Ahmet Qeriqi: Eprorët Salih Veseli dhe Ajvaz Berisha sërish në Krojmir. (E shtunë 26 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Eprorët Salih Veseli dhe Ajvaz Berisha sërish në Krojmir. (E shtunë 26 dhjetor, 1998)

Martin Çuni dhe Nusret Pllana sot në mëngjes janë nisur për në Divjakë. Në orët e pas ditës janë larguar edhe Qemal Aliu dhe Refik Imeri. Berati ka biseduar me Qemalin dhe ka gjasa që ky të na bashkohet në stafin e Agjencisë dhe të Radios. Berati për mes Qemalit si duket i ka njoftuar edhe disa gazetarë të tjerë të cilët do të mund të na bashkoheshin sapo të fillojmë nga puna, meqë kemi ndërmarrë të gjitha masat që puna e dy institucioneve informative të fillojë sa më parë.

Në vendqëndrimin tonë në Krojmir kanë ardhur  për të biseduar major Salih Veseli, pastaj zëvendëskomandanti i Njësive Speciale, Ajvaz Berisha, Ilir Dugolli, Syla Elezi dhe të tjerë.

Salih Veseli është ushtarak profesionist por edhe i dëshmuar në frontet e luftës, sidomos gjatë ofensivave serbe në Smolicë dhe gjithandej nëpër Dukagjin. Mbi të gjitha e çmoj pozicionin e tij militant ndaj luftës, sepse ky është ndër ata pak ushtarakë që përfundimisht është shkëputur nga e ashtuquajtura vijë institucionale, e cila jep këshilla nga  Tiranë, se si u dashka të luftojmë, por asnjëherë nuk gjenden në frontet e luftimeve. Është një ushtarak që e njeh artin luftarak, ka fituar përvojë i do dhe i çmon ushtarët, është shumë komunikativ dhe politikisht është orientuar drejt. Ai ka vërejtur të gjitha imponimet dhe padrejtësitë që bëhen këtu mirëpo tregon maturi dhe shihet se qëllim kryesor ka ndikimin për të eleminuar përçarjet, edhe pse më duket se ka zbuluar shumë të meta në anën organizative, për të cilat flet por nuk merr qëndrim injorues. Mbi të gjitha më pëlqen maturia e tij dhe kam shpresë se ai do të ushtrojë ndikim për të mirë në radhët organizative të Brigadës 121, Ismet Jashari Kumanova.

Edhe Ajvaz Berisha ka tipare të ushtarakut të vendosur. Ai nuk ka përgatitje shkollore ushtarake, por qysh herët ka ushtruar dhe është marrë me punët rreth sigurimit dhe punë të tjera të kalitjes fizike. Ajvazi është krah i fortë i Azem Sylës dhe i luftës. Ai po jep një kontribut të jashtëzakonshëm në stërvitjen e luftëtarëve të njësive speciale, të cilat tani për tani i komanadon së bashku me oficerin nga Tropoja, Tahir Sinani apo sikur e quajnë ushtarët Tahir Shqipëria.

Në orët e mbrëmjes bëhet e ditur se luftime të ashpra janë zhvilluar edhe  në Obrangjë të Podujevës. Bëhet e ditur se një serb është vrarë, ndërsa nuk ka të dhëna për të rënë apo të plagosur nga radhët tona.

Kam frikë se mos ofensiva e filluar në Llap do ta përfshijë së shpejti krejt Kosovën, tani kur dimri dhe acari duken po ashtu aleatët më të mirë të okupatorit.

Politikanë të caktuar ndërkombëtarë fajësojnë UÇK-në e cila sipas tyre nuk po i përmbahet armëpushimit të vetë deklaruar. Ata ose kanë harruar ose nuk duan të dinë se nga UÇK-ja askush nuk ka kërkuar armëpushim e as vetëpërmbajtje, meqë  në mënyrë hipokrite është lënë anash si faktor, që duhet të vendos për luftën nga pala shqiptare.

Në anën tjetër shqiptarët nuk kanë as program, as projekt as formulë të veprimit të përbashkët sipas parimit një komb një qëndrim, që ishte një shpikje e politikanëve në Shqipëri vetëm sa për të fituar ndonjë poen politik.

Sonte këtu te ne, te Epiri kanë ardhur disa ushtarë dhe ushtare të UÇK-së. Shumica janë kushërinj dhe të afërm, Avdiu, Shpresa, Përparimi, Elhami, Agroni e shumë të tjerë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë, Mësimi është ndërprerë. Ata me vullnet iu kanë bashkuar luftës dhe ndihmojnë pa u kursyer. Edhe pse nuk kanë armë, ushtrojnë roje me armën që ua jep Elezi dhe në këtë mënyrë paksa i kemi pajtuar që t `i mbajmë afër, përndryshe pa na pyetur do të drejtoheshin për në Shqipëri për të marrë armë dhe municion.

Lufta solli shumë të papritura, fatkeqësi, ndarje dhe përçarje. Një pjesë e Kosovës jeton pa e prishur rehatinë, sidomos në qytete ku nuk u mungojnë ushqimet e asgjë tjetër. Ata janë duke qëndruar indiferentë, as me Serbinë e Milloshviqit, por as me ushtrinë e Adem Jasharit…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Prelloc afër Polacit në Drenicë sot është bërë varrimi i 34 dëshmorëve të rënë gjashtë ditë më parë, në Gorozhup të Hasit. (E diel 20 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Prelloc afër Polacit në Drenicë sot është bërë varrimi i 34 dëshmorëve të rënë gjashtë ditë më parë, në Gorozhup të Hasit. (E diel 20 dhjetor, 1998)

Që në më mëngjes është konfirmuar lajmi se sot në Polac të Skënderajt do të …