Të shkruash për veprimtarinë e Mulla Hamit Gutës është nderë i veçantë, është edhe privilegj, por edhe përgjegjësi; sepse sado që të shkruajmë për veprën e Tij, gjithmonë do t’i mbetemi borxhli, në ngjarje të tilla-përvjetorë të rëndësishëm; është vështirë të thuhen dhe të shkruhen të gjitha për Të.
Cilësimet që e bëjnë të veçantë Mulla Hamit Gutën janë: mirësjellja, besnikëria, atdhedashuria, edukimi i masave, flakja e ngatërresave, pajtimi i gjaqeve dhe sakrifica-janë këto vlera humane dhe patriotike të cilat; ishin dhe do të mbesin gjithmonë vlera të përjetshme, gjatë gjithë jetës njerëzore. Këto vlera u shkrinë në shpirtin e secilit jezercas, përmes interpretimeve–kujtimeve-porosive; të veprave të Mulla Hamitit, edhe përkundër, që sot, shumë familje të Jezercit, janë të shpërndara pothuajse në gjithë gjeografinë shqiptare edhe në shtete të ndryshme të botës në migracion.
Edhe fëmijët tanë, përfshirë shumë gjenerata të tashme, edhe pse nuk e patën rastin fizikisht ta njohin këtë burrë të urtë, fisnik dhe kombëtarë të rrallë, tashmë kujtesën për Të, po e përcjellin brez pas brezi; përmes kujtimeve të odave, të ndejave të ndryshme dhe përmes publikimeve dhe shkrimeve të shumta, siç është tani, botimi i kësaj Monografie, që para nesh e sjell mërgimtari Isak Guta, “sugari” i Mulla Hamitit.
Për çdo vit, Isak Guta nga mërgimi, po i kthehet atdheut përmes veprave me kolorit interesant; herë me “Mojsiun në vepër” e herë me “Pranverën e `81”, me “Mojsiun e foto ekspozitës së kryeveprës botërore të artit skenik” e me “filmin dokumentar kushtuar Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” të rënë në Jezerc. Por, mallëngjimi për Jezercin, burrëria e qëndresa për ta ruajtur trungun e vlerave të lashtësisë dhe harmonia e këtij fshati të lashtë, si një kopsht i rrallë, që brez pas brezi e ruajti dhe e kultivoi kulturën e bimësisë ilire; e shtynë Isakun nga mërgimi pas shumë dekadave, që të kthehet te pragu i vatrës, te Jezerci i Mulla Hamitit, te Jezerci ynë, te Jezerci i historisë, i lavdisë dhe lirisë, me veprën: “Jezerci nga Rëngat tek Epopeja”.
Por, sot (korrik, 2016), në shenjë nderimi e kujtimi, me rastin e 60 vjetorit të shpërnguljes dhe 33 vjetorit të vdekjes, jemi me “Monografinë” e shkruar për Mulla Hamit Gutën.
Shtatëdhjetë e gjashtë vjet më parë, nga viti 1941-1943, në fshatin Jezerc nën përkujdesjen dhe punën e palodhshme të Mulla Hamitit do të hapet dhe do të punoj mësonjëtorja e parë “Mejtepi”, ku në gjirin e saj, atëbotë kishte 36 nxënës. Përveç mësimit fetar, Mulla Hamiti, nxënësve u jepte njohuri elementare për alfabetin e gjuhës sonë, shkrim leximin, historinë e kombëtare, veprimet elementare të matematikës dhe me përkushtim i përgatiste nxënësit e mejtepit për atdhedashurinë.
Autori i monografisë, veç tjerash, në këtë rast, sjell para nesh njohuri për formimin e personalitetit të Mulla Hamitit, i cili nën ndikimin e personaliteteve patriotike të Medresesë së Prizrenit, në krye me Jakup Dardanin dhe nën ndikimin e Mulla Vesel Gutës, patriot i kalitur i trungut të Gutajve dhe hoxhallarëve tjerë të kohës; Mulla Zeqes nga Muzeqina, Mulla Ahmet Efendisë nga fshati Balaj, Mulla Hasanit, Mulla Mustafës e Mulla Ademit të fshatit Jezerc, do ta kultivojë në mejtep dhe në oda, dashurin për atdheun dhe vlerat mbi njerëzoren.
