Kryetari Aliu përmbylli vitin 2024 me shumë projekte të realizuara

Paraditen e sotme, i pari i Ferizajt, Agim Aliu ka mbajtur takimin e dytë me qytetarë të Ferizajt, për t’i njoftuar me sukseset dhe sfidat me të cilat është ballafaquar qeverisja lokale në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024, përkatësisht raportin e të arriturave përgjatë gjithë vitit të qeverisjes lokale.

Në frymën e llogaridhënies dhe kulturës së raportimit para qytetarëve, në fjalën e tij, kryetari i Ferizajt Agim Aliu tha se kjo qeveri vetëm gjatë këtij viti ka pasur mbi 10 milione euro obligime nga Kontrata Kolektive. Por, sipas tij pavarësisht gjitha vështirësive dhe sfidave që ka pasur me mjetet financiare është arritur që të realizohen edhe projekte të shuma të infrastrukturës.

Ai ka përmendur përurimin e segmentit të parë të Nënkalimit të ri afër Stacionit të Policisë në Ferizaj, por edhe rikonstriumin e rrugës “Ahmet Kaçiku: në qendër të qytetit.

“Nisëm punimet për rikonstruktimin tërësor e zgjerimin e rrugës “Besim Rexhepi”, nisëm punimet për rikonstruktimin tërësor të rrugës “Tahir Sinani” skaj hekurudhës në qendër të qytetit, me dinamikë të shtuar vijuam punimet për rikonstruktimin e rrugës mbi 4 kilometërshe Varosh- Gurëz, vijuan punimet në projektin me Ministrinë për rikonstruktimin tërësor të rrugës me gjatësi 1,8 kilometra – vazhdimi i rrugës “Rexhep Bislimi” me lidhjen në rrugën “Beau Biden” në drejtim të Gjilanit deri tek rreth rrotullimi që lidhet me autostradën “Arbën Xhaferi” në fshatin Bibaj, asfaltuam një shtresë të rrugës “Cen Dugolli”, por kemi bërë edhe asfaltimin e rrugëve në fshatra si në Varosh, Prelez të Jerlive, Pleshinë, Kosinë, Softaj, Fshat i Vjetër, Bibaj, Lloshkobare, Saraishtë, Mirash, Jezerc, Komogllavë, Greme, Prelez i Jerlive, Burrnik, lagjen Sallahane etj”, ka thënë Kryetari Aliu.

Gjatë këtij takimi Kryetari Aliu, ka thënë se nxënësit e Gjimnazit të Shkencave Shoqërore-Gjuhësore “Dr. Shaban Hashani” si dhe nxënësit e shkollës “Elena Gjika” gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor do t’a fillojnë në objektet e tyre të reja mësimore, duke thënë se i din vështirësitë me të cilat janë përballur nxënësit dhe mësimdhënësit e këtyre shkollave gjatë viteve të fundit. Ai ka përmendur përfundimin e objektit të ri shkollor të shkollës “Dy Dëshmorët” në Talinoc të Muhaxherëve, ndërsa ka theksuar faktin se vetëm gjatë këtij vitit janë ndarë 1080 bursa për studentët ferizajas. Poashtu u tha se janë mbajtur edhe trajnime dhe certifikime të nxënësve, por edhe të mësimdhënësve, si dhe renovimin e shumë objekteve shkollore që janë bërë këtë vit.

Në këtë takim kryetari Aliu është ndalur edhe tek fusha e mjedisit dhe shërbimeve publike duke bërë të ditur përurimin e objektit të ri të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “KRM Pastërtia”, por edhe përfundimin e punimeve në objektin e ri të Stacionit të Autobusëve në Ferizaj, por edhe realizmin e shumë projekteve madhore.

Kryetari Aliu është ndalur edhe në fushën e financave, zhvillimit ekonomik e turizmit, duke theksuar faktin se Ferizaj u zgjodh e para dhe e vetmja nga komunat e mëdha për transparencë buxhetore komunale për vitin 2023 nga Instituti GAP. Ndërsa sa i përket fushës së shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, Kryetari Aliu ka përmendur ndërtimin e dy objekteve të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, bashkëfinancim me MSH, si dhe në ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare nr. 2 në rrugën “Remzi Hoxha” bashkëfinancim me organizatën Qatar Charity.

Numri një i qytetit të Ferizajt, është ndalur edhe tek fusha e bujqësisë ku u përkrahën dhe u mbështeten si asnjëherë më parë bujqit dhe fermerët ferizajas me pajisje dhe mekanizëm bujqësor.

Aliu ka folur edhe për kulturën, rininë dhe sportin, duke thënë se tashmë ka përfunduar projekti zbatues dhe është shpallur procedura e prokurimit për stadiumin e ri futbollistik “ Ismet Shabani”.

“Lidhëm memorandumin e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit me Ministrinë e Kulturës, për vazhdimin e punimeve në ndërtimin e Pallatit të Kulturës, shënuam suksese kulminante sportive, si fitues të Superkupës së Kosovës me Klubin e Hendbollit të Femrave “Ferizaj”, po ashtu Fitues të Kupës së Federatës në volejboll me ekipin “Fer Volley” në kategorinë e femrave dhe Klubin e Volejbollit “Ferizaj” në kategorinë e meshkujve, përfaqësuam Ferizajn në Paradën e Shqiptarëve në Tiranë më rastin e Festave të Nëntorit me pjesëmarrjen e grupeve artistike, sportive, mantelbardhëve dhe zyrtarëve institucional nga Komuna e Ferizajt, Ansambli Artistik i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” i Ferizajt me pjesëmarrjen në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës” i solli Ferizajt dy çmime të rëndësishme – Çmimin “Ansambli më i mirë” dhe “Instrumentisti më i mirë”, si dhe organizuam ngjarjet kulturore identitare të Ferizajt si Festivali i Teatrove – Edicioni 54, Festivali “Kosovarja Këndon” që paraqesin vlera të trashëgimisë shpirtërore kombëtare”, është shprehur Aliu.

Kryetari Aliu si sfidë gjatë këtij takimi ka përmendur obligimet financiare nga Kontrata Kolektive si dhe mungesën e mbështetjes me projekte nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Pas fjalës së Kryetarit, të pranishmit në sallë kanë falënderuar këtë të fundit për të gjitha investimet që janë bërë gjatë këtij vitit, ndërsa kanë parashtruar edhe një varg kërkesash për projekte të tjera për vitet në vazhdim.

Kërkesave të qytetarëve ju janë përgjigjur drejtorët e Drejtorive Komunale të pranishëm në sallën e Kuvendit të Komunës së Ferizajt.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) mbajti mbledhjen e Dymbëdhjetë për vitin 2024

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, është mbajtur mbledhja e dymbëdhjetë e Komitetit për Politikë …