leoni

Dritan Goxhaj: KUJT I SHËRBEU “PATRIOTIZMI” I RAMËS  NË KUVENDIN E KOSOVËS?

KUJT I SHËRBEU “PATRIOTIZMI” I RAMËS  NË KUVENDIN E KOSOVËS?

Më datë 20 të këtij muaji, në Kuvendin e Kosovës u mblodhën sëbashku kuvendet e dy shteteve që i ndan lumi Drin, kuvendi IiShqipërisë dhe Kosovës.

Kur e dëgjon çdo kush do thotë: “Çfarë patriotizmi!” Por kjo vetëm patriotizëm nuk është. Është një mashtrim i menduar në mënyrë perfide, për tëna  dhënë idenë e një gjoja bashkimi, por që në realitet tregon që jemi dy shtete më vete, aktualisht pa asnjë angazhim e asnjë qëllim për një bashkim kombëtar.

Por kjo nuk është qëllimi i këtij shkrimi.

Qëllimi i këtij shkrimi është ajo që populli e quan: Djalli fshihet në detaje.

Në këtë takim mbajti një fjalim edhe Ed(vin) Rama.

Tha e ç’nuk tha në fjalën e tij. Bëri plot lajka nëpër të, ashtu siç bëjnë prestigjatorët me magjinë e tyre për të të hequr vëmendjen nga elefanti që futi në atë sallë.

Elefant që vetëm çështjes shqiptare nuk i shërbeu askund.

Në fjalën e tij të gjatë do ndalem vetëm në dy pika, të cilat do ju japin mundësinë të kuptoni se kujt i shërbeu ky fjalim i Ramës në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha: “Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim, tanimë të konsoliduar në këtë rrugëtim, ku ç’nuk kam parë dhe shumë kam mësuar nga marrëdhëniet me miqtë dhe me aleatët e me jodashamirësit tanë, se në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit europian dhe euroatlantik, Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior, duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Europian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në.”

Në gjithë këtë fjali do shkëpus vetëm dy aspekte të saja.

E para është: “Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior”.

Me këtë pjesë të fjalisë besoj se të gjithë do të biem dakord me Ramën sepse, duke qënë se Sërbia ka vazhduar veprimtarinë e saj armiqësore kundrejt Kosovës, duke nisur e vazhdon pa pushuar që me sulmin terrorist të Banjskës, e me çdo veprimtari tjetër që kundërshton dhe refuzon shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në teritoret e banuara me shumicë serbe në të.

Të gjithë besoj jemi dakord që Kosova nuk duhet të bisedojë më me Sërbinë derisa Sërbia të marri një qëndrim ndaj këtyre sulmeve të armatosura ndaj institucioneve të Kosovës dhe sigurisë së Kosovës.

Por pastaj Rama thotë: “duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë”. Dhe këtu është hileja e gjithë kësaj fjalie të gjatë, sepse kjo të jep idenë se edhe Kosova i qënka përgjigjur Sërbisë në mënyrë nacionaliste të njëjtë, ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë.

Kosova ka mbajturthjeshtë qëndrimet e saj politikisht ndaj asaj që Sërbia ka bërë dhe po bën në Kosovë, por në asnjë rast të vetëm nuk i është përgjigjur Sërbisë me të njëjtat veprime nacionaliste si të Sërbisë.

Veprimet e Kosovës kanë qënë sovraniste. Por Rama qëllimisht e bën krahasimin, për të na dhënë idenë se qëndrimi sovranist i Kosovës ndaj Sërbisë na qenka një qëndrim nacionalist.

Në asnjë rast të vetëm Kosova nuk ka nxitur e as ka kryer veprime të njëjta nacional-shoviniste në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc. Vetëm në këtë rast do mundej të bëhej krahasimi që Rama ka bërë.

Ndërhyrja e policisë së Kosovës në veri të vendit është në përputhje me ligjet e vendit dhe shtrimin e sovranitetit të republikës së Kosovës.

Por, Ramës i intereson që lëvizjet e ligjshme sovraniste të Kosovës t’i barazojë me lëvizjet ultra nacionaliste dhe shoviniste të Sërbisë. Sepse, duke bërë këto lloj barazimesh, Rama e shpëlan Sërbinë nga gjith poshtërsitë që ka bërë në Kosovë.

Por hileja e Ramës nuk ndalet këtu ai më pas vazhdon: “E thënë ndryshe, Kosova mund t’i japë Familjes Europiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, në një kohë shumë të shkurtër, provën e padiskutueshme të vullnetit e të përkatësisë së vet në gjirin e Europës së Bashkuar e të NATO-s, duke i përmbushur, unilateralisht (në mënyrë të njëanshme,D.G.) të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë; jo për hir të Serbisë, po për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve europiane, me kryeqytet të përbashkët Brukselin.”

