Sipas të dhënave definitive që kanë dhënë instancat relevante informative bëhet e ditur se në formacionin luftarak të cilit i ka prirë komandant Mujë Krasniqi më 14 dhjetor, janë nisur për të hyrë në Kovovë 143 ushtarë të armatosur. Prej tyre 36 kanë rënë në altarin e atdheut, 9 janë zënë rob, të tjerët janë kthyer në Shqipëri. Në mesin e të kthyerve ka edhe të plagosur por asnjëri nuk është në rrezik jete.
Burimet e lajmeve që arrijnë te ne nga terreni ku po zhvillohen luftimet në zonën e Llapit, bëjnë të ditur se edhe sot atje po vazhdon ofensiva serbe kundër UÇK-së. Sipas disa të dhënave flitet për 12 të vrarë, në mesin e tyre një luftëtar i UÇK-së, një vajzë gjashtëvjeçare dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.
Edhe sot gjatë tërë ditës janë zhvilluar luftime te Tabet e Llapashticës, ku forcat armike kanë hasur në rezistencë të pashembullt të luftëtarëve të lirisë. Popullata e zhvendosur ka filluar të dyndet drejt Podujevës. Ajo është sjakshmërisht e rrezikuar të bjerë në duar të armikut.
Luftëtarët tanë nuk janë sa duhet të armatosur as kanë rezerva të municionit, edhe pse më herët është folur se në Llap ka armatim të mirë. Atje, komandant zone është caktuar Rrustem Mustafa, apo Remi sikur e quajnë. Është një shok i ilegales i Zahir Pajazitit, është trim dhe i vendosur. Kështu kam dëgjuar të flitet në Shtab, në Divjakë edhe pse vet nuk kam pasur rast ta njoh.
I ashtuquajturi faktor politik shqiptar vazhdon të jetë si gjithnjë i përçarë i amullt dhe i kufizuar për të ndërmarrë ndonjë iniciativë në drejtim të unifikimit të qëndrimeve. Klasa pacifiste e Rugovës nuk e njeh luftën dhe nuk pritet gjë prej njerëzve që filozofi politike kanë nënshtrimin, durimin, bindjen dhe ikjen prej vetvetes.
Në mbrëmje së bashku me bashkëshortën time, Zymryten kemi shkuar te Adem dhe Muhamet Shamolli në Shalë. Muhametit, bandat serbe ia kanë djegur shtëpinë qysh më 26 korrik. Ai, në Shalë është kthyer përkohësisht meqë të gjithë anëtarët e familjes i ka në Ferizaj dhe në Tiranë. Këtu është vetëm Ademi me bijtë dhe bijat e tij si dhe Mentori i Muhametit i cili qysh prej fillimit është inkuadruar në radhët tona.
Pasi jam kthyer në Krojmir më bëjnë me dije se nga Prishtina ka ardhur gazetari i Bujkut, Qemal Aliu, të cilin ditë më parë, përmes Naim Imerit, e ka ftuar Berat Luzha, për të biseduar lidhur me mundësinë e angazhimit të tij në stafin e Agjencisë. Së bashku me të ka ardhur edhe tezaku im Refik Imeri, vëllai i Naimit.
Ditë e më tepër bë bëhet edhe më ftohtë. Temperaturat kanë rënë 15 ndoshta edhe 20 gradë nën zero.