(Historia e 30 amerikanëve që ranë dhe shpëtuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore)
Në shtator 1943, pas kapitullimit të Italisë fashiste në Shqipëri ishte përhapur lajmi aq i mirëpritur se aleatët anglo-amerikan do të zbarkonin këtu.Kjo siç dihet nuk ndodhi, veçse opinioni ishte përgatitur. Por gjithë kjo shpresë nuk shkoi fare kot. Sado pak ,(simbolike) një togë ushtarakësh amerikane të shendetësisë do të zbarkonte,ndonëse pa dashje.
Me 8 nëntor 1943 në Çestije të Belshit, në Elbasan, bie një avion amerikan transporti Dakota C-53. Avioni ishte nisur, bashkë me dy të tjerë, nga Katania e Siçilisë në drejtim të Barit të Italisë. Por për shkak të një stuhie, që e zuri në rrugë, ishte ndërprerë ndërlidhja me bazën dhe pas 5 orë fluturimi të shqetësuar mes reve, ish gjetur një vend i sheshtë ku avioni u ul me zhurmë. Kishte rënë në Shqipërinë e pushtuar nga gjermanët. Këta pasi e kishin gjuajtur kur kishte kaluar mbi Kuçovë, u sulën menjëherë drejt vendit ku kish rënë. Por, para tyre,kishin arritur banorët e fshatit Cestije dhe një grup partizanësh , të cilët e dogjën avionin dhe i morën pasagjerët dhe ekuipazhin në mbrojtje. Njëri syresh,që më vonë doli se ishte Hasan Gina,qëndronte majë një kali të bardhë., mbante një gunë të zezë,një pushkë në sup , një gjerdan fishekësh në gjoks dhe dy granata dore i vareshin te rripi i mesit.
“ Amerikano!Amerikano ! thirri ai. Rrëmbeu dorën e djathtë të Jensen dhe e tundi “Ky dukej ai tip burri që ia vlente ta takoje. Hasan Gina,do të shkruante më vonë Piter Lucas, ishte ose një origjinal ose një Marion Brando i ri në rolin e tij në një film të mirë lufte.( Rrumpalla,2008) Hasan Gina dhe grupi i tij i partizanëve që komandonte e shpetuan dhe e shoqëruan grupin e amerikanëve në një pjesë të udhëtimit në Shqipërinë e Jugut.
Avioni amerikan kishte pasur në bordin e tij 30 vetë, prej tyre 13 infermiere të skuadrës së evakuimit ajror,(të gjitha nëntogere *) 13 sanitarë ( burra) dhe ekuipazhi prej 4 vitesh. Patën fat që nuk u dëmtuan në rënie( vetëm një plagosje të lehtë në gju),po edhe më shumë që kishin rënë në një zonë të kontrolluar nga partizanët. Këta , bashkë me banorët e Çestijes, i morën me vete i fshehën dhe i mbajtën në shtëpitë e tyre. Kur erdhën nazistët gjetën avionin e djegur.
Por amerikanët nuk mund të qëndronin aty, do të lëviznin. Dhe nuk ish e lehtë t’i shmangeshin kontaktit me armikun. Në të gjithë rrugën që ata përshkuan nëpër Shqipëri u shoqëruan dhe u siguruan nga forcat partizane dhe populli. “ Për 62 ditë 29 kolegët e mi dhe unë u shmangeshim menjëherë patrullave armike, ndërsa endeshim në këmbë në malin e ashpër, zvarriteshim në shi, në llohë bore ose nën diellin e shndritshëm, gjithmonë në kërkim të ushqimit dhe të banesës. Ne vazhdimisht ishim përballë fatkeqësisë së dizanterisë, plagëve të mbushura me qelb,hepatitit dhe trupit me morra” do të shkruante për këtë ngjarje pas 49 vjetësh, më 1992, njëra nga personazhet kryesore të kësaj “ aventure shqiptare”, ish nëntogerja Agnes Jensen Mangerich.
