Filip Shiroka u lind në Shkodër, më 3 gusht të vitit 1859. Mësimet fillestare i mori në shkollën françeskane të Shkodrës. Më vonë, një kohë ka punuar si libralidhës. Njëri nga mësuesit e tij ishte poeti i mirënjohur arbëresh, Leonardo De Martino (1830-1923), ndikimi i të cilit ndjehet jo vetëm në vargjet e Shirokës por edhe të Mjedës e të Fishtës. Poema e parë e botuar ishte All’Albania all’armi, all’armi ! (Në Shqipëri, në armë, në armë !), një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqinit, në kohën kur Fuqitë e Mëdha, pasi dështuan t’i jepnin Malit te Zi, Hotin e Grudën, vendosën t’ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin. Poezia kishte karakter mobilizues. Ai e shkroi në gjuhën italiane dhe e botoi në Obsservatore Cattolico të Milanos më 1878, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ashtu sikur edhe miku i tij nga Shkodra, Pashko Vasa, shkoi në Itali për të ndjekur studimet e larta. Si shumë intelektualë shqiptarë të shekullit të 19-të, Filip Shiroka e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij jashtë Shqipërisë.
Më 1881, pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai u vendos në Egjipt dhe Liban ku punoi si inxhinier në konstruksionin e hekurudhave. Aty kaloi pjesën më të madhe të jetës, u lidh me lëvizjen e emigrantëve shqiptarë dhe filloi të shkruante vjersha. Disa vjet punoi në Bejrut të Libanit, me përkrahjen e Pashko Vasës. Me Çajupin e lidhte një miqësi e ngushtë. Vjershat e tij, të shkruara në vitet 1896-1903 u botuan në gazetat shqiptare të kohës, kryesisht në ‘Albania’ të drejtuar nga Faik Konica. Ato u përmblodhën më vonë nga historiani i njohur Dom Ndoc Nikaj dhe u botuan në vëllimin me titullin Zani i zemrës, Tiranë 1933. Shiroka, i cili po ashtu përdori pseudonimet Gegë Postriba dhe Ulqinaku, është autor i së paku 60 poemave, tri tregimeve të shkurta, artikujve dhe disa përkthimeve, veçanërisht të veprave për liturgjinë katolike. Pseudonimi i tij letrar do te ishte Geg Postriba, preferuar kjo përkundër përzgjedhjes që kishte bërë Luigj Gurakuqi, i cili në poezitë e tij nënshkruante Leke Gruda.
Tema në veprën e poetit Filip Shiroka ishte ajo e atdhedashurisë, krenarisë kombëtare për të kaluarën dhe shpirtin liridashës të shqiptarëve. Në poezitë “Burri”, “Gjergj Kastrioti”, “Shypnia”, Shiroka bëri thirrje hapur për çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në poezitë e tij më të mira, që i kushtohen mallit për atdhe, Shiroka mediton mbi fatin e tij dhe atë të atdheut. Melankolia dhe humori i hollë i përshtaten tepër Shirokës, që me vjershat e këtij lloji sjell një notë vetjake në poezinë tonë te Rilindjes. Poezitë më të njohura janë Shko dallëndyshe dhe Dallëndyshe eja. Vdiq në Bejrut të Libanit më 1935 me mall e dashuri për atdheun, me dëshirën qe te varroset ne Varrezat e Rrmajit, ku kishte varrin e prindërve
Filip Shiroka ishte poet me ndjenja te holla, një krijues lirik i lindur e krejt i natyrshëm, një mjeshtër i gjuhës, i shprehjeve të ëmbla dhe te pastra si kristali, e për këtë ai zë një vend të nderuar ne historinë e Letërsisë Shqipe. Vdiq në vitin 1935 në Bejrut të Libanit. Eshtrat e Filip Shirokes, u sollën nga Libani në Atdhe nga Qeveria komuniste e Shqipërisë dhe u rivarrosen ne qytetin e Shkodrës, rreth një çerek shekulli pas vdekjes se poetit. Në ceremoni të varrimit të eshtrave morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë shkodrane dhe admirues te poetit.
Krijimtaria letrare:
1878 All’Albania all’armi, all’armi!
1933 Zani i zemrës. Autor Filip Shiroka, përmbedhur nga Ndoc Nikaj, 1933, Tiranë.
Shko dallëndyshe! Poezi.
Dallëndyshe eja! Poezi.