Fqinjët tanë ballkanikë , veçmas Serbia dhe Greqia, e hiq më pak edhe Mali Zi, kanë synuar pushtimin e tokave të hueja, kryesisht ato shqiptare, dhe formimin e shtetit të tyre të madh: Serbisë së Madhe dhe Greqisë së Madhe. Ato qysh sa kishin statusit e principatave të dhënë nga pushteti i Perandorisë Osmane, ushqenin apetite dhe iluzione që një ditë, nëse do çliroheshin nga pushteti otoman, ta përtërijnë Perandorinë Bizantine. Kështu, në vitin 1844 kryeministri grek Joanis Kolettis shpalli planin (platformën) për një Greqi të madhe (“Megali Idea” – Idea e Madhe), ndersa Garashanini në Serbi shpalli planin e Serbisë së Madhe (“Naçertanie”). Të gjitha strukturat shtetërore e kishtare të të dy shteteve gjatë gjithë kohës kishin këto plane si udhërrëfyes për veprimin e tyre në pushtimin e tokave të hueja. Gjatë luftërave greko-turke e ruso-turke dhe kryengritjeve të popujve tjerë, prej vitit 1876-1912, Serbia dhe Greqia vazhdimisht pushtonin toka shqiptare.
Me rënien e Perandorisë Osmane dhe caktimin e kufijve të monarkive ballkanike në Konferencën e Londrës (1913), jeta politike dhe ekonomike e shqiptarëve u përkeqësua, territori i tyre u ngushtua ndërsa demografia e popullsisë në tokat e pushtuara u ndryshua rrënjësisht. Tërë periudha 1912 – 1945, por edhe më vonë, u karakterizua me presion, represion, krime, terror, gjenocid të kishës dhe shtetit mbi popullsinë autoktone shqiptare.
Shteti grek, i inspiruar dhe ndihmuar nga kisha ortodokse dhe nga bandat kriminale shtetërore e parashtetërore, bënë çmos që brenda kufijve të shtetit grek të mos mbetën popuj tjerë, përveçse grekë, në mënyrë që të zhdukin identitetin shqiptar të popullsisë së Çamërisë, duke i ndarë sipas besimit fetar, e shndërruar në grekë ose turqë. Duke mos mundur t’u bëjnë ballë krimeve monstruoze, shqiptarët që si autoktonë jetonin në tokat e tyre brenda shtetit grek, u detyruan të shpërngulen e t’i lënë varret e të parëve, shtëpitë dhe pronat e tyre. Një shpërngulje e madhe e shqiptarëve, çamëve myslimanë u bë pas luftës greko-turke (1922). Në janar të vitit 1923, në Lozanë u nënshkrua Konventa greko-turke për shkëmbimin e popullsive: grekët (ortodoks) të Turqisë të shkojnë në Greqi, ndërsa turqit (myslimanë) të Greqisë të shkojnë në Turqi. Me një formulim paksa të komplikuar në Konventë, shqiptarët ishin përjashtuar nga shkëmbimi. Mirëpo, duke marrë parasysh qëndrimin antishqiptar, shteti grek të gjithë shqiptarët myslimanë i trajtonte si turqë, dhe i detyronte të shpërngulën nga pronat e tyre, i shkëmbente me grekët e Turqisë, ndërsa pronat e shqiptarëve ua jepte grekëve të ardhur nga Turqia. Kundërshtimin dhe rezistencën e shqiptarëve për të mos i lëshuar pronat dhe tokën e të parëve, shteti e ndëshkonte në mënyrat më mizore, kështu që përveç atyre që u shkëmbyen me grekët e Turqisë, çamët e tjerë myslimanë u detyruan të shpërngulën në Shqipëri, ose në Amerikë. Për persekutimet, vuajtjet, krimet dhe gjenocidin që ka përjetuar populli i Çamërisë, është shkruar e foluar, e do shkruhet e flitet por edhe të veprohet derisa drejtësia të vie në vend. Për statistikat dhe numrin e çamëve të vrarë e të shpërngulur, plaçkitjet dhe pronat e tyre të shkatërruara e të konfiskuara, ka shkrime të shumta të evidentuara dhe argumentuara.
Për këtë shkrim, po e japim një artikull të botuar në “Politika” të Vlorës, nr.8, datë 27 Mars 1924, pikërisht sot e 90 vjet më përpara. Artikulli flet për gjendjen e shqiptarëve të Çamërisë në vitin 1924. Tekstin po e reprodukojmë këtu në origjinal, me gjuhën dhe shkrimin e përdorur atëherë, të nxjerrë nga libri ÇAMËRIA, i autorit Hajredin Isufi, fq.83-85. Artikulli mbanë titullin: “Te drejtat e pakicave”:
“Formula e pakicave qe pranuar në Paris, në Gjenevë e në Lausanë, si një parim i përgjithshëm, do me thënë tërë ata shtete që merrnin pjesë në Shoqërinë e Kombeve e që pranonin Statutin e saja, kishin dhënë fjalë nderi se do t’i ruanin të pacenuara ato të drejtat ngado e kudo të gjendeshin.
Por, atëherë Shqipëria, ndonëse ishte pranuar si anëtare në Aeropagun e Gjenevës – quhet një shtet i ri, pa kredi politike e pa prestigj morali në botë, kurse Sllavo-Grekët mburreshin si popuj liridashës dhe gjenin kush t’u besonte n’Evropë.
