Përgjigje letrës së Gani Aliut, veprimtar dhe i burgosur politik

Përgjigje letrës së Gani Aliut, veprimtar dhe i burgosur politik

Përshëndetje, Gani i nderuar,

Të falënderoj shumë për mbështetjen dhe kujtimet për atë kohë, kur ti me  shokë e shoqe  po kaliteshit në rrugën e lirisë, të cilën edhe vetë e kisha nisur qysh në moshë të re dhe e kam vazhduar për një jetë të tërë…

Ka më shumë se dy vjet, që neurologët më kanë diagnostifikuar me sëmundjen,  ALS,= motoneuron e cila gradualisht ma ka pamundësuar komunikimin gojor dhe paralizën e anës së majtë të shtatit.

Tash jam në regjim ulur dhe në shtrat. Nuk mund të ngrihem vet. Mjekët më kanë vendosur një gyp për ushqim me shiring, drejt në lukth, meqë goja, hunda buzët, gjuha, krahu dhe këmba e majtë janë paralizuar. Sëmundja, është e pashërueshme, por nuk e prek kujtesën as inteligjencën, kështu qe ende po rri ulur dhe po punoj kohë pas kohe… jeta mu ka bërë barrë e pa përballueshme, por…

E di se ky lajm të brengos por kështu e ka  jeta… me gjithë mundimet, ende jam ndër të gjallët dhe mundohem ta shtyj …

I përmbahem një  konstatimi të Dostojevskit, i cili thotë se  jeta është luftë, dhe po të mbarojë lufta, jeta vdes…

 

Fillimisht të bëj me dije se herën e parë  regjimi jugosllav më ka dënuar  nëntor të vitit 1965, si pjesëtar i LRBSH-së.  Meqë isha i mitur më dënuan dy muaj burg efektiv dhe një vit me kusht. Më vonë në maj të vitit 1976, në Ferizaj më dënuan për pengim në detyrë të personit zyrtar, pasi nuk isha ndalur në stopin e milicit, në dalje të Shtimes, meqë në veturë, kisha ‘literaturë të ndaluar’ që e kisha marrë në Ambasadën e Shqipërisë, në Sofje të Bullgarisë, me një mik dhe një shok, M. Bajraktari  nga Ferizaj dhe S. Selmani, nga Shkupi. Po të mos ishte, kryetari i Gjykatës, Rifat Avdullahu, një shok imi i Medresesë, do të më dënonin me vite. Më dënuan 2 muaj burg për armëmbajtje pa leje, meqë për ta pasur si alibi, e mbaja me vete, në veturë, sa herë kisha literaturë të cilën regjimi e konsideronte, armiqësore.

Dënimin e kam mbajtur në Burgun e Ferizajt në nëntor-dhjetor 1976.

Herën e tretë, në Ferizaj në vitin 1979, më dënuan për propagandë armiqësore, gjashtë muaj burg por me ankesën e prokurorit, Reshat  Millaku,  dënimi u rrit në 18 muaj.

Në shkurt të vitit 1983 më dënuan 8 vjet burg, për pjesëmarrje dhe organizim të demonstratave të vitit 1981. Vazhdimisht kam mbajtur kontakte me nxënës të besuar, dhe me kolegë, kudo ku kam punuar, në Shtime, Ferizaj, Viti, Prishtinë. Asnjë nga nxënësit nuk më ka denoncuar asnjëherë.

Kujtimin për nxënësit në Ferizaj dhe ju të treve por edhe të tjerëve,  nuk e kam harruar kurrë. Të falënderoj nga zemra e me këtë rast, i falënderoj edhe të gjithë ata nxënës e kolegë, sidomos me ata  me të cilët kam bashkëpunuar, ilegalisht.

Përzemërsisht

Ahmet Qeriqi

  1. 1. 2025

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

RKL: Si silleshin dikur të çoroditurit e Vetëvendosjes kundër kryekuvendarit, Jakup Krasniqi dhe ambasadores amerikane, Xhejkobson

Pasi Albin Kurti kishte bërë përpjekje për  të ia rrëmbyer mikrofonin, kryetari i Kuvendit të …