Behxhet Shala; Albin Kurti është në krye të listës për ta thyer rekordin paraprak me fantastikën shkencore, duke kërkuar 500 mijë vota

Në një publikim autorial, veprimtari dhe analisti, Behxhet Shala ka shkruar se Partia Vetëvendosje, Cezari i saj, e bëri prezantimin e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Përpos një ikonografie krejtësisht propagandistike – pornografike nga mungesa e rezultateve, pati aso mashtrime dhe devijime nga realiteti, të padenja edhe për Grofin Minhauzen, sinonim i rrenave dhe mashtrimeve. Listat ishin bërë publike më herët, LV-ja ofroi listën në minutën e prej të cilëve afërsisht 95 për qind ishin ricikluar nga zgjedhjet e fundit kur kjo parti  e prirë nga presidentja e tashme, Vjosa Osmani fitoi mbi 50 për qind të votave. Albin Kurti nuk ishte pjesë e listës, për shkaqe ligjore. Tash, Kurti është në krye të listës në përpjekje të thyejë rekordin paraprak prandaj i ka hyrë së thelli fantastikës shkencore duke kërkuar 500.000 vota. Arsyetimi nuk është të hyjë në librin e rekordeve të Ginisit, por të “lirohet” nga Lista Serbe dhe “opozita e stërvjetëruar” që edhe ia bënë shtetin dhe ia lanë karrigen e Kurtit të cilën, me dëshirë kurrë nuk e liron. Nëse dikush bënë aq shumë përpjekje për të ardhur në pushtet duke shkelur mbi të gjallë dhe të vdekur atëherë nuk lë të zezë pa bërë për ta mbajtur pushtetin. Në këtë pozitë sot është Kurti mirëpo nuk besoj se do ia dalë te 500.000 vota.

Mund të shkojë deri në 499 mijë e999 vota, nëse luajmë lojën e ko…e apo filxhanëve anatomikë. Mirëpo, në aspektin psikologjik mirë po e luan lojën mashtruese duke bërë përpjekje që perceptimin ta shndërrojë në fakt, dëshirën në nevojë, rrenën ta paketojë si të vërtetë. Tamam metodë gebelsiane. Herën e parë kërkonte mbi 50 për qind të votave me arsyetim që tani i kërkon 500.000 vota, lirim por jo edhe çlirim nga Lista Serbe sikur edhe lirim nga “opozita e  stërvjetëruar”. Dhe, cili ishte rezultati?! E trashi miqësinë me Listën Serbe duke e përdorur sekseren Kusari për komunikime të rregullta kundër UÇK-së dhe Kosovës sikur që e kthjelli opozitën duke e mobilizuar në aktivitete në diasporë sikur edhe brenda Kosovës.

Merreni p.sh. listën e propozuar për deputetë nga Cezari i LV-së dhe i gjeni së paku 10 veta që kanë kontribuar personalisht apo familjarisht për lirinë e Kosovës dhe shqiptarët. Nuk i gjeni edhe nëse jeni akrobat i improvizimit! Ndërsa, lehtësisht i gjeni 60-70 për qind që nëse personalisht nuk kanë punuar për Jugosllavinë dhe Serbinë, paraardhësit e tyre ishin në vijat e para të frontit kundër patriotëve shqiptarë. Ka kandidatë që kanë një trashëgimi kombëtare dhe patriotike, por që jo se nuk e kanë vazhduar zinxhirin e gjenetikës kombëtare dhe patriotike, por i kanë turpëruar paraardhësit, qoftë nëse janë gjallë apo që është edhe më keq varret e tyre dhe kujtimin për ta.

