Kryetari i komunës së Mitrovicës dhe kandidati i PDK-së për kryeministër, z.Bedri Hamza, e vlerësoi përurimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë si një arritje madhore që pasqyron progresin në fushën e kujdesit parësor.
Ai theksoi përkushtimin për ta shtrirë këtë model suksesi në gjithë Kosovën, duke e konsideruar këtë hap si fillim të një ndryshimi më të gjerë.
Në postimin e kryetarit Hamza thuhet:
Një kapitull i ri për jetë më të sigurt dhe më të shëndetshme nisi sot në Mitrovicë. Një histori e suksesit, që flet shumë për përkushtimin tonë ndaj shëndetit të qytetarëve. Ndërtimi i objektit madhështor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni” është dëshmi e suksesit që mund ta arrijmë kur bashkohemi në qëllime. Me Halil Kastratin, mikun tim, të cilin e falënderoj shumë për bashkëfinancimin e projektit, u bashkuam për t’u kujdesur më mirë për shëndetin e qytetarëve, mirëqenien e tyre dhe për të krijuar kushte më të mira për mantelbardhët, që të mund të shpëtojnë sa më shumë jetë.
Ky objekt madhështor është simbol i transformimit të kujdesit parësor shëndetësor në Kosovë.
Sot ndodhi në Mitrovicë. Nesër do të ndodhë anekënd vendit, sepse Kosova mundet ma mirë!