Për dritën e diturisë, për ruajtjen e trojeve tona deri në sakrificë e vetëflijim, theksojmë veçanërisht, ndikimin e madh të patriotit Mulla Vesel Gutës në forcimin e personalitetit të Mulla Hamitit, i cili po kështu e kaliti qëndresën e masave popullore edhe përmes poezive patriotike e poemave ku zgjohej krenaria, bëhej thirrje dhe përhapej kushtrimi për qëndresë të patundur kundër shtypjes e shpërnguljeve.Aty ku ndodhej Mulla Hamiti, tubimet e ndryshme, nuk do të kalojnë pa mesazhe patriotike, që ishin mobilizim dhe kushtrim për masat e gjera-për përhapjen e dritës së diturisë për liri kombëtare.
Kështu janë të gjalla, në kujtesën tonë, vargjet kushtrimtare:
,…,”Kemi hangër shtagë e dru,
Veç për serbin kem rrogu.
Po këtë tokë se kemi leshu,
Për djemtë tanë e kemi ru”.,…,
Ndërkaq, në kujtesën e tij; Hajrush Reka veteran i arsimit dhe i burgosur politik i kohës, për bindjet e tij politike, Mulla Hamitin e quan mësues të parë; ku thotë: “Kam shkuar e kam mësuar te ky hoxhë i nderuar, i ditur, i aftë dhe që dëshironte tërë diturinë e tij t`ua jepte nxënësve të vet… ku për mua dhe nxënësit e tjerë të tij, ishte një nderë i veçantë e pasuri e madhe”
Fara patriotike e kultivuar ndër shekuj, gjeografia impozante e fshatit, çiltërsia dhe harmonia jetësore e lagjeve të fshatit Jezerc, ndonëse në kushte të rënda jetese, e kishin lidhur secilin fshatarë në solidaritet me njëri-tjetrin, për ta ruajtur nderin, për ta ruajtur hapësirën e fshatit, për ta kundërshtuar në secilën kohë; secilin regjim okupues dhe të keqen që i sillej fshatit.
Këto qëndrime, kishin kosto dhe shumë fshatarë nga regjimet okupuese serbe do të pushkatohen, shumë fshatarë do të bien dëshmor nëpër fronte të ndryshme të luftës për mbrojtjen e Kosovës. Kështu ishte pushkatuar Ramë Ramadani, gjyshi i Munish Ramadanit mësuesi i ardhshëm pas Mulla Hamitit.
Munishi bashkë me babin e tij Limanin, ishin shpërngulur në Shqipëri, për shpëtim nga reprezaljet serbe, të cilat reprezalje, më vonë, për përhapjen e arsimit shqip do t`i vuaj me dënim të rëndë në Goli Otok edhe vet Munishi.
Në vitin 1943 Munishi bashkë me të vëllain Smajlin u kthehen rrënjëve të vjetra në fshatin e lindjes, ku po ndërrohej sistemi shtetëror bashkë me sistemin arsimor. Kështu, Mulla Hamit Guta ishte lidhur ngushtë me Munishin i cili për herë të parë po e hapte mësonjëtoren “laike” në gjuhën shqipe në fshatin Jezerc. Devotshmëria dhe burrëria Jezercase tashmë prej Mulla Hamit Gutës e Munish Ramadanit do të nisë të përgatisë embrionin e kuadrove të para, në të gjitha fushat e jetës, si: Inxhinier, mjek, profesor, gjeograf, historianë, gjuhëtarë, filozof, ekonomist, jurist e doktor-shkencash në shumë fusha, publicist dhe shumë njerëz të ditur e me nam, që sot janë emra të mirënjohur anë e kënd tokës Arbënore.
Embrioni edukativ, që nga Mulla Hamiti e Mulla Veseli, e para tyre, brez pas brezi e kaliti shpirtin e kosovarit për t`i dal zot atdheut. Kjo do të dëshmohet fuqishëm edhe në Luftën e fundit 98-99, ku Jezerci i tëri u shndërrua në front lirie, ku me bukë, me djersë e me gjak duke dhënë dëshmorë e martirë të shumtë, thellë do të vendoset tërësisht në themelet e lirisë. Të gjitha shtëpitë e fshatit do t’i bëjnë strehë lirisë që sot e kemi.