Albin Kurti dhe LV -ja nuk e urrejnë Listën Serbe, ata i urrejnë udhëheqësit e luftës që e fituan luftën, e sollën lirinë, e krijuan shtetin dhe e sollën pavarësinë duke siguruar mbi 115 njohje dhe afirmim ndërkombëtar. Çka bëri LV-ja për këtë mandat, asnjë njohje, asnjë anëtarësim, pamundësoi anëtarësimin në Këshill të Evropës për një kohë të gjatë duke siguruar një të arritur të pakundërshtueshme – futjen e sanksioneve. Nuk iu pëlqyen Trampi dhe Grenelli, por as Bajdeni dhe Blinkeni. Nuk iu pëlqen Edi Rama e Ali Ahmeti, por iu pëlqen Terr Abazoviqi dhe Arben Travari, me Besnik Koqjen. E spastruan LV-në nga patriotët shqiptarë për t’i zëvendësuar me patriotë jugosllavë. E keqpërdorin flamurin dhe himnin kombëtar për qëllime politike , elektorale dhe personale. Klithmat paranojake të Kurtit për eliminim të opozitës së “stërvjetëruar” në kohën kur Listën Serbe nuk mund ta eliminojë sepse nuk e lejon Kushtetuta e as ndërkombëtarët, në fakt është një përpjekje patologjike ta vendosë diktaturën  njëpartiake ku veten do ta shpallte diktator të përjetshëm, si Cezari apo Pol Poti. Dithirambet për Donika Shvarcin shpërfaqin çarjen e personalitetit të Kurtit ose është në të njëjtat valë mendore dhe “intelektuale” me Shvarcin ose është mashtrues ordiner.  Kur për një injorante sikur që është Donika Shvarc i thotë ato fjalë, merreni me mend se si do ta përshkruaj ajkën politike dhe intelektuale të saj siç , pa asnjë dyshim dhe pa asnjë ndryshim janë Halili, Mefi, Dilmali, ekstazitë e Prizrenit, kërkuesja  e dashurisë, dhunuesja e drejtësisë, donkishoti i Policisë dhe paramilitari i xhirollogarisë së shtetit.

Krijuesi i Botës dhe Universit dhe njëkohësisht krijuesi i qenies më të kompletuar e që nuk mund të riciklohet sot dhe asnjëherë, nuk ia jep njeriut të gjitha , diçka i lë mëngut. Ta jep pabesinë, poshtërsinë, pushtetin por ta merr guximin. Dhe është mirë që është kështu. Fjalimi fashist i Albin Kurtit para turmës në sallën “1 Tetori” ishte ftesë e hapur për eliminim, fillimisht politik e pastaj, po të kishin gogla e që nuk i kanë edhe fizik përmes instrumentalizimit të policisë, një grupi të komandant Pasulit dhe disa mercenarëve informativ.  Opozita po tregohet e matur dhe e durueshme ndryshe që moti do të niste skenari i një lufte qytetare, jo midis vëllezërve siç gabimisht interpretohet. Peci i Albinit po i ndanë 100 mijëshet edhe për dardha turshi në përpjekje për të mbetur në pushtet, si mizë e kalit në të pasmet e padronit të vet. Edhe sa 100 mijëshet do të ndahen deri më 9 shkurt 2025 sepse gazda ia ka ndarë edhe 14 milionë euro shtesë  që nënkupton se për partinë dhe puthadorët, Peci i Albinit i ndanë edhe 140mijë  100 mijëshe. Sa i poshtër dhe sa i padinjitetshëm.

E keni vërejtur se pas zgjedhjeve në Amerikë, askush nga LV-ja nuk e përmend Trampin dhe se së paku deri më sot askush nuk ka thënë se refuzon “të shtrihet pranë (në shtratin) të Grenellit. Besoj se pasi Trampi ta merr pushtetin, Grenelli do të jetë i rrethuar në shtratin, nga refuzuesit e djeshëm. Zgjidh e merr!