Shifeni si e fillon lajkatimin e tij për të hequr vëmendjen nga bomba që ka vendosur të hedhi në Kuvendin e Kosovës: “Kosova mund t’i japë Familjes Europiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, në një kohë shumë të shkurtër, provën e padiskutueshme të vullnetit e të përkatësisë së vet në gjirin e Europës së Bashkuar e të NATO-s”.

Por si mundet ta bëjë Kosova këtë?

Këtu tregohuni shumë të vëmendshëm, sepse kjo është thelbi i gjithë fjalimit të tij që bën lidhjen me gjithë çka ka broçkullitur në këtë fjalim.

Ai thotë: “duke i përmbushur, unilateralisht, të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”.

Por ç’do të thotë kjo?!

Kjo do të thotë që: Kosova të plotësojë të gjitha kërkesat e Sërbisë, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë në mënyrë të njëanshme.

Ndërkohë që Kosova ka vënë si kusht për përmbushjen e këtyre kërkesave të Sërbisë, VETËM NË RAST SE SËRBIA E NJEH KOSOVËN SI SHTET.

Ndërsa Rama po na thotë që: Kosovë t’ia plotësojë Sërvbisë kërkesat pa pasur nevojë që ajo ta njohi si shtet.

A e dini se ç’do të thotë kjo?

Që, nëse Kosova e dëgjon këtë emisar të Sërbisë dhe e krijon këtë Asocacion, dhe duke qënë se Sërbia nuk e njeh Kosovën si shtet por vazhdon ta njohë atë si pjesë të Sërbisë, që ajo nesër, në çdo kohë, mund t’ia shkëpusë Kosovës ASOSIACIONIN E KOMUNAVE me force, duke financuar një gjoja lëvizje të armatosur në veri të Kosovës, pasi kështu nuk është duke thyer asnjë ligj ndërkombëtar, përderisa për Sërbinë Kosova nuk është shtet i njohur, por pjesë e saj.

Në rast se do të kemi njohje të Kosovës shtet nga Serbia, atëhere çfardo që ajo do të bënte do të konsiderohej si një shkelje e Nenit 51 të OKB-së, dhe atëhere ndaj Sërbisë do të ndërmereshin masa të ndryshme, përfshirë edhe ato ushtarake. Por loja është që ajo të përfitojë ato që do, pa e njohur Kosovën!

Dhe kjo pikë lidhet me pikën që diskutuam pak më lart e që konkluduam, që të gjithë besoj jemi dakort, për ngrirje të bisedimeve.

Por me këtë që propozon Rama, atëherë ato bisedime nuk janë më të ngrira, por ato janë totalisht të pavlefshme dhe nuk ekzistojnë më.

Pasi po t’i japim Sërbisë çfarë ajo kërkon, dhe pa na bërë njohje reciproke të Kosovës si shtet i pavarur, atëherë nuk ka për çfarë do të duhet të bisedohet më.

Dhe gjithë këtë mashtrim dhe shërbim që Rama ka vendosur paturpësisht t’ja bëjë Sërbisë në Kuvendin e Kosovës, na e servir se duhet ta bjëjë “për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet”.

Shihni sa i ndyrë që tregohet kur na propozon që t’ia plotësojmë Sërbisë kërkesat në emër të martirëve.

Po kush i bëri këta martirë. A nuk i bëri Sërbia me anë të genocidit të saj?

Sipas Ramës i bie që, ne duhet të pështyjmë mbi gjakun e martirëve, ku në mesin e tyre janë edhe 1500 fëmijë, trupat e të cilëve sot e kësaj dite Sërbia e Ramës nuk pranon t’i kthejë, që nënat e tyre të kenë një varr ku t’i qajnë.

Por nënat shqiptare në Kosovë dhe dhimbja e tyre, e gjaku i martirëve, i dëshmorëve që ranë pikërisht për mos ta lënë Sërbinë që të merrte çfarë ajo donte, nuk ka asnjë vlerë për Ramën e gjithë enturazhin e tij, e të çdo kujt që i është lëpirë këto dy ditë, duke i bërë elozhe fjalimit të tij antikombëtar.

Por ligësia e Ramës nuk përfundon këtu.

Sërish, në stilin e një mashtruesi profesionist, ai e nis duke na folur për UÇK-në, ngaqë e di shumë mirë që pothuajse të gjithë do e mbyllin gojën kur përmendet UÇK-ja, e jo vetëm, por një pjesë e mirë edhe do ngrihen e të na thonë: “Ja!, na e përmendi UÇK-në, si dhe ngriti edhe mbrojtjen e Thaçit e të tjerëve.”

Por kur UÇK-ja luftonte, kur ajo nisi me kërkesë të amerikanëve sulmin për thyerjen e kufirit të atëhershëm Kosovë-Shqipëri, me një operacion të përpiluar nga Shtabi i Përgjithëshëm i UÇK-së, i quajtur “Operacioni Shigjeta”, pikërisht atë ditë që nisi operacioni, dhe UÇK-ja, po me kërkesë të amerikanëve, organizoi një ceremoni në bashkëpunim me Ushtrinë Shqiptare në Krumë të Kuksit, në formën e një parakalimi ushtarak, ku ishin të ftuar të gjithë figurat e larta politike të vendit, përfshi Presidentin Mejdani, Ministrin e Mbrojtjes dhe Kryeministrin Majko.

Ky Rama, që sot ju hiqet sikur i hapet barku për UÇK-në, e bindi Kryeministrin Majko që ky, jo vetëm të mos merte pjesë në atë demonstrim force , por e merr atë për drekë te vilat qeveritare në Durrës, dhe po atë ditë ky Rama thoshte poshtë e përpjetë, se “ Këta (UÇK) janë budallej, nuk bëhet luftë me Sërbinë”.

Ndërsa sot ky po shet patriotizëm duke përdorur emrin e UÇK-së!

Por edhe këtë nuk po e bën për UÇK-në. Por po e bën vetëm për Hashimin.

Shiheni si thotë: “Gjithësesi unë dua ta dini të gjithë ju këtu dhe ata që na dëgjojnë, që nëse Kuvendi i Kosovës kurdo qoftë do e merrte nismën për t’iu drejtuar të gjitha shteteve sponsorizuese të Gjykatës Speciale dhe për të ndarë me to dyshimin e arsyeshëm për cenimin e standardeve demokratike në procesin ligjor kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit dhe nëse do të na kërkohej që një nismë e tillë t’i bashkohej dhe Kuvendi i Shqipërisë, unë nuk flas dot për të tjerët, por veç për forcën time politike. Partia Socialiste do ta angazhojë pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë të votuar nga Kuvendi i Kosovës, ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë.”

Pra ky është i gatshëm që të angazhojë Kuvendin e Shqipërisë për Hashimin, por në asnjë mënyrë e asnjëherë, edhe atëherë kur ja kërkoi Kuvendi i Kosovës dhe Presidentja e Kosovës, që ky të miratonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë një rezolutë të përbashkët me Kosovën mbi genocidin e Sërbisë në Kosovë, ky nuk pranoi, e nuk pranon ta bëjë atë as edhe sot.

Në asnjë mënyrë ky nuk pranon që në emër të Kosvës të akuzojë Sërbinë për genocid në gjykatën ndërkobëtare, pasi Kosova nuk e bën dot vetë, duke mos qënë anëtare e OKB.

Por për shokun e tij Hashimin, ky anagzhohet maksimalisht.

Pra e gjithë kjo vizitë dhe gjithë ky fjalim alla “Patriotik” ishte vetëm për t’i shërbyer Sërbisë dhe intereseva të saj, dhe për t’i bërë një qokë shokut të tij Hashimit.

Ndërsa për Kosovën, ky as që e merr mundimin, e as që premtoi që do të bëte diçka për të.

Nëse dikush ka akoma dyshime, atehërë le t’ia bëjë edhe vetes por edhe Ramës pyetjet: 1)–Kush e ka ndaluar Ramën që të ndërrmerrte një mision diplomatik në ato vende të Europës që nuk e njohin Kosovën, e të kërkonte njohjen e saj?

2)-Kush e pengoi Ramën kur Shqipëria ishte drejtuese e përkohëshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, që të ngrente çështjen e Kosovës dhe të genocidit serb në Kosovë, dhe të pastrimit etnik që Sërbia po bën në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc?

Askush nuk e pengoi, përveçse Sërbisë.

Tiranë, 21/12/2024

Kontrolloni gjithashtu

Radio Kosova e Lirë

RKL: Sovraniteti i pretenduar në veri, nga Qeveria-Kurti, mashtrim fiktiv-virtual, për përfitim elektoral

Qeveria-Kurti po përpiqet që të gjitha dështimet gati 4 vjeçare, mos realizimin  as dhjetë për …