Kënga nuk falët, nuk huazohet, nuk vritet, nuk tjetërsohet, ajo nuk të fut lehtë në gjirin e saj!
Populli nuk ta fal lehtë këngën e përjetësisë, nuk ta fal dot aureolën e lavdisë, që do të thotë: që nga kohet mitike e deri më sot, në këngë futen vetëm ata që janë të përkushtuar për flijim në altarin e lirisë, të cilët me aktin e tyre sublim, me punën dhe me përkushtimin e tyre njerëzor, mishërohen me të madhërishmen që është madhështia dhe krenaria e një populli, e një etnie, e një kulture, është madhështia e filozofisë, shkencës, historisë, kulturës, letërsisë, artit, muzikës etj. Ata shoqërisë dhe njerëzimit i japin më shumë nga të tjerët, prandaj ata para gjithë të tjerëve, shkenca humane i përqafon dhe i shenjtëron!
Prandaj flijimit i kanë kënduar që para Krishtit, dhe pa emrat e këtyre personazheve mitike, biblike e reale filozofia, shkenca, historia, kultura, letërsia, arti, muzika etj. nuk do të kishin kuptim. Nuk do të kishin kuptim pa emrat e Prometheut, Zeusit, Anteut, Feniksit, Sokratit, Galileut, Brunës, Telit, Zhan D’Arkës, Gordonit, Senekës, Betovenit, Mocartit, Da Vinçit, Rembrantit etj. Sikurse edhe ndër ne, që pa emrin e Agronit, Bardhylit, Teutës, Gencit, Millesh Nikollë Kopiliqit, Skënderbeut, Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Onufrit, Kristoforidhit, De Radës, Karl Gegës, Dom Mikel Tarabulluzit, Çabejit e deri te Legjenda Adem Jashari.
Me këtë rast shkencat e lartpërmendura do të ishin më të varfra, nuk do të kishin çka të pasqyronin piktorët në tablotë e tyre, dramaturgët, letrarët, poetët, rapsodët, historianët, filozofët dhe vetë jeta e historia njerëzore pa këta emra do të ishte më e zbehtë dhe më e varfër!
Në vazhdim: përmbajtja e mesazhit në këngët tona, në të shumtën e rasteve, kanë për mision mesazhin madhor të tyre, ato janë bartëse besnike të zhvillimit të ngjarjeve që shtrihen nëpër kohë, ngjarje të cilat i duhen historisë për t’i dhënë asaj saktësinë dhe sigurinë në hapësirë – siç e thonë edhe këngët tona:
Prej qat sene qi a kanë hyrjeti
ksaj Kosovës s’ju nda gazepi
u çu hyrjet osmanlia
na erdh Nemci na erdh Serbia…
Kështu, pra, një pushtues ikte nga trojet tona dhe një tjetër vinte!… Mirëpo “ndërrimi” i pushtuesve shqiptarët asnjëherë nuk i vuri në lajthitje. Ata nuk kursyen as jetën, në mënyrë që t’i dëbojnë përfundimisht pushtuesit nga trojet tona. Pavarësisht nga haraçi që paguan, shqiptarët ranë ndershëm në fushën e betejës, por nuk pranuan poshtërimin, siç e thotë edhe kënga me rastin e rrethimit të Kamer Loshit, kur Naçallniku tenton ta detyrojë Kamerin që të dorëzohet e më pastaj ta përulë.
…Naçallniku po i çon fjalë
ti Kamer koke budallë
ty prefekti fjalë t’ka çue
Kamer Loshi me u dorzue
Tri sereze t’kem rrethue
Kraht me i pas s’unesh me pshtue…
Krenaria liridashëse e shqiptarit, përkushtimi i burrave të motit për t’u sublimuar në altarin e lirisë, nuk i luhati ata, as në çastet më të rënda, siç na tregon historia, ecja mbi tehun e shpatës – ku jeta më vdekjen ndahen me një fije floku, nuk i luhati asnjëherë, përkundrazi, ata i dhanë muzës brumin e vendosmërisë shqiptare, si: Halili e Musa i vogël, Oso Kuka, Sylejman Vokshi, Kamer Loshi, Tahir Meha, Adem Jashari e dhjetëra të tjerë.
