Gjatë tërë natës ka rënë dëborë. Në mëngjes vende-vende trashësia ka qenë deri në 70 centimetra. Rrugët tona me kohë i kanë hapur ushtarët me ndihmën e një trekëndëshi me dërrasa, i cili tërhiqet me traktor.
Pasi kemi ngrënë bukë unë Martini dhe Ali Mullini jemi nisur në drejtim të Nekocit. Kur jemi nisur në Grykë kemi hetuar se rraja nuk është hapur dhe nuk është e mundshme që të depërtojmë këmbë në përpjetën e pjerrët. Jemi kthyer së bashku me Aliun dhe pak më vonë së bashku edhe me Berat Luzhën dhe Nusret Pllanën kemi shkuar te shtëpia, ku po mbahen ditët e ngushëllimit për dëshmorët.
Në odë kemi qëndruar disa orë, meqë nuk kemi ndonjë punë tjetër dhe konsiderojmë se për çdo ditë dikush nga ne duhet të jetë i pranishëm.
Nga disa ushtarë që kanë ardhur për ngushëllime mësojmë se në mesin e të zënëve rob janë një ushtar nga Karaçica, të cilin e quajnë, Enver Krasniqi dhe një tjetër nga Duka, i cili quhet Xhevdet Krasniqi. Dikush nga të afërmit e tyre ka njoftuar se njëri prej të zënëve është shumë rëndë i plagosur, ndërsa tjetri më lehtë. Ata, sipas po të njëjtave burime qenkan dërguar në Burgun e Nishit. Në mesin a të rënëve ende të paidentifikuar janë edhe Enver Zymer Olluri dhe Qamil Hysni Olluri.
Gjatë tërë ditës nuk ka ndaluar kolona e atyre që po vijnë për ngushëllim. Ushtarët tanë që rrinë në roje nderi kanë vërejtur se për ngushëllim kanë ardhur edhe nga radhët e atyre që nuk po e përkrahin luftën. Mbase ata vijnë për të marrë ndonjë informacion. Përderisa janë deklaruar kundër UÇK-së zor se ndiejnë dhembje për humbjen e tyre.
Në mbrëmje unë dhe Elezi kemi shkuar te shtëpia e Luanit ku po ashtu kanë ardhur për ngushëllime disa miq dhe të njohur. Një kohë kemi biseduar lidhur me imponimet e rrezikshme që po na bëhen pa e ditur mirë se ku është qëllimi i lig i këtij imponimi të egër dhe hileqar. Luani mendon se ka depërtuar një segment i Shërbimit sekret serb. Elezi dyshimet e tij i bazon në rirreshtimin e disa kuadrove nga LDK-ja të cilët kanë kryer shërbime të fshehta. Unë nga ana ime nuk dyshoj se aq thellë janë futur veglat e sigurimit të armikut, por më tepër dyshoj se është çështje e imponimit kierarkik. Një segment drejtues i Shtabit dëshiron që në të gjitha vendet udhëheqëse të imponohet vija te ne e quajtur e Bajes.
Tani për tani kemi këto tri observime.
Unë konkretisht mendoj se në radhët tona ka edhe shumë elementë destruktivë, të cilët pasi janë armatosur ndihen të fuqishëm dhe mendojnë të realizojnë synimet e tyre jo gjithaq të lidhura për karakterin e luftës sonë çlirimtare. Sido qoftë, këto dhe imponime të tilla sidomos në rastet dramatike lënë për të dyshuar shumë. Edhe pse nuk ia them askujt, kohëve të fundit kam filluar të dyshoj te disa në mesin tonë.
Ramizi nuk është i aftë të ballafaqohet me detyrën që e ka ngarkuar. Ai, është shumë konfliktuoz dhe krijon situata të palakmueshme. Për nga natyra është shumë cinik dhe i panatyrshëm në disa veprime. ( Pesë rreshta të koduar) Kam dyshime mos përdorë edhe pluhur të bardhë apo gjilpëra, meqë në disa raste depresioni shpirtëror arrin në trans, ndërsa ka raste kur është krejtësisht në një gjendje skajshmërisht i lodhur dhe i demobilizuar. Puna më e mirë dhe më e mençur do të ishte po të shkonte në Shqipëri, por tani për tani qarkullimi është vështirësuar tejmase…