Delegati ynë në Gjenevë pra, për ta treguar që shteti e populli ynë ishin më liberal nga të tjerët, e për ta forcuar besimin e botës së qytetëruar, bëri një deklaratë zyrtare në Këshillin e Shoqërisë së Kombeve, me u zotua apriori, se shqiptarët do t’i nderonin me gjithë zemër pakicat të ndodhura brenda nër kufit e Shtetit.
I nderçmi prelat Imzot Noli nuk duhet kurrë të kritikohet për këtë veprë, mbasi n’ ato kohë e n’ato qarke nuk mundësh të bëhësh ndryshe e mbassi neve kishim nevojë të domosdoshme për një prestigj morali në botë.
Veç kësaj, deklarata zyrtare e delegatit t’onë nuk kishte ndonjë vleftë juridike më tepër se pranimi në princip i sllavo-grekve, të cilët tue nënshkruar traktatet e Paqes dhe Statutin e Shoqërisë së Kombeve, kishin dhënë fjalën orbi et orbi, po dhe ata si neve. Këta zotime e këta engagements solennels, diplomatikisht kishin doemos një karakter reciprok.
Pastaj arriti puna në Lausanne. Turko-grekët kishin bërë një projekt ad-hoc për këmbimin e popullatave së Maqedhonisë e t’Asis së Vogël, e këtë vendim i a kishin bërë të ditur Konferencës së Paqës. Delegati ynë, Z.Mehdi Frashëri, e kuptoi rrezikun q’u vinte çamëve dhe atë çast paraqiti një shkresë të posaçme, tue kërkue përjashtimin e shqiptarëve banues në Greqi. Në bazë të këtij demarshi Z.Venizellos u shtrëngua t’a deklarojë në Konferencë, se Greqia pranonte tezën e Delegatit t’onë. E mbi këtë zotim të qart muarën shënim gjithë Fuqit e Mëdha…
Qeveria e Athinës tue mbajtur fjalën, jo vetëm do të mbante edhe nderin e saja, por do të na kishte dhënë edhe neve një shënjë vëllazërije e miqësije, qo do të na i kishin ngrohur zëmërat. Për fat të keq po të thuash grekër, domethënë gënjeshtar e po të thuaç Greqi, domethënë pabesi.
Athina filloi një sjellje të ashpër, një vepër brutale e barbare mbi kurrizin e të mjerëvet çamë.
Ç’bëri Kabineti i Z.Zogu për sigurimin e jetës e të pasurisë së vëllazërvet t’anë? S’bëri fare gjë. Kryeministri kishte një doktrinë të vet: L’etat c’est moi: Shteti jam unë… Ministri i Jashtëm ishte një patriot i mirë, por mjerisht, i ftohur, i plakur e i vdekur nga vullneti… Ndofta Z.Pandeli Evangjeli kishte frikë se mos bëhesh ndonjë aleancë e shenjtë kundra nesh, e se mos vinte Evropa të na therrte, pse neve kërkonim të drejtat!
Pra politika oportuniste e qeverisë së re dhe toleranca e saj kundrejt elementit grekofon, u dha guxim ca më keq qeveritaret e Athinës aqë sa më në fund, Ministri grek i Bujqësis ia deklaroi dërguarës çame n’Athinë se shqiptarët që ndodhen në Greqi si nënshtetas grek, duhet të pregatiten për të shkuar në Turqi.
Gjer këtu këjo histori e zezë e një populli martir e shkaktuar nga moskujdesja e qeveritarëve t’anë!
E tash vjen vet-vetiu pyetja: ç’do të bëjë Kabineti i Z.Vërlaci e si do sillet Ministri i ri i Jashtëm?
Neve, me gjithë që jemi kundërshtarët politik më të rreptë, prap duamë të shpresojmë se z.Iljas Vrioni nuk do të ndjekë kurrë politikën personale e oportuniste të predecesorvet të tij…
Greqija duhet të pranojë pa tjetër vendimin e Lauzann-së; duhet të respektojë nderin e nënshkrimit të saja; duhet t’i njohë pakicës shqiptare në Greqi si ç’njohëm neve pakicat greke në Shqipëri. Këjo është një subordinatë që s’mund të kuxojë njeri të pyes përse… në do të jetë anulluar deklarata e Venizelos në Lausannë, pse të mos jetë e pa qenë edhe deklarata e imzot Nolit në Gjenevë? E atëherë po të prishen këto dy deklarata, Greqija ka të drejtë të bëjë si të dojë me nënshtetasit e saj, por natyrisht kemi edhe neve të drejtë të sillemi si të duamë me nënshtetasit t’anë… Duamë sy për sy, e dhemb për dhemb e s’ duam’ të dimë aspak me fotos-pios. Kur shkon greku mbi trupat e gjakosur të shqipfolësvet, do të shkojmë edhe neve mbi kufomat e therura të grekofonvet. Qoftë sikur ta dimë se do të shkelëm mbi xhenazet e djemve t’onë, neve prap do të vemi përpara, sepse ideali i të tjervet nuk është më i shenjtë nga ideali ynë. E pra, në bazë të këtij ideali të mbështetur në të drejtat t’ona është koha të tundemi e t’a rrëfejmë veten”,- përfundon artikulli i botuar në gazeta “Politika” të Vlorës, më 27 mars 1924.
Thika arriti në palcë…
“Politika”, Vlorë, nr.8, 27 Mars 1924
Artikull redaksional