Nga Belshi, grupi 30 i amerikanëve arriti në Beratin e lirë,asokohe, ku populli në të dy anët e rrugës i duartrokiste ata që po hynin në qytet. Qëndruan aty gati dy javë. Me porosi te qarkorit të Partisë Komuniste ( Kahreman Yllit) me grupin e amerikanëve shkoi si përkthyes mësuesi Kosta Stefa. Pritja e Beratit ishte shumë miqësore.
Por në një nga ditët gjermanët sulmuan Beratin . Grupi i amerikanëve u tërhoq me luftë prej aty dhe kaluan në Përmet. Gjthnjë të shoqëruar nga grupe partizane që ia dorëzoni njëri tjetrit grupin e amerikanëve. Deri edhe çobanët ndihmonin. Po në Berat kishin mbetur tri infermiere amerikane,të cilat kështu u shkëputën nga grupi kryesor.
Për grupin e amerikanëve ishte vënë në dijeni edhe misioni anglez që ndodhej në Korçë dhe togerit Geri Dafi të këtij misioni, iu ngarkua detyra të shoqëronte edhe ai këtë grup drejt bregdetit. Kjo duhet të ketë ndodhur rreth 30 nëntorit 1943. Togeri anglez kish mundur të informonte në radio shtabin e tij në Kajro për fatin e grupit amerikan. Per ta ishte informuar Presidenti i SHBA, Ruzvelt, i cili kishte kërkuar veçanërisht gjetjen dhe evakuimin e grupit të vajzave dhe djemve të rënë në Shqipëri dhe e monitoronte çdo dite situatën e tyre. Për këtë AAF- ja amerikane kishte nisur për Shqipëri një oficer të OSS ( Shërbimi i zbulimit strategjik,paraardhës i CIA-s), që të lidhej me grupin dhe t’i nxirrte prej ketu. Ky oficer i zbulimit strategjik ishte pikërisht kapiteni 24 vjeçar Llojd Smith. Ky do të qëndronte në zonën e Bregdetit shqiptar të Jonit në pritje të lidhjes me grupin.
Në rrethin e Gjirokastrës grupi bëri një pushim. U mendua dhe u provua që grupi të evakuohej nga ajri. Por kur u bënë gati anglezët për t’i marrë, kjo u bë e pamundur meqë gjermanët kishin pushtuar zonat përreth dhe aerodromin e Gjirokastrës . Kështu ulja e aeroplanëve në tokë paraqiste rrezik. Nga Italia anglezët dërguan dy skuadrilje avionësh, të cilët fluturuan mbi Gjirokastër. Oficeri britanik e pruri grupin e amerikanëve pranë aerodromit, por meqë atje gjendeshin dy makina të blinduara në rrugën kryesore, tamam matanë lumit, ai me të drejtë refuzoi të jepte sinjalin për aeroplanët që të uleshin, pavarësisht nga lutjet histerike të grupit që shoqëronte (B. Tilman “ Atje ku njerëzit dhe malet takohen” f.142)
Me 6 janar grupi amerikan kishte arritur në zonën e bregdetit. Në Kallarat e Tërbaç, kujton LLojd Smith, na pritën aq mirë sa s’ka. Aty Smith takoi Hodo Meton, ish mësues, agjent i OSS amerikane. .Janë të lodhur dhe të uritur i thashë. “ Mos ki merak “ më tha. Rrugës së bregdetit i shoqëruan gjashtë shqiptarë, të ndarë dy nga dy në tre grupe, duke lëvizur natën e me shumë kujdes nga shtëpia e Xhelil Ymer Çelës në Dukat në atë të Jeronim Dunit e të Jani Markos në Dhërmi,pastaj në Vuno sa dolën në Gjongjilekë. Këtu një anije naftëmbajtëse angleze i mori pas mesnate dhe i dërgoi në Bari të Italisë. Kishin ecur mbi 800 milje për 62 ditë nëpër Shqipëri. Smith,i graduar major që në janar, nga suksesi i operacionit të parë, do të vinte përsëri në Shqipëri në mars për të evakuar tri infermieret e mbetura pas në Berat.