… Kamer Loshi po i çon fjalë
ty prefekt mos t’qofsha falë
nuk t’bi nore sa t’jam gjallë
për pa u kallë kjo shpi me kashtë
për pa m’ra mu zjarri n’qafë
Po ashtu rapsodi me aq besnikëri shtjellon edhe luftimet e shumta që bënë Azem Bejta e Mehmet Delia me shokë kundër xhandarmërisë serbe, të cilët shumë herë çanin rrethimin, dhe u bënë si të thuash të pakapshëm për pushtuesin serb, madje doli fjala se Azem Bejta po fluturon me gjokun e tij!…
… Te zhupani po bjen buria
ngreh asqerin e hiqnu tina
s’ka çka u banë o shtatë krejlia
dy asllana qe i ka shqipnia
Azem Bejta Mehmet Delia
me ta n’sherr ka ra Serbia
Pushtuesi serb, duke hasur në rezistencë të furishme të Azemit dhe Mehmetit të Vogël, pa dyshim edhe të luftëtarëve tjerë shqiptarë, duke e vërejtur se do të ishin humbës dhe të rrezikuar me jetë, shpesh prijësit e këtyre luftimeve si naçallnikët e vodnikët e shumtë, shprehnin huti dhe pendim pse kishin ardhur aty, duke vëzhguar terrenin në mënyrë që të iknin, madje duke i lënë xhandarët dhe ushtarët e tyre vetëm në fushën e betejës, siç e thotë edhe kënga:
… Falmi zot o krahtë e lehtë
krahtë e lehtë me fluturue
n’Mitrovicë n’mujsha me shkue
prej Azemit n’mujsha me pshute
prej Azemit n’pshofsha vet
për asqer unë s’po e kam dert
Kemi edhe raste të tjera unike dhe interesante: kur bie në kurth vetë spiuni që kishte denoncuar rastin. Ngjarje të tilla kanë ndodhur me rastin e denoncimit të Dan Derocit, Nak Berishës, Kadri Bistricës e dhjetëra raste të tjera. Më autentik është rasti kur rrethohet trimi Bec Sinani.
Bec Sinani, sapo ishte kthyer nga Shqipëria i cili ishte arratisur atje, pasi që kishte likuiduar disa kolon hajdutë serbë, të cilët kishin tentuar që t’ia konfiskonin pasurinë dhe tokën. Beci, pasi që ishte çmallur me nënën dhe me familjen e tij, atë tek xhandarmëria Serbe e kishte spiunuar kumbara i tij, Bajrami. Beci u rrethua nga xhandarët serb, plasi lufta, dhe hafija Bajram Kumbara mbetet në rrethim, duke e parë se jeta i tij po merrte fund nga plumbi i Becit, ai thotë:
… Ban kumbara kuku për mue
dreqi më çoj mua me kallxue
tash ky Beci po m’vret mue
më ka nxanë mu’ puna ngusht
tash po shkoj si qenin n’rrush
Njerëzit e ligj llogaritë i bëjnë me shumë vonesë. Të joshur nga pasionet e tyre të ulëta, gabimin e kuptojnë vetëm atëherë kur janë para grykëhollës, e cila e lanë tradhtinë e tyre njëherë e përgjithmonë. Në të vërtetë në të gjitha kohërat, tek të gjitha etnitë, spiunët janë shtresa më e urryer e shoqërisë.
Nga një segment tjetër: janë edhe qindra këngë të cilat përcjellin edhe mesazhin e dhimbjes së nënave, të motrave, të nuseve për të zot e vet. Janë këto rrugët e syrgjynit që i ndanë nënë e bir, motër e vëlla, burrë e grua… në kohët të ndryshme, që nga Perandoria Osmane e deri tek pushteti mbretërorë, komunist dhe sadist serb. Pa dyshim se dhëmbin edhe ditët e sotme të kurbetit, ku shqiptarët janë shpërndarë anë e mbanë botës së madhe, një pjesë e të cilëve fatkeqësisht nuk do të kthehet kurrë më në gjirin e tokës mëmë!
Vërtetë, kush vuajti më shumë se shqiptarët, siç e thonë edhe këngët:
… “Përtej Urës së Qabesë”, “Shkojnë vaporrat bregut t’detit”, “ Kënga për Ago Ymerin”, për “Arif Sinanin”, “ Mitrua kur u martua”, mandej motivi për hakmarrje si “Kënga e Avdisë”, Kënga “Pushka e Lilës s’po kërcet”, “prej qat sene qe a kan hyrjet” ” etj.
