejtësinë për hirë të All-llahut, bëhuni dëshmitarë model drejtësie! Urrejtja që mund të ndjeni ndaj një populli, le të mos ju shtyjë për t’u shmangur nga drejtësia! Silluni me drejtësi se ajo është edhe më pranë takvasë (devocionit)…’’. Dhe jo vetëm për gjykatësit, por edhe për dëshmitarët kërkoheshin kushte e kritere të një ndërgjegjeje e virtyti të lartë, sa që rrallë ndonjë i plotësonte ato kushte për të qenë dëshmitarë. Jomuslimanët nuk mund të ishin dëshmitarë për kontestet midis muslimanëve.
Jo vetëm për shkak të kushteve dhe kritereve që kërkoheshin për gjykatës (kadi), por edhe për shkak të përgjegjësisë që ata ndjenin vet para njeriut dhe para Zotit për gjykimet që do të bënin, shumë kandidatë të propozuar për ato poste nuk pranonin emërimin. Tregohet se një i tillë, Husein B.Mansuri, të cilin e kishin propozuar për kadi në vendlindjen e tij, ai ishe fshehur tri ditë, e kishte lutur Zotin që t’ia merr shpirtin, dhe kështu ditën e tretë kishte vdekur. Juristi i njohur Makhul kishte thënë: ‘’Në qoftë se lihem i lirë të zgjedh ose detyrën e gjykatësit ose të ezkekutohem me vdekje, pranoj vdekjen’’. Këto shmangëje nga detyra e gjykatësit në të drejtën islame, përveç specifikave të paraqitura më sipër të përgjegjësisë për garantimin e drejtësisë, janë bërë edhe për një shkak tjetër ndikues – frika nga përgjegjësia hyjnore në botën tjetër.
Kaditë dhe myftitë i emëronte sulltani (kalifi), për territore të caktuara. Nga aspekti i kompetencës territoriale, territori i kadillakut nuk ishte e domosdoshme të përputhej me territorin e ndarjes administrative (sanxhaqeve). Në kompetencën reale gjyqësore të kadive ishin çështjet individuale të palëve, martesat, divorcet, trashëgimia, kontestet pronësore, taksat dhe tatimet, shërbimet noteriale, çështjet penale, etj.
Mbikadiu apo kadiu i kadillukut ishte kadi i rangut më të lartë, i cili gjykonte në shkallë të dytë, apo si shkallë e parë në çështjet më të ndërlikuara. Ka ekzistuar edhe një nivel tjetër mbi kaditë, që ishin kaditë mufetishë, të cilët kishin kompetencë dhe detyrë të shqyrtonin profesionalizmin dhe përshtatshmërinë e kadive.
Si njerëz të lidhur me besimin fetar dhe të ndërgjegjëshëm për përgjegjësinë para njeriut dhe para Zotit për çështjet që do të gjykonin, shteti kishte vështirësi të gjente të tillë për t’i emëruar kadi.
Perandoria Osmane që ishte shtet i përbërë prej dy shtresave: shtresa ushtarake dhe raja (shtresa e bujqëve), edhe sistemin gjyqësor e kishte të veçantë për shtresën ushtarake. Në shtresën ushtarake, si shtresë më e lartë, bënin pjesë edhe të gjithë nëpunësit e shtetit dhe udhëheqësit fetarë. Prandaj ata kishin edhe grada ushtarake.
Në Perandorinë Osmane ekzistonte sistemi i mileteve (popujve të përkatësive të ndryshme fetare, si bashkësi të popullsisë jomuslimane: hebrejë, katolikë, ortodoksë). Ata kishin të drejtë që në kuadër të bashkësive t’i rregullonin dhe gjykonin çështjet e tyre të brendshme, siç janë çështjet familjare, trashëgimore dhe marrëdhëniet brenda bashkësisë dhe kishës së tyre. Organet e atyre bashkësive (kryesisht kishtare-fetare) i zgjidhnin çështjet sipas rregullave, traditës dhe zakoneve të tyre, por ato nuk mund të vendosnin për çështjet të karakterit publik, ose në çështje penale.
E tërë drejtësia e Sheriatit lidhet me urdhërat e Zotit, të botuara në Kur’an, për të zbatuar drejtësi maksimale në tokë, ndonëse ajo nuk mund të jetë drejtësi absolute. Këtë e ka predikuar edhe profeti Muhamed dhe drejtësinë e tij e kanë pranuar edhe personalitete të besimeve tjera. Lafajet, njeni nga autorët e Deklaratës për të Drejtat e Njeriut (1879) pas Revolucionit Francez, para se ta miratonin atë Deklaratë e kishte shqyrtuar të Drejtën Islame, bashkë me sistemet e tjera të drejtësisë, dhe kishte thënë për Muhamedin: ‘’Lavdi ty o arab i shkëlqyer, që paske gjetur vetë drejtësinë e vërtetë’’ (Kadir Misirogllu: BOTKUPTIMI ISLAM, fq.343), ndërsa kancelari gjerman, Bizmarku, kishte thënë: ‘’Jam i pafat që s’munda të jem bashkëkohësi yt o Muhamed’’ (po aty, fq.344).
Tërë këtë shtjellim i bëra, për të potencuar rëndësinë e drejtësisë që duhet të mbahet midis njerëzve, jo sipas të drejtës së Sheriatit, por sipas të drejtës pozitive, e që mjerisht nuk po mbahet. Virtytet e njeriut janë të shumta, por drejtësia është virtyti më i lartë i njeriut; ajo është mbretëresha e virtyteve, është hyjnore. Platoni, para më se 2500 vjetëve, ka thënë: ‘’Drejtësia është virtyti më i lartë; gjithë ari i botës që gjendet nën tokë dhe mbi tokë, nuk është i mjaftueshëm për ta dhënë në këmbim të këtij virtyti’’.
Le të jetë ky shkrim imi apel për drejtësi mes njerëzve, drejtësi në të gjitha segmentet e shtetit, veçmas në organet e drejtësisë. Sepse drejtësia e lartëson kombin.