MESAZHI- AMANET
Historia interesante e 30 amerikanëve në Shqipëri që shpëtuan mrekullisht në sajë të ndihmës së partizanëve dhe të popullit , ose ndryshe “ aventura shqiptare” e tyre, që spikat për dramatikën e saj,por që flet shumë për pritjen miqësore aq karakteristike të shqiptarëve, mbeti e panjohur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Madje përkthyesi i anglishtes,Kosta Stefa, nga qyteti i Beratit,( në shtëpinë e të cilit dy javë kishte qëndruar Agnes Jensen),pas çlirimit qe pushkatuar i akuzuar si agjent i SHBA. Ndërsa në SHBA njerëzit flisnin dhe shkruanin me simpati për popullin shqiptar dhe forcat partizane që u shpëtuan jetën vajzave dhe djemve të tyre. Më 1946 Tilman, që kishte qenë në Shqipëri me 1943, dhe ishte takuar me grupin e vajzave në Gjirokastër, në dy faqe të një libri që botoi shkruante dhe për këtë ngjarje.
Më 1986 në Shqipëri kish ardhur gazetari i mirënjohur amerikan me origjinë shqiptare Piter Lukas, i cili kishte kaluar gjithë intenerarin e kohës së luftës të grupit të amerikanëve. Për këtë ai shkroi në shtypin amerikan dhe botoi një libër për ngjarjen.
Në tetor 1995 ai do të shoqëronte në vizitën e saj në Shqipëri Agnes Jensen Mangerich me të bijën, Karen Anne dhe të birin, Jon Riçhard. E pritur miqësisht , ish nëntogerja e ushtrisë amerikane( më 1995, 81 vjeçe) ajo bëri një vizitë në disa nga vendet ku kish kaluar, nga Elbasani në Berat, dhe ish emocionuar nga takimet me njerëz që kishin jetuar ngjarjen.Tepër prekës kish qenë takimi me miken e saj në Berat,Eleni Stefa, bashkëshorten e ish përkthyesit të kohës së luftës. Të dyja kishin pushtuar njëra tjetrën ndërsa u rridhnin lotët çurk. “ E takova miken time dhe e ngushëllova për vdekjen e të shoqit, Kostës ,ish përkthyesit tonë. Kam ndjerë një dhimbje të madhe, nuk di si ta shpreh”,do të thosh Jensen.
Në një ceremoni të bukur në Ministrinë e Mbrojtjes, Komisioni Qendror i Statusit të Vereranit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare i akordoi Agnes Jensen Librezën e Nderit të Vereranes së Luftës së Popullit Shqiptar, të cilën ajo e mori me shumë emocion dhe tha se do ta mbante si gjë të shtrenjtë në shtëpinë e saj. Vajzës dhe djalit u thoshte:”Shqipëria është vendlindja ime e dyte”
Me të shkuar në SHBA, Jensen u tregonte me krenari të tjerëve Librezën e Nderit të Veteranes se Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare . Madje ajo ishte ftuar edhe në një pritje që kish dhënë ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Wiliam Peri,në të cilën “të gjithë ishin shumë të interesuar të dëgjonin për ceremoninë e nderit ( në Shqiperi) dhe të shikonin Çertifikatën time të nderit te veteranes” do të më shkruante Ajo më pas.
Vizita e Jensen Mangerich në Shqipëri dhe shkrimet e Piter Lukasit kishin zgjuar edhe një amerikan tjetër. Në shtator 1996 do të vinte në Shqipëri Llojd Smith. Pyetëm historianë dhe veteranë të Luftës se mos dinin gjë për të, por askush nuk jepte një përgjigje. Menduam se do të ishte ndonjë nga amerikanët e grupit të avionit që ish rrëzuar në Çestije të Elbasanit.
Por nuk ishte ashtu. Llojd Smith, ish kapiten i zbulimit strategjik amerikan ish nisur nga komanda e tij më 1943 të vinte në Shqipëri për të rënë në kontakt me grupin e vajzave dhe të djemve. Shërbimi i tij kishte qene “ top sekret”.
