Izraeli ka miratuar plan për zgjerimin e vendbanimeve në Lartësitë Golan
Qeveria e Izraelit ka miratuar sot një plan për të zgjeruar vendbanimet izraelite në Lartësitë Golan, zonë e Sirisë por e pushtuar nga Izraeli në vitin 1967 dhe e aneksuar në vitin 1981. Në njoftimin për këtë vendim thuhet se qeveria po vepron “në dritën e luftës dhe frontit të ri me të cilin përballet Siria”. Zëri i Amerikës citon kryeministrin e Izraelit, Benjamin Natanjahun të ketë thënë se “Forcimi i Golanit forcon shtetin e Izraelit dhe është veçanërisht i rëndësishëm në këtë kohë. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë atë, ta bëjmë atë të lulëzojë dhe të vendosim kolonë”. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz ka deklruar sot se kërcënimet nga Siria vazhdojnë të ekzistojnë pavarësisht tonit të moderuar të udhëheqësve rebelë që rrëzuan presidentin Bashar al-Assad një javë më parë. Ndërkohë, udhëheqësi de fakto i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, ka alarmuar se Izraeli po përdorte pretekste të rreme për të justifikuar sulmet e tij në Siri, por se ai nuk është i interesuar të përfshihet në konflikte të reja pasi vendi po përqendrohet tek rindërtimi.