Mulla Hamiti në odat e fshatit mbante “leksione” për kultivimin e mirësjelljes, për bujarinë, për evitimin e të këqijave dhe luftimin e hasmërive. Ai, duke qenë i respektuar prej fshatarëve, konsultohej e dëgjohej prej tyre. Fjala e tij shndërrohej në vendim për ta, mendimi i hollë dhe fjala e mprehtë e tij, shndërrohej në pajtim të hasmërive dhe falje të gjaqeve. Secili pajtim ishte gëzim i mulla Hamitit, i cili thoshte; “dashti zoti e u bë mirë”, ndërsa aty ku ende s`ishte arritur pajtimi thoshte: “Me emër të zotit do të bëhet mirë”. Ky njeri bujarë me forcën e mendjes e të fjalës do të shndërrohet në ‘’Institut pajtimi” në trevat e Kosovës; në Podrimje e në Moravë, në Gollak e Karadak.
Ky mision i Hamit Gutës për pajtimin e gjaqeve do të vazhdojë, pas vitit 1956, në Shkup dhe rrethinat e Shkupit, ku do ta quajnë “Mulla Hamit Jezerci”. Shpërngulja e tij, ndodh në vitin 1956, nga reprezaljet e pushtetit komunist të rrymës Rankoviqist-e, të aksionit famëkeq të grumbullimit të armëve. Qëllimi i okupatorit ishte dobësimi i kapacitetit kombëtarë dhe shpërngulja me dajak e shqiptarëve. Mulla Hamiti me të birin Bajramin ishin torturuar rëndë. Po kështu rëndë ishin torturuar edhe shumë burra tjerë të fshatit Jezerc.
Nga ky fshat vështir se mund të gjendet ndonjë trung familjar të ket shpëtuar pa plag të rënda deri në flijime fizike, nga okupimet e egra serbe.Fshatarët thonë se dhuna ishte sistematike ku mëse miri dëshmon edhe ndërhyrja serbe në ceremonitë e adeteve tona, ku thuhet se e tërë kolona e krushqive dasmorë jezercas, të lagjes Maqiteva në një rast, ishin ndalur nga gjandarët serb, në Lagjen Praroki, ku rrahën me dru në “cungun e druve”, përveç nuses, gjoja në “kërkim të armëve”, aty ishin pushkatuar edhe dy dasmor. Qëllimi ishte poshtërimi dhe dëbimi i popullatës.
“UDB-a” Mulla Hamitin nuk do ta len të qetë edhe në Shkup. Ati do t`i urdhërohet që të largohej nga shtëpia ku banonte, kështu ai disa here do ta ndërron vendbanimin për tu vendosur përfundimisht në Kondovë të Shkupit.
Modestia dhe filozofia e Mulla Hamitit, të asaj kohe, mund të krahasohet sot me doktrinën filozofike “Demaçiane” të kohës sonë, i cili ishte edhe kujdestar kundër dukurive të këqija që mund t`iu ndodhnin fshatarëve serb të pafajshëm, nga fqinjët shqiptar, në kohën e okupimit Italiano-Gjerman. Mulla Hamiti luftimin e këtyre dukurive negative e bënte në emër të “Zotit e të Shqiptarisë”, ku fjala e tij dëgjohej nga fshatarët, në këtë mision human nga Lagja e Katundit në ndihmë i kishin ardhur edhe Murtez e Liman Jashari.
Përkundër këtij qëndrimi fisnik dhe bamirës, Mulla Hamitit drejtësia e urtia njerëzore nga regjimi serb do t’i kthehet me dhunë e reprezalje.Ai në sytë e atij pushteti shihej i rrezikshëm, sepse fjala e tij shndërrohej në fuqi dhe zbatohej nga fshatarët.
