Ahmet Qeriqi: Lajme tragjike nga kufiri. Nuk dihet numri i ushtarëve tanë të rënë në pritat e armikut. (E hënë 14 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Lajme tragjike nga kufiri. Nuk dihet numri i ushtarëve tanë të rënë në pritat e armikut. (E hënë 14 dhjetor, 1998)

Në mëngjes, kur edhe zakonisht fillon aktiviteti ynë ditor, Sokol Dobruna dhe Martin Çuni janë nisur për në Divjakë, ndërsa Ramadan Dobra duhet të depërtojnë deri në Kizharekë e prej andej kalon në pjesën qendrore të Drenicës. Me ta kemi shkuar edhe unë, Reshat Gashi, Elez Durmishi dhe Ilir Dugolli. Po sot për Prishtinë kanë udhëtuar bija e Martinit, Teuta dhe Shqipja e Berat Luzhës.

Gjatë para ditës në intervale kohore janë dëgjuar krisma dhe detonime brenda në kompleksin pyjor të Blinajës.

Nga burime të ndryshme të agjencive botërore bëhet e ditur se në brezin kufitar në malet e Gorozhupit të Hasit, shumë ushtarë tanë kanë rënë në pritë të forcave policore dhe ushtarake serbe. Lajmet janë shumë kontradiktore. Burimet tona në Anadrin e kanë verifikuar këtë lajm, por nuk dihet për numrin e saktë të të rënëve. Flitet se në radhët e para ka rënë njëri ndër komandantët e Drenicës, por nuk bëhet i ditur emri.

Sipas të dhënave që ka komanda e Batalionit, dihet se në këtë formacion të ushtarëve që kanë shkuar për armatim dhe municion janë edhe 23 ushtarë të Batalionit tonë. Situata është e tendosur dhe ende nuk kemi të dhëna të plota.

Në mbrëmje kemi shkuar te Ali Mullini  në Pjetërshticë. Aliu me disa ushtarë përmes një motori të mikserit të vogël kanë rregulluar një central të vogël elektrik për prodhimin e energjisë elektrike. Atje, në mbrëmje shumë nga ushtarët që nuk janë në detyrë i përcjellin lajmet. Oda e Ali Mullinit është e mbushur përplot. Sapo fillon ditari i TVSH-së jepet informacioni për rënien e ushtarëve por nuk flitet për shifra konkrete. Dihet vetëm se dhjetëra ushtarë kanë rënë në altarin e atdheut, ndërsa disa të tjerë që janë plagosur gjatë luftimeve janë rrëmbyer nga policia serbe. Në mesin e të rënëve ka edhe ushtare të UÇK-së.

Të gjithë ndihemi të shqetësuar për humbjen.

Në mesin e këtij formacioni janë edhe shumë ushtarë dhe vullnetarë tanë.

Është e natyrshme dhembja dhe shqetësimi për të gjithë, por kësaj radhe si duket neve na ka goditur më fort se të tjerët.

Pas darke kthehemi nga Pjetërshtica me dhembje të thellë. Gjatë kthimit më kujtohet ajo nata e bezdisshme e 3 nëntorit kur në një rimorkio traktori ishin tubuar ushtarët që prisnin të niseshin. Nuk më shqitet nga mendja ajo mjegulla e jashtëzakonshme në Grykën e Shpëtimit. Edhe tani kur po i shkruaj këto zhvillime kryesore të ditës, më duket se parasysh më vijëzohet ai imazh i trishtimit dhe i pikëllimit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Si gjithnjë me halle e derte (E enjte 10 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Si gjithnjë me halle e derte (E enjte 10 dhjetor, 1998)

Së bashku me Reshat Gashin i cili e nget veturën e kemi përcjellë deri në …