Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim kundër 12 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”. Kjo gjykatë 11 prej tyre dënoi me burgefektiv prej 31 vitesh, 171 mijë euro gjobë dhe 6 vite burg me kusht. Një i pandehur u lirua nga të gjitha akuzat. Aktgjykimin e shpalli kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.
Të akuzuarit: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj, ngarkoheshin me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera. Sipas aktgjykimit, Luan Statovci u shpall fajtor për “Marrje ryshfeti” në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, dhe u dënua me 8 vite burg dhe 50 mijë euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi“. Sadat Shkodra u shpall fajtor për “Marrje ryshfeti” në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, dhe u dënua me 6 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë. Berat Nika u shpall fajtor për “Marrje ryshfeti” në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, dhe u dënua me 6 vite burg dhe 20 mijë euro gjobë. Kushtrim Zogaj u shpall fajtor për “Marrje ryshfeti” dhe u dënua me 3 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë.
Hasan Maxharraj u shpall fajtor për “Mashtrim me subvencione” dhe u dënua me 3 vite burg.
Musa Nivokazi u shpall fajtor për “Mashtrim në detyrë”- vepër e kryer në bashkëkryerje dhe u dënua me 2 vite burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej tri vitesh nuk kryen vepër të re penale. Të njëjtit i shqiptohet edhe dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë euro.
Lulzim Hajdaraj u shpall fajtor për “Mashtrim në detyrë”- vepër e kryer në bashkëkryerje, dhe u dënua me 2 vite burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej tri vitesh nuk kryen vepër tjetër penale. Hajdarajt iu shqiptua edhe dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë euro.
Salih Statovci u shpall fajtor për ndihmë në “Marrje të ryshfetit” dhe u dënua me 5 vite burgim dhe 25 mijë euro gjobë.
Almir Abdurrahmani u shpall fajtor për “Falsifikim të dokumenteve” dhe u dënua me 25 mijë euro gjobë.
Florim Nimanaj u shpall fajtor për “Dhënie ryshfeti” dhe u dënua me 1 vit burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat verifikimi prej dy viteve nuk kryen vepër të re penale. Ai u dënua edhe me 3 mijë euro gjobë.
Afrim Abazaj u shpall fajtor për “Ndihmë në dhënie të ryshfetit” dhe u dënua me 1 vit burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen vepër tjetër penale në afat prej dy viteve. Si dhe u dënua me 3 mijë euro gjobë. Të akuzuarve Luan Statovci dhe Sadat Shkodra, Gjykata iu shqiptoi dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose shërbim publik në afat prej 10 viteve. Kurse, Kushtrim Zogajt, Berat Nikajt, Musa Nivokazit dhe Lulzim Hajdarajt, dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose shërbim publik në afat prej 5 viteve. Kurse, të akuzuarit: Jeton Sylaj për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, Hasan Maxharraj për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe Salih Statovci për “Mashtrim në bashkëkryerje” dhe në vazhdimësi, lirohen nga akuzat pasi nuk është provuar se kanë kryer këtë vepër penale.