Ahmet Qeriqi: Ende nuk kemi të dhëna të plota për ushtarët tanë që kanë rënë në kufi (E enjte 17 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ende nuk kemi të dhëna të plota për ushtarët tanë që kanë rënë në kufi (E enjte 17 dhjetor, 1998)

Ende jemi në një shqetësim në rritje për të rënët në brezin kufitar me Shqipërinë. Në grupin i cili është nisur më 5 nëntor për të Shqipëri kanë qenë 23 ushtarë dhe vullnetarë nga Batalioni, Ruzhdi Salihu, prej tyre shtatë pjesëtarë të Batalionit. Kemi informata të sigurta se dhjetë prej tyre janë gjallë. Për të tjerët ende nuk kemi të dhëna të plota. Flitet se disa gjysmë të mërdhirë janë zënë rob. Burimet serbe japin informacione se shumica e të rënëve janë nga Shtimja, Lipjani, Malisheva, dhe nga Fshatrat e Drenicës.

Derisa po prisja të vinte Elezi me ndonjë informacion të ri lidhur me të rënët në kufi, më tregojnë se kanë ardhur për të biseduar Musë Jashari dhe Haxhi Shala, komandant Topi. Së bashku me ta ka ardhur edhe Luani, Ramiz Qeriqi.

Pasi jemi përshëndetur, Musa ka kërkuar nga unë informata se kush, sipas tij, ua ka ndaluar punën dy arsimtarëve të Krojmirit. Atij i intereson se a është urdhër i ndonjërit në shtab të cilin e kam përcjellë unë, apo urdhëresë e Shtabit civil vendor, për të cilin ai nuk merakoset. Meqë është në pyetje, Musë Jashari, një luftëtar i një familjeje shumë meritore me 12 të rënë gjatë betejës së Jasharëve në Prekaz më 5.6 dhe 7 mars të këtij viti,    i bëj me dije se askush nuk ka lëshuar vendim të tillë as me shkrim as gojarisht. Krejt kjo është punë e kurdisjeve prapashpine. Ndërsa sa më përket mua personalisht, po të pyetesha, personat që janë kundërshtarë të hapët të luftës, bijtë e denoncuesve me damkë dhe aktualisht denoncues, nuk do t`i lejoja të punonin në arsim, sidomos tani kur lufta për liri ka marrë përmasa. E marr me mend se që të dy janë të keqinformuar   por më habit  fakti përse këta luftëtarë të dëshmuar aq lehtë bien pre e paragjykimeve dhe në vend që ta marrin në pyetje denoncuesin dhe ta shoshitin punën e tij, ata ngarendin në drejtim të yshtjeve të tyre. Dhe krejt kjo bëhet sot, kur tërë fshati është në ankth e pritje për të rënët në kufi…

Në mbrëmje me Martin Çunin dhe Luanin kemi depërtuar në Divjakë. Kam biseduar me Jakup Krasniqin lidhur me të gjitha problemet dhe prapaskenat duke kërkuar të dijë se kush është ky farë NN dhe a ka fare ai dijeni lidhur me punën dhe aktivitetin tonë në Krojmir. Jakupi  më premton se do të bisedojë me Finon.

Jakupi është i interesuar që në familjen tonë në Krojmir të sjellë bashkëshorten dhe fëmijët, meqë qëndrimi i mëtejmë në Negroc është me rrezik.

Rreth orës 20.00 ka ardhur Luani dhe kemi kontrolluar disa fotografi të filmuara nga televizioni, por nuk kemi arritur të identifikojmë asnjërin nga të rënët. Natën vonë Martini Luani dhe unë jemi nisur nëpër Grykën e Thatë në drejtim të Krojmirit…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Si gjithnjë me halle e derte (E enjte 10 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Si gjithnjë me halle e derte (E enjte 10 dhjetor, 1998)

Së bashku me Reshat Gashin i cili e nget veturën e kemi përcjellë deri në …