Edhe Smith, më 1996, plot emocion dhe energji bëri një vizitë në zonat e bregdetit ku kishte qene gjatë Luftës. Madje i mirëpritur në po atë shtëpi nga djemtë e nipërit e tyre. Tepër i kënaqur nga pritja , por edhe zhbirues si një zbulues profesionist. Në njërën nga këto shtëpi në një natë janari të vitit 1944,i zoti i shtëpisë i kish dhënë në dorë një pushkë, e cila tek po e shihte, i kishte shkrepur dhe pumbi kishte shpuar tavanin. Kur po ia tregonte më 1996 të birit ,( që kish qenë i vogël atëherë) ai i thotë :
” Po, tamam ashtu, ja dhe vrima e plumbit në tavan që nuk e kemi prishur”. Llojd Smith, i befasuar,por dhe shumë i kënaqur, ngrihet dhe e përqafon.
Llojd Smith, veteran i Luftës së Dytë Botërore, veç një albumi me foto nga kjo Luftë ( në të cilin kish zënë vënd dhe ngjarja e grupit të 30 amerikanëve në Shqipëri) kishte sjellë një dokument interesant, një mesazh të Komandantit të Forcave Amerikane në Lindjen e Mesme, gjeneral majorit Ralf Rojs, drejtuar popullit shqiptar ku vlerësohej ndihma dhënë vajzave,burrave dhe ekuipazhit të avionit. Po e japim të plotë këtë dokument **:
SHTABI I FORCAVE TE ARMATOSURA TE SHTETEVE TE BASHKUARA NE LINDJEN E MESME.
Kajro, Egjypt
20 janar 1944
Majorit Llojd Smith,
Nëpërmjet raportit tuaj, gjeneral majori Ralf Rojs, komandant i Forcave amerikane ne Lindjen e Mesme ka qenë i informuar për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe ndihmën që i është dhënë grupit të infermiereve amerikan dhe aviatorëve që u ulën në Shqipëri. Gjeneral Rojs ka kërkuar që t’u bëhet vlerësimi i mëposhtëm këtyre njerëzve në emër të Ushtrisë së SHBA: “Si komandant amerikan i teatrit të Lindjes së Mesme kam dëshirë të shpreh vlerësimin tim për ndihmën dhe drejtimin e bërë nga ju grupit të infermiereve amerikane dhe aviatorëve të mbetur në vendin tuaj. Evakuimi i tyre i sigurt i detyrohet shumë bashkëpunimit miqësor të popullit tuaj. Për këtë ne u jemi shumë mirënjohës.”
Në momentin më të parë ju duhet ta çoni këtë mesazh në vendin e duhur.
Paul West
Nënkolonel i Këmbësorisë
Piter Lucas ka shkruar se gjatë udhëtimit të tyre nëpër Shqipëri, një pjesë të grupit e kishte takuar vetë Enver Hoxha.( P.Lucas) ”Një natë u gjendëm në një dhomë me Enver Hoxhën”, do t’i shkruante Lucasit, Harold Hayes, njëri nga ish sanitarët e grupit. Këtë gjest të partizanëve shqiptarë “që bënë veçse detyrën e tyre të bashkëluftetarit dhe të aleatit “ Enver Hoxha do ta përmendte në fjalën e tij para Konferencës së Paqës në Paris,më 21 gusht 1946 .(Më pas ngjarja nuk do të kujtohej më në këtë kontekst,ndërsa përkthyesi i grupit, Kosta Stefa, do të vritej, Hasan Gina, më vonë, do të dënohej me burg pse kish folur kundër partisë.)
Ndërsa megjithë përpjekjet mesazhi i gjeneralit Rojs nuk u bë e mundur të vinte në Shqipëri. Vetëm pas 52 vjetësh ,kur kish siguruar një fotokopje të deklasifikuar së fundi nga Arkivi i Ushtrisë së SHBA, koloneli në pension , Smith e solli këtë dokument në Shqipëri, duke plotësuar një detyrë dhe një amanet.
Kjo ngjarje interesante e ndodhur 67 vjet më parë ishte një mesazh miqësie në kohë lufte .Ajo flet më së miri për për ndjenjat miqësore të popullit shqiptar për SHBA,por edhe për lidhjet e bashkëpunimin në kuadrin e koalicionit të madh Antifashist Botëror.