Dalja në zgjedhje përcakton rezultatin përfundimtar. LV-së i përshtatet dalja sa më e vogël sepse shembja do të jetë më e vogël. Në vitin 2021 kanë votuar 903.800 votues shqiptarë, pakicat dhe nga diaspora. LV-ja ka fituar afërsisht 438.000 vota duke e përgjysmuar LDK-në me kontributin “bujar” të renegates Osmani dhe injorantes Shvarc. Tash, Zeusi i LV-së kërkon 500.000 vota në kohën kur nuk pritet se do të votojnë as 700.000 votues që nënkupton se përveç LV-së, partnerit të saj “Lista Serbe” që i kanë vendet e garantuara, Kuvendi i ardhshëm i Kosovës do të jetë Kuvendi i vëllazërim – bashkimit sikur Boro dhe Ramizi, ZdraVVo Mimoza dhe Radoiçiqi dhe Vokrri e Radoica. Prapë besoj se asnjë parti nuk e kalon 35 përqindshin se në Kuvend përveç koalicionit të natyrshëm LV dhe LS, pjesë mbase qeverisëse do të jenë PDK -ja, LDK-ja, AAK – NISMA, LISTA PËR FAMILJEN dhe pakicat joserbe. Por, nëse votuesit përcaktohen për koalicionin LV dhe LS  ia pafshin hajrin. Kështu e ka demokracia e sidomos autokracia. Garant për këtë e keni Mimoza Kusarin dhe Millan Radoiçiqin .

Po presidentja ku është: Presidentja Vojsa Osmani nuk po lë gur pa lëvizur edhe për një mandat andaj, herë mundohet ta imitojë Kurtin, herë Shvarcin në maskenballin ku është e rryer për ndërrim të maskave. Nuk ka lënë njeri pa ia lëshuar kmer për të fituar pushtet, tash po e luan rolin proamerikan, kundër burokratëve të Evropës të cilët i “qorton” me gjuhën e Kurtit, Besnik rrencit dhe injorantes Shvarc. Me vizitat turistike në ShBA po përpiqet të lë përshtypjen se amerikanët nuk munden pa te dhe se Tramp nuk e merr pushtetin pa lejen e saj. Pasi e shpëtoi Ukrainën, tash po e konsolidon edhe Amerikën. Çfarë mashtruese! Çfarë manipulante, nuk lë gjë pa bë edhe për një mandat. Kinse është hidhëruar me Kurtin kurse vazhdimisht ia mbanë zhagun Kurtit duke i kritikuar “kufomat politike ndërkombëtare”, Rrahman Morinën e Katalonjës – Borrellin dhe Mef Bajçinën e Sllovakisë – Mirosllav Llajçak, i pari mohues-tradhtar i popullit të Katalonisë , i dyti rrenc dhe mashtrues ordiner.

Dikush po thotë se nëse Atifete Jahjaga ka përfunduar mandarin pa asnjë votë të fituar, pse atëherë Vojsa Osmani nuk e merr edhe një mandat me më shumë se 300 mijë  vota. Demek, për të parën paskan votuar amerikanët, që është e vërtetë kurse për të dytën po vdiskan amerikanët, që aspak nuk është e vërtetë. Atifetja dhe Vjosa Osmani, përveç se janë të së njëjtës gjini, nuk kanë asgjë të përbashkët, as në aspektin kombëtar, tradicional dhe përmbajtjesor, janë dy pole të kundërta, Atifetja shumë pozitive dhe Vjosa shumë negative.  Ma tregoni një rast kur Atifetja ka folur keq për dikënd , ka folur keq për UÇK-në, për udhëheqësit politikë dhe ushtarak të luftës çlirimtare dhe në të njëjtën kohë më tregoni një rast të vetëm kur Vjosa Osmani ka folur një fjalë të mirë për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, bashkë me Albin Kurtin, që tani po e ekzekuton politikisht Vjosën!!

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati; Inflacioni (rritja e çmimeve) konsiderohet si një problem ekonomik që ndikon shumë në mirëqenien e qytetarëve

Problemet ekonomike të Kosovës kanë një dimension të gjerë dhe fatkeqësisht mungesa e një orientimi …