Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian ka miratuar, konkluzionet për procesin e zgjerimit

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian ka miratuar në Bruksel konkluzionet për procesin e zgjerimit, ku një fokus i veçantë i është kushtuar Kosovës dhe Serbisë. Në dokumentin e miratuar, vendet anëtare të BE-së kanë rikujtuar përkushtimin për zgjerimin, duke e bazuar këtë në meritat individuale të vendeve që aspirojnë integrimin, dhe kanë theksuar rëndësinë e zbatimit të reformave dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve bilaterale. Në konkluzionet e BE-së, Kosova dhe Serbia janë ftuar të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në shkurt dhe mars 2023, pa vonesa dhe parakushte. BE-ja theksoi se përparimi në këtë marrëveshje mbetet kusht kyç për afrimin e të dyja vendeve me bllokun evropian. Nga Kosova, Bashkimi Evropian kërkon që të nisë pa vonesa themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në konkluzione thuhet qartë se Qeveria e Kosovës duhet të procedojë me draft-statutin e BE-së në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Në të njëjtën kohë, BE-ja ka konfirmuar se masat ndaj Kosovës janë të kthyeshme dhe se ato do të hiqen gradualisht, paralelisht me hapat që Kosova ndërmerr për të shtensionuar situatën në veri.

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami: Shuma e kredive të qytetarëve në banka ka arritur në 5 miliard e 600 milion euro

Ekspertja e ekonomisë, Hykmete Bajrami ka shkruar se përderisa pushteti po bën përpjekje për t’i …