Komunikimi me masat është art, por arti nuk do duhej të paraqiste pjesën më groteske të këtij ligjërimi, me joshje e gënjeshtra skajshmërish të një anshme të kësaj Kaste në ikje.
Fushata elektorale e partisë në pushtet, ka ofruar figura të njëtrajtshme në portretet e të cilave po afishohen shikime të përhumbura mes premtimeve post-qeveritare boshe e gati përçmuese, shumë larg realitetit të kapshëm, histori e plagosur kjo si ogur i shëmtuar i një gjendjeje të krijuar enkas për këto vite, kjo mendësi e njëtrajtshme do të marr kohë që të rikuperohet, kujtesa e së cilës pasqyron vitet e vrara me një kosto politike që ishte mbjellë mbrapshtë që në zanafillën e saj.
Ky mister i kësaj qeverisje të dështuar, i cili zbrazi mbi Kosovën e kërrusur “burrat fuqiplotë të vetëvendosjes” , në fakt, ata vendosin vet për fatin e Kosovës me kaq mospërfillje e fodullëk, në mënyrë kaq arrogante pa e përfillur askënd.
Këtë kopje “burrështetasish” , nga më të çuditshmit, nuk e kishte imagjinuar askush më parë, por ja që an gjeti belaja me ta. Si ka mundësi të merret vendim dy javë para zgjedhjeve, që të rritën pensionet, rrogat, mirëqenia etj… kur qeveria në ikje, për një mandat e ca, as ka çarë mendrën për këtë, mbase e paskan ruajtur enkas këtë të arritur për fushate!?
Të gjitha partitë politike opozitare, kanë të drejt morale që të premtojnë deri në një farë mase, pra brenda konturave të një realiteti të kapshëm, nga se nuk kanë dëshmuar që janë shpërdorues, madje kanë ngritur zërin (në kaçikun e tyre), kundër kësaj qeverisjeje të pa përgjegjshëm e cila ka vrarë moralin e qytetarit hallexhi për një mandat të tërë, duke mos realizuar po thuaj asgjë nga investimet kapitale, prandaj, thënia e popullit se gjeli i detit nuk mbahet ditën e bajramit- tani sikur na kujton më shumë.
Një batutë e hidhur:
– Në një kohë të largët, një familje e kamur, ishte ndarë e shpartalluar, duke rënë shumë nga ekonomia, nga prestigji, madje duke humbur edhe shpresat për përparim, ekonomi etj.
– Shkuan te një njeri që parashikonte fatin, dhe po e pyesin:
– Zotëri i gjithëdijshëm, kemi qenë shtëpi e madhe, me ekonomi e pasuri, si kush në këto anë, tani kemi rënë shumë keq, na thuaj të lutem sa do të zgjas kjo gjendje jona kështu?
– Katër vjet, u përgjigj fall- shikuesi!
– E pas katër vitesh çka do bëhet me ne?- ia priten ata një zërit.
– Do të mësoheni me fukarallëkun!- ua ktheu fall- shikuesi.
Sovrani e ka në dorë që t’i tregoi kësaj qeverie se ne nuk do të lejojmë më; që të mësohemi me terrin, papunësinë, varfërinë, korrupsionin, hajdutërinë, baltën e zezë në rrugët e Kosovës me miqtë ndërkombëtar, denigrimin e dinjitetit të qytetarit tanë etj.
Jo, më këto gjëra nuk ka për t’u pajtuar dhe mësuar kurrë më populli ynë, unë besoj shumë në këtë. Populli do duhej t’iu besojë fakteve, faktet flasin se gjërat që nuk janë realizuar për katër vite e më shumë, nuk kanë se si të realizohen për katër ditë të kësaj fushate. Prandaj mund të gënjehen vetëm ata që duan të gënjehen, ndryshe faktet janë ulur këmbëkryq në Kosovë dhe fatkeqësisht janë shumë të hidhura për qytetarët tanë.
Prandaj me 9 shkurt, Sovrani e ka në dorën fatin e vet, para së gjithash, me votën e vet, ai do duhej të vras terrin, duke e votuar PDK-në, dhe Bedri Hamzën, njeriun më të kompletuar si kurrë më parë, që vendit të ia kthej vetëbesimin, respektin, mirëqenien, besimin e ndërsjellë me ndërkombëtarët dhe dinjitetin e qytetarit tanë gjithandej.
CH-13-01-2025
Mehmet Bislimi