Kolonel: Sali Onuzi: 15 vjet më parë në Divizionin e Kukësit-me veteranët e luftës së Ushtrisë

15 vjet më parë, më 3 mars 1999 media e shkruar dhe elektronike njoftonte se një grup veteranësh të luftës e të ushtrisë, ish gjeneralë dhe oficerë madhorë të Ushtrisë shqiptare  qenë nisur për një vizitë në zonën verilindore të Shqipërisë.

Shqipëria po përkujtonte 55-vjetorin e Çlirimit të saj  nga pushtuesit nazifashistë në një atmosferë të pazakontë: në hapësirat mitike të Ballkanit, në Kosovë kish kohë  që me gjithë egërsinë e tyre  kishin zbritur  falangat e ushtrisë serbe. Edhe barbarët historikë andej kishin ardhur.

Pas një viti lufte, spastrimi etnik e gjenocidi në Kosovë,( si masakra e Reçakut me 15 janar 1999 e të tjera) Jugosllavia nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin e Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë .(6-21 shkurt 1999) Në terrenin  e Kosovës, njëkohësisht fuste forca e mjete  të blinduara .”Ushtria serbe po vazhdonte lëvizjen në drejtim të Kosovës. Korpusi i Prishtinës u përforcua me rezervistë me njësi elite të këmbësorisë e me helikopterë, me artileri te rëndë e me njësi të blinduara të klasës të parë nga veriu i Serbisë.” ( Wesley Clark “ Të bësh luftë moderne”.Prishtine, 2003.f.202). Ky grumbullim forcash dhe mjetesh kishte për  shënjestër shqiptarët, UCK dhe  civilët.

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare që ndiqnin me vëmendje situatat në Kosovë kishin marrë e merrnin masa për të forcuar mbrojtjen e kufirit shtetëror. Veteranët e Shqipërisë  kishin shprehur  dëshirën të bënin një vizitë në Divizionin e Kukësit. Dhe ja,  me interesimin personal te Ministrit të Mbrojtjes zotit Luan Hajdaraga dhe me kërkesën e vet komandantit të divizionit të Kukësit gjeneral- brigade, Kudusi Lame, kjo vizite po bëhej. Jo thjesht pse dikush në një inspektim politik nuk kish konstatuar gatishmëri në kufi, meqë nuk kish hasur  në rrugët e asfaltit asnjë batalion e kompani !. Këto flluska sapuni mund t’i copëtonte edhe artikulli i një gazetari te “ Ushtrisë”. Le që populli ish vetë aty dhe nuk e hante sapunin për djathë.

Shkuarja e grupit të veteranëve të luftës e të ushtrisë duhej të kish , siku edhe pati ne fakt motive shumë më të thella.  Lufta po zhvillohej në Kosovë. NATO kish paralajmëruar jo njëherë Milloshevicin. Jo vetëm profesionistet e politikes e të sigurisë kombëtare, por edhe njerëzit e thjeshtë po e shihnin se lufta po na trokiste ne derë.

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë kishin zbritur ne Kukës ,Has e Tropojë. Nje pjesë e mire e tyre qenë instaluar aty në terren dhe ndiqnin me kujdes të madh situatën dhe masat që merreshin. .Por Shqipëria i kishte gjallë brezin e atyre që kishin bërë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë..Këta burra kishin organizuar një ushtri e një mbrojte  për  rast lufte. Terrenin, fortifikimin , brezat , mundësitë e mbrojtjes e te vendosjes  i kishin në hartat e mendjes  të ngulitura,Të gjithë emra të njohur : Rrahman Parllaku ( Hero i Popullit), Sadik Bekteshi ( Hero i Popullit),Halim Ramohito, Muharrem Kokomani, Zeqiri Mero, Sejdin Avdia, Thoma Xhixho, Dilaver Poci, Adnan Qatipi, Qamil Poda, Enver Begeja, Veli Llakaj, Tefik Ruci, Nikollaq Sallabanda, Kapo Kapaj, Muharrem Mulgeci, Gjergj Titani, Nexhmi Menzelxhiu, Faiko Zaimi. Të gjithë bashkë, pa asnjë ndasi politike e partiake ,  ishin nga ata   burra që bënin pjesë në ” partine” e kombit.

Dhe ndodhi ashtu sikur pritej. Vizita e tyre u prit me nje interesim të madh në gjithë Shqipërinë e ne vecanti në verilindje Media qendrore dhe lokale benë punën e tyre të mirë. Në Kukës ,komandanti i Divizionit dhe Shtabi i tij, shoqëruar nga media lokale kishin dalë t’i prisnin që në Fushë Dukagjin dhe që  atë mbrëmje TV Kukësi zhvilloi e transmetoi me veteranët një bisedë  rreth  synimeve të veteranëve në vizitën e tyre. Plot qytetarë para hotel “Gjallicës” që pyesin e takonin njërin a tjetrin. Më të papërmbajturit futeshin  edhe në hotel a restorant  për një kafe  me veteranët  ,me  ish komandantët e tyre të dikurshëm etj.