Shumë burra jezercas u sakrifikuan, u likuiduan e u torturuan nga hordhitë sllavo-serbe, por fshati kurrë nuk u zhbë. Jezerci dha shumë dijetarë të cilët me të vërtetën njerëzore si “armë” dhe drejtësinë si “flamur” i shërbyen atdheut brez pas brezi, ata janë të shumtë të vargut të Mulla Hamitit, si: Ali Delia, Beqë Murati, Murat Shabani, Smajl Ademi, Hasan Dulla, Sherif Shabani, Ali e Hysen Jashari, Jashar e Adem Guta, Munish Ramadani, Hasan Selmani, Salih Bega, Osman e Bajrush Bega, Rushit Arifi e shumë e shumë të tjerë, që vetëm në një libër të përbashkët mund të rreshton të gjithë. Për burrat e djemtë e Jezercit, në këtë rrugë të gjatë të shtegtimit, ma së miri flasin rreshtat e vargjeve të Poemës “Është një komb që nuk vdes kurrë” të Isak Gutës, shkruar më 1998:
……“Janë rritur figura të pavdekësisë,
Me shpatë në dorë që s`i kish Evropa,
Në krye të arteve dhe të ideologjisë,
Me nën humane për të ndritur bota,
Dhe penë e pushkë luftarë të lirisë.”,…,
Trimat e këtij fshati për trojet stërgjyshore dhe lirinë e atdheut e dhanë jetën e tyre në Prapashticë, në Mal të Zi, në Srem, në Jezerc dhe kudo që ra kushtrimi për liri.
Sot jezercasit i gjejmë, në fronte pune, të rreshtuar përkrah firmave me renome botërore, si që është rasti, me firmën “Nuha Bau” në Dyseldorf të Gjermanisë, me firma të mëdha në Zvicër, në Kosovë, Maqedoni e gjetiu, ku me ekonomi duhet t`ia kthejmë perspektivën Kosovës. Jezercasin e gjejmë të ngritur intelektualisht e kombëtarisht në të gjitha sferat e jetës: të artit, kulturës, historisë, letërsisë, drejtësisë, publicistikës etj. Jezercasit sot të shkapërderdhur, kudo që janë, e kanë kapacitetin e plotë të arsimimit, në të gjitha fushat e jetës. Ata të organizuar dhe të bashkuar mund të udhëheqin dhe t`i shërbejnë vendit në shumë komuna të Kosovë, gjithashtu me devotshmëri mund të jen një “aset” i çmuar në ndërtimin e Shtetit tone të ri dhe institucioneve të tij.
Ashtu si ç `bëri I.Guta, me këtë publikim, t`i rrekemi punës me përkushtim, secili nga prizmi i vetë, t`i bashkojmë mendjet dhe pendët tona, të gjurmojmë në “xeheroren e madhe të trashëgimisë sonë” të quajtur Jezerc e cila është e pa gjurmuar, është vlerë dhe thesar i të kaluarës sonë, që nga para historia, është vlerë universale e njerëzimit, që do të ndikon padyshim edhe në ngritjen dhe mirëqenien e përgjithshme të kombit tonë. Është vlerë me interes për gjitha kombet. Të punojmë në këtë drejtim në të gjitha trevat tona.
Le të shërbejnë si mesazh për të gjithë ne, konkluzionet e Mulla Hamitit i cili thoshte: “Ata që e ruajnë te zoti besimin dhe e përparojnë shkollimin, Zoti ju ndihmon dhe kombi i donë”.
Urojmë dhe duam po kështu që fjala publike e kuvendeve tona, fjala e shkruar dhe ajo që transmetohet në eter e shkruhet në rrjete sociale, kudo në hapësirën tonë kombëtare, të ketë përgjegjësi që të mos jetë denigruese, fyese dhe poshtëruese, por për herë ta ruajmë nderin dhe të mbahemi përgjegjës për fjalën e thënë, ashtu sikur bëri Mulla Hamiti i cili në fjalorin e tij i kishte larguar fjalët e liga, fjalët denigruese, fyese e poshtëruese për njeriun.
Respekt për veprën e Mulla Hamit Gutës dhe gjithë burrave Jezercas që kontribuuan për Lirinë dhe çlirimin e Atdheut.