Kemi edhe këngë malli mesazhi i së cilave shkrinë gurë e dru, të cilat zakonisht kanë për motiv vdekjet e rënda tragjike, vrasjet në pabesi, si dhe rrugët e syrgjynit, të burgut, të arratisjes etj. Ndër më të rëndat janë shpërnguljet e dhunshme që shqiptarët i përjetuan që nga Perandoria Osmane e deri te krajlitë serbe; si plagët e braktisjes së Moresë: “Oj e bukura More”, “Shpërnguljet e Çamëve”, e “Filatit” , “Toplica, Vranja e Leskoci” etj.
Kështu edhe nënë Zahideja po qante bijtë e vet: Mehmetin e Vogël dhe Qerimin, që nuk i kishte parë më që nga arratisja e tyre në Shqipëri, derisa sa ajo i mbylli sytë (më 1975, pra për më së 35 vjet), nuk i kishte takuar dhe parë kurrë më! Ajo iku në botën e amshuar me zemër të plasur dhe me mallin e ndryrë në gjoksin e saj të djegur.
Ajo dilte në oborr dhe i kujtonte ata, fliste me vete dhe iu bënte të fala nëpërmjet ndonjë zogu që fluturonte përmbi Radishevë (si dikur Filip Shiroka nëpërmjet dallëndyshes, kur i bën të fala Shkodrës së tij të dashur). Bisedonte me gjurmët e tyre që i kishte ruajtur, mbuluar me rrasa guri, ku ata kishin shkelur për të fundit herë në oborrin e truallit të Radishevës!…
… A po ngon o zog i zi
që po m’knon ti mbi çati
i kam djemtë unë në Shqipni
a i kam mirë unë nuk e di
ik prej k’tu e mos ndjell zi
Ajo kishte frikë zogun e zi, i bëhej sikur po i sillte një lajm ogurzi për të bijtë që i kishte në Shqipëri. Mirëpo nga malli për ta, ajo prapë bisedonte me zogun, dhe i drejtohej atij me fjalët e saja djegur prej mallit:
… Ti mor zog o zog i zi
që këndon ti rrem e’m rrem
thuaje t’drejtën nanësloke
a e ka pa Qerimin t’em
jam ba dheu mua m’më përbi
kam harru çehren e tij
Nënë Zahideja shpeshherë dilte malit tek vendi ku për herë të fundit ishte ndarë me të birin e saj Qerimin dhe nga aty, ajo i çonte atij falëmeshëndet:
… Ka ra n’tokë o dushku i malit
nuk pom hiqet o malli i djalit
kam dal malit o për me t’pa
s’mrami herë ku jena nda
gjurma jote nuk ashtë tha
zemra e nanës n’dysh o nda
Kishte kaluar kohë e gjatë, 30 vjet nënë e bir nuk ishin pa: “Ma as në ëndërr nuk po i shoh!”- thoshte nënë Zahideja, dhe zemra e saj në dysh ishte nda!…
… 30 vjet që s’ju kam pa
edhe andrrat m’u kanë nda
po marr ngryk o lisat e malit
pa më ngajnë në qehre t’djalit.
Trimat nuk qahen me lot dhe lavdia për ta tejkalon elegjitë, ata hynë triumfalisht në portat e mëdha të atdheut, të cilat janë të hapura përgjithmonë, por zemra e nënës – mbetët e tillë!
Vargjet në vijim përshkruajnë Mehmetin e Vogël duke luftuar, madje mes plumbash:
… E kanë gju 5 herë mamzere
as një plumb nuk po ia ngjet
nuk e ka nder mend me dek
pa i dal zot o vendit t’vet
ka Shqipnia djem apet
qe i dalin zot kësaj toke
është Mehmeti i nënës loke
është Mehmeti bashkë me shokë
s’lanë anmik kund përmbi tokë
për këtë tokë do bëhen fli
duan me e ba Shqipninë Shqipni!
Qëndresa dhe sakrifica e Mehmetit të Vogël së bashku me shokë, sikur kishte kaluar caqet e një realiteti që mund të përshkruajë një kronik i kohës. Ato kishin marrë përmasa mitike.
… Fluturim Mehmet Delia
e ka vu këmbën n’zigji
për dy orë a hi n’Shqipni
për dy orë ka hi në Shkodër
ku po e presin malësort n’sofër
thonë ka ardh Mehmeti i Vogël
duan me Currin me u takue
për këto troje meu bisedue
me vdekë po mos me u nënshtrue.
Si përfundim; kënga përqafon në gjirin e vet përjetësisht vetëm personazhet që ushqejnë bimën e saj, bimën e jetës me gjak, dhe vetëm ata i japin jetës dhe këngës kuptim- ndryshe ajo venitet e vdes!…
CH-2013, Mehmet Bislimi