U kuptua menjëherë se edhe në planin moral e shpirtëror vizita e veteranëve kishte qenë një gjetje e mrekullueshme. Provokacionet serbe në kufirin tonë shtetëror, gjithnjë  më të shpeshta e më të rrezikshme nuk kish si të mos ngjallnin tension, irritim edhe një lloj padurimi. Kur serbët kishin hapur zjarr ndaj postës sonë të Morinit, dhjetëra fshatarë shqiptarë ishin gjetur të armatosur në postë përkrah policëve tanë dhe ish dashur autoriteti i  komandantit te Divizionit, gjeneral Kudusiut  t’i qetësonte e përmbante  të mos kalonin kufirin. Vetëpërmbajtja kish qenë  dhe do të ishte qëndrimi ynë  për të mos rënë në kurthin e provokacioneve serbe që përhapnin nëpër Botë shpifjet sikur nga Shqipëria  eksportohej terrorizmi, UCK-ja  dhe destabilizimi i Jugosllavisë.

Programi dyditor i vizitës u realizua plotësisht. Me 4 mars grupi që në mëngjes do të ishte në sallën e Shtabit të Divizionit për tu njohur me gjendjen .Ndodhi që në fillim të veprimtarisë të njoftohej për një provokacion    sërb në kufi në fshatin Letaj te Hasit. Që këtu veteranët u futën në një situatë reale, ku ra në sy vetpërmbajtja, logjika ,dhe gatishmëria e tyre. U nis kolonel Selim Spahiu, shef i Shtabit me një  grup  dhe  shpejt u njoftua se çdo gjë ishte  zgjidhur. Atë dite veteranët vizituan Brigadën te Metori ( sot Fusha e aviacionit). U takuan me të gjithë ushtarët, nënoficerë e oficerë, aty në postet e tyre luftarake, pranë topave, tankeve, transportuesve të blinduar, raketave dhe armëve të tjera. Pastaj vizituan regjimentin e artilerisë  tokësore në Bicaj dhe pikën kufitare te Morinit. Në Bicaj pranë topave ishin gati kompletet e predhave luftarake, gradimet te vendosura dhe ujërat e niveluar. Pritej vetëm “ zjarr”, për te  fluturuar predha deri   26 km. Kështu do të shkruante Asllan Osmani, korrespondent rajonal i shtypit ushtarak që nuk iu nda grupit te veteranëve ato ditë që nga Tirana e kudo. Të nesërmen me date 5 mars nisemi  për Krumë, shkojmë më tej, në Letaj, mu në kufi, ku njihemi drejt për drejt me situatën e datës 4 mars. Takohemi me banorë,( burra, gra,  të rinj e te reja) të armatosur e të vendosur për të mbrojtur kufirin. Janë çaste emocionuese. Edhe ato ndjehen të vlerësuar e të frymëzuar  nga vizita e grupit te veteranëve .

Ne Lumë e  Has veteranët u gjallëruan, vështronin me kujdes, bisedonin me përzemërsi dhe testonin. Diku pyesnin e shpjegonin. Oficerët dhe trupa dëgjonin  me vemendje. Sa hipnin në makina, veteranet fillonin debatet, përzgjidhnin pikat ku do të thellonin njohjen. Po dhe burra modest , të kulturuar e të sjellshëm. Pa mendjemadhësi e fodullëk.

Largohen nga Kukesi të përcjellë me respekt e dashuri, po largohen vetëm fizikisht. Me shpirt janë aty. Ata kanë dhënë një ndihmesë me vizitën dhe  me  mendimet e tyre. Veç tjerash ata  i kërkuan komandantit të divizionit të skalionoheshin më shpejt disa  mjete e forca. Situata nuk na duket se pret,  thane..Dhe ashtu doli. Sapo u largua misioni i OSBE  nga Kosova, me 20 mars, serbet filluan  në masë spastrimin  etnik . Me 24 mars filluan sulmet ajrore 78 ditore  te NATO-s mbi Jugosllavinë.

Në Tiranë grupi i veteranëve u  prit nga Ministri i Mbrojtjes zoti Hajdaraga, i cili i dëgjoi me vëmendje  mendimet e tyre dhe i falënderoi  Ju jeni pjesa më e depolitizuar e Forcave te Armatosura  do t’u thoshte  Ministri ish gjeneralëve, veteranëve te shquar te Luftës dhe te Ushtrisë. Edhe ata nga ana e tyre e falënderuan Ministrin dhe përgëzuan në veçanti Divizionin e Kukësit dhe komandantin e tij për  punën që kishin bërë për ri ngritjen e divizionit pas ngjarjeve te vitit 1997, për gatishmërinë  dhe për pritjen e tyre. Dhe në fakt Divizioni  i kreu me nder detyrat në situatën e Luftës në  Kosovë.

(Sali Onuzi-ish drejtor i Departamentit te Veteraneve të Luftës, shoqërues i grupit të veteranëve    në këtë aktivitet.)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …