Sot në mëngjes Nusret Pllana dhe Martin Çuni janë nisur për në Divjakë. Ata kanë shkuar më qëllim që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të përcaktuar definitivisht vendin për fillimin e punës në Radio dhe në Agjenci. Nusret Pllana edhe pse ishte paraparë të punonte në sektorin e Finacave në Shtab, ai mund të na ndihmojë shumë edhe në Radio, meqë lexon pastër. Nusreti një kohë të gjatë është marrë edhe me organizimin e koncerteve dhe është i gjindshëm para mikrofonit. Pas një provimi në leximin e lajmeve, konsideroj se ka një zë të fuqishëm, të qartë dhe lexon pa gabime.
Burimet e lajmeve nga Zona Operative e Shalës bëjnë të ditur se forca të mëdha ushtarake dhe policore serbe kanë vënë në rrethim vendin e quajtur “Te Tabet e Llapashticës”, ku është njëra ndër fortesat më të forta të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit. Serbët kanë dislokuar armatim të rëndë, tankse dhe topa të kalibrave të mëdhenj dhe qysh herët ka filluar granatimi nga të gjitha armët e artilerisë së rëndë. Popullata civile nëpër dëborë dhe acar po zhvendoset në drejtim të Bradashit apo Podujevës. Luftëtarët tanë po qëndrojnë të patundur në pozicione duke pritur që të lajmërohet këmbësoria e armikut. Gjatë ditës nuk është bërë i ditur numri i të vrarëve apo i të plagosurve nga radhët e popullatës së zhvendosur, e cila është gjendur në rrezet e veprimit të granatave të armikut.
Në orët e pas ditës me Berat Luzhën kemi shkuar në odën e Ragip Sylës ku po mbahet e pamja për dëshmorët e rënë në Malësinë e Gorozhupit.
Edhe gjatë sitës së sotme kolona të pandërprera të ushtarëve dhe të popullatës civile kanë ardhur për ngushëllime. I fortë dhe i qëndrueshëm po mbahet edhe Rexhep Hyseni nga Godanci, i cili të pamen për djalin e vet Arbenin, po e mbanë këtu ashtu sikurse kemi marrë qëndrim.
Adem Olluri, babai i Isait po ashtu është i fortë.
Në mbrëmje Reshat Gashi më ka treguar se kushëriri i tij Faruku kontravers dhe aspak i disiplinuar, pa lejen e askujt fillimisht është nisur në drejtim të Vargocit. Pastaj ka depërtuar nëpër Belinc dhe ka shkuar në Petrovë. Reshati thotë se Faruku është plagosur në këmbë, ndërsa për të depërtuar në zonën e Neredimës i ka ndihmuar ushtari, të cilin e quajnë Vetura, por askush nuk e di se si është plagosur dhe në çfarë rrethana. Në vazhdën e dyshimeve që kam krijuar për Faruk Gashin ky është një dyshim më tepër.
Përse vepron kështu ky njeri?
Ai e di fare mirë se është në mbrojtje të Azem Sylës. Kësaj radhe edhe Reshati është hidhëruar tejmase në veprimet e Farukut, gjithnjë të pamatura dhe kontroverse.
Për darkë unë dhe Berati kemi shkuar te Elez Durmishi. Pas një kohe kanë ardhur edhe Sylë Qeriqi, pastaj Idriz Hyseni me një ushtar të Kizharekës. Kemi biseduar për zhvillimet më të reja Te Tabet e Llapashticës dhe për mundësinë që forcat armike të ndërmarrin një ofensivë të dimrit.
Syla më ka treguar se Rifat Mujota nipi i tij nga Mullapolci i cili ka qenë në radhët e formacionit që ka rënë në pritë të forcave serbe më 14 janar ka shpëtuar dhe tani për tani ndodhet në Tiranë së bashku me disa ushtarë të tjerë, të cilët po ashtu janë plagosur me rastin e luftimeve.