Më 2012 historiani amerikan Bernd Fischer botoi librin “Shqipëria 1943-1945” në të cilin u botua Raporti dokumentar në lidhje me njohjen e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë,shkruar më 1945 nga misioni special i Departamentit te shtetit në Tiranë. Në këtë raport gjejmë një vlerësim edhe për rastin e shpëtimit të infermierëve amerikanë e të aviatorëve .Ne pikën 2 rreth “ Qëndrimi i shumicës dërmuese të popullit shqiptar “ shkruhet : “Ai ka demonstruar ndjenjat e tij thellësisht miqësore ndaj demokracive perëndimore në shumë mënyra dhe në shumë raste. Pjestëarët e trupave ushtarakë aleate që u gjenden në tokën shqiptare patën kujdesin dhe u mbrojtën nga njerëzit e thjeshtë të këtij vendi dhe nga grupet e rezistencës,që iu dha një ndihmë dhe një mbrojtje të tillë duke rrezikuar edhe jetën e tyre.” Më poshtë Raporti prek drejpërdrejt rastin e infermjereve amerikane kur shkruan “tridhjetë të tjerë mundën të shkonin për dy muaj nga njëri fshat në tjetrin në Shqipërinë Qendrore e Jugore, ku gjetën kujdesin dhe mbrojtjen e duhur pa u tradhtuar” ( Shqipëria 1943-1945” f.108) Për ngjarjen ka botuar kujtimet e saj Agenes Jensen, Albanian escape” ( Shpëtimi në Shqiperi)dhe kohet e fundit ka botuar një liber Cate Lineberry: “ The secret rescue” ( Shpëtimi secret).
Vitet e fundit kjo temë e shpëtimit të infermiereve amerikane në Shqipëri është parë të trajtohet edhe ne vendin tone ne faqet shtypit te shkruar,në internet,në radio e TV .Këtë ngjarje e sjell ne një studim edhe historiani Hamit Kaba,në trajtimin e te cilit bie në sy një vlerësim i njëanshëm, kur shpëtimin e tyre gjatë dy muajve ia dedikon kapitenit Llojd Smith “ i cili ,shkruan H.Kaba, në bashkëpunim me Misionin Amerikan dhe atë britanik mundësoi kthimin e tyre në Itali brenda një periudhe dy mujore”.Nuk përmenden këtu kontribuesit kryesor,populli shqiptar,forcat e tij te Rezistencës Antifashiste, partizanet që i gjetën, i siguruan dhe i shoqëruan për dy muaj dhe ia dorëzuan kapitenit Smith në bregdet, ku ai po priste. Ndryshe shkruan ne mesazhin e tij , gjeneral-majori Ralf Rojs , komandant i Forcave amerikane në Lindjen e Mesme :”Evakuimi i tyre i sigurtë i detyrohet shumë bashkëpunimit miqësor të popullit tuaj”
Sot, kur 15 vjet më parë forcat e NATO- udhëhequr nga SHBA çliruan Kosovën,djemtë dhe nipërit e atyre vajzave dhe djemve të Luftës së Dytë Botërore i dhanë popullit shqiptar një ndihmë kolosale me rëndësi të jashtëzakonshme historike. Shqipëria është sot nje shtet demokratik anëtare e NATO-s , përkrah SHBA, përkrah forcave të saj të armatosura , në Irak , në Afganistan ,kudo që e kërkojnë interesat e paqës e të sigurisë
SALI ONUZI, kolonel në rezervë
Ish drejtor i Departamentit të Veteranëve te Luftës ( 1995-2001).
-Nick Cloney ka shkruar në “ Cincinnati Post” :”Duke shfletuar librin ( e Agnes Jensen Mangerich,) arrita në pjesën e fotografive, pashë infermjeret, vajza të reja, pas shpëtimit. Ishin të bukura. Të gjitha. Nëqoftëse Hollivudi do të vendoste ndonjëherë të bënte një film për historinë e tyre, do të ishte e vështirë të gjenin artiste mjaftueshëm tërheqëse dhe trimëresha,për t’i portretizuar ato plotësisht”
-Dokumenti është dorëzuar në Arkivin Qëndror të Shtetit shqiptar.
-Hamit Kaba: Qëndrimi amerikan ndaj Shqipërisë në vitet e rezistencës (1943-1944) në Studime Historike,2009 (3